Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Mbroje fëmijën nga pornografia

Mbroje fëmijën nga pornografia

 «S’është që nuk e kuptonim rrezikun e pornografisë, e kishim shumë të qartë. Problemi ishte se nuk e imagjinonim sa kollaj mund të ekspozohej vajza jonë ndaj pornografisë.»—Nikol.

Në këtë artikull

 Çfarë duhet të dish

 Fëmijët mund të ekspozohen ndaj pornografisë që në moshë fare të vogël. Studimet tregojnë se tani mosha mesatare kur fëmijët shohin për herë të parë pornografi është 11 vjeç.

 Fëmijët mund të bien në kontakt me materiale pornografike edhe padashur. Për shembull, mund t’u shfaqen pamje pornografike ndërsa janë duke bërë kërkime për ndonjë temë të padëmshme në internet ose duke lundruar nëpër media sociale. Gjithashtu mund t’u dalin papritur reklama për materiale pornografike ndërsa luajnë videolojëra online. Pornografia disponohet në forma të ndryshme, ku ndër më të përhapurat janë fotografitë ose videot. Megjithatë, fare kollaj mund të gjenden edhe materiale erotike me përshkrime të hollësishme në format të shkruar dhe në format audio nëpër podcasts. Të gjitha këto mund të shihen e të dëgjohen direkt nga interneti ose mund të shkarkohen.

 Një faktor tjetër që duhet mbajtur parasysh është se disa individë mund t’u dërgojnë fëmijëve materiale pornografike elektronikisht, për shembull nëpërmjet mesazheve. Në një studim ku morën pjesë mbi 900 të rinj, gati 90 për qind e vajzave dhe gati 50 për qind e djemve thanë se kishin marrë rregullisht nga shokët e klasës fotografi e video me njerëz të zhveshur.

 Shpesh materialet pornografike më të përhapura kanë përmbajtje dhune. Materialet pornografike më të përhapura dhe më të aksesueshme zakonisht përmbajnë ndonjë formë dhune, shpesh ndaj grave.

 Pornografia i dëmton fëmijët. Studimet tregojnë se fëmijët që janë të ekspozuar ndaj pornografisë kanë më shumë të ngjarë:

  •   të kenë rezultate të dobëta në shkollë

  •   të përjetojnë ankth, depresion dhe ndjenja pavlefshmërie

  •   ta konsiderojnë dhunën seksuale si sjellje normale

 Përfundimi: Pornografia mund të ketë efekte shkatërrimtare te fëmijët, dhe prindërit janë personat më të përshtatshëm për t’i mbrojtur.

 Parim nga Bibla: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato fëmijëve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

 Si ta mbrosh fëmijën nga pornografia

 Informohu mirë. Mendo se kur dhe ku ka më shumë të ngjarë që fëmija yt të ekspozohet ndaj pornografisë. Për shembull, a ka mundësi të lundrojë në internet pa mbikëqyrje gjatë pushimeve në shkollë?

Fëmija yt mund të ekspozohet ndaj pornografisë në forma të ndryshme

 Mëso cilat veçori të celularit të tij a mund të përdorësh për të kufizuar informacionet që i vijnë dhe njihi mirë aplikacionet që përdor e lojërat që luan. Për shembull, disa aplikacione mesazhesh kanë një veçori që i fshin mesazhet, pamjet ose videot pornografike pas një kohe të shkurtër. Përveç kësaj, gjithnjë e më shumë videolojëra sot u japin mundësi lojtarëve të shohin pornografi e madje të përfshihen virtualisht në akte seksuale brenda lojës.

 «E them nga përvoja: nëse fëmija yt ka një smartphone, ti si prind duhet të dish ta përdorësh, të dish si të përdorësh opsionet e kontrollit prindëror të celularit dhe ta monitorosh fëmijën se si e përdor pajisjen.»—Davidi.

 Parim nga Bibla: «Zemra e njeriut që kupton, fiton njohuri.»—Proverbat 18:15.

 Bëj gjithçka ke në dorë që ta mbrosh fëmijën nga ekspozimi ndaj pornografisë. Merr masa konkrete për të pakësuar rrezikun. Për shembull: rregullo filtrat e kontrollit në celularin e fëmijës, si edhe në të gjitha pajisjet elektronike që përdorni në shtëpi, që të bllokojnë materialet pornografike. Aktivizo opsionet e kontrollit prindëror (parental controls). Dhe mëso të gjitha fjalëkalimet që përdor fëmija yt.

 «Kam parë se është shumë praktike të aktivizoj opsionet e kontrollit prindëror në pajisjet tona, të kufizoj programet që sheh djali im në televizorin që lidhet me internetin dhe të di PIN-in e celularit të tij.»—Mauricio.

 «Nuk i lejoj djemtë e mi të shohin video në dhomën e tyre me derë mbyllur. Kur vjen koha për të fjetur, nuk i lë t’i marrin pajisjet te dhoma e gjumit.»—Xhanluka.

 Parim nga Bibla: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.»—Proverbat 22:3.

 Përgatite fëmijën. Një nënë që quhet Flavia, thotë: «Disa prindër i shmangin bisedat për pornografinë me fëmijët e tyre, duke i mbushur mendjen vetes se fëmija nuk do ta hasë kurrë këtë problem.» Kurse disa prindër të tjerë mund të kenë merak se, po ta përmendin pornografinë, fëmijët e tyre do të bëhen kuriozë e do të kërkojnë të shohin. Por kjo mënyrë arsyetimi është e rrezikshme. Prindërit e mençur e edukojnë fëmijën për rreziqet e pornografisë para se ai të ekspozohet ndaj saj. Atëherë, si mund ta bësh këtë ti si prind?

 Mësoji fëmijët e vegjël çfarë të bëjnë nëse u dalin para materiale pornografike. Për shembull, mund të mbyllin sytë ose të fikin pajisjen elektronike. Veç kësaj, thuaju se është mirë të të tregojnë çfarë kanë parë ose dëgjuar. b

 «Filluam të flisnim për rreziqet e pornografisë me djalin tonë që kur ai ishte shumë i vogël. Rreth moshës 11-vjeçare nisën t’i shfaqeshin papritur disa reklama pornografike në një lojë që kishte shkarkuar në celularin e vet. Te pamjet dilnin edhe ftesa që të dërgonte fotografi të vetes. Mirëpo, ngaqë e kishim folur tashmë se çfarë duhej të bënte, ai erdhi menjëherë tek unë dhe më tregoi ç’kishte ndodhur.»—Mauricio.

 Parim nga Bibla: «Stërvite fëmijën në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6, shënimi.

 Ndihmoji fëmijët më të rritur t’i rezistojnë tundimit për të parë, për të dëgjuar ose për të lexuar materiale pornografike. Për shembull, ndihmoje fëmijën të përgatitë një kontratë, që përfshin veprimet që do të bëjë, në përputhje me rregullat e familjes, nëse ekspozohet ndaj pornografisë. Mund të shkruajë edhe arsyet pse dëshiron të veprojë ashtu. Ndihmoje të përfshijë në kontratë edhe pasojat që do të ketë nëse sheh me dashje pornografi të tilla, si humbja e respektit për veten, humbja e besimit të prindërve dhe dëmtimin e miqësisë me Perëndinë. c

 «Teksa fëmijët rriten, ndihmoji t’i rezistojnë tundimit duke menduar për pasojat afatgjata që sjell shikimi i pornografisë.»—Laureta.

 «Fëmijët tanë do të jenë më të mbrojtur po të kuptojnë, jo vetëm rreziqet që sjell pornografia, por edhe se si ndihet Jehovai për këtë çështje.»—Davidi.

 Parim nga Bibla: «Mençuria është mbrojtje.»—Eklisiastiu 7:12.

 Bisedoni rregullisht. Edhe pse mund të duket e pabesueshme, e vërteta është që fëmijët duan të flasin me prindërit për tema që lidhen me seksin, ku futet edhe pornografia. Dejm Rejçëll de Suza, komisionere e fëmijëve për Anglinë, thotë: «Mesazhi që kumbon fort [nga fëmijët] është: bisedoni që herët dhe bisedoni shpesh.» Ajo shton: «Fëmijët duan të bëjnë biseda të përshtatshme për moshën e tyre, të cilat me kohë evoluojnë në përputhje me pjekurinë e tyre, që sa vjen e rritet.»

 «Ndërsa rritesha, prindërit e mi i konsideronin tabu disa tema. Do të doja të kishim pasur një komunikim më të hapur e më të lirshëm. Tani që jam vetë nënë bëj çmos që të flas rregullisht dhe lirshëm me fëmijët e mi për seksin.»—Flavia.

 Ç’të bësh nëse fëmija yt ka parë pornografi

 Ruaj qetësinë. Nëse zbulon se fëmija yt ka parë, ka dëgjuar ose ka lexuar materiale pornografike, përpiqu të kontrollosh mënyrën si reagon. Tashmë fëmija mund të ndihet i mërzitur, i tronditur ose fajtor për atë që ka ndodhur. Po të reagosh me zemërim, thjesht do ta bësh të ndihet më keq. Madje mund t’ia bësh më të vështirë të të tregojë në të ardhmen.

 Parim nga Bibla: «Kush ka vërtet njohuri, e mban nën fre gojën, dhe kush ka aftësi dalluese, nuk e humb qetësinë.»—Proverbat 17:27.

 Mëso faktet. Në vend se të arrish menjëherë në një përfundim, bëji pyetje që të dallosh si u gjend para materialeve pornografike. Për shembull, a i dërgoi ndokush ndonjë pamje apo e gjeti vetë? Ishte një rast i vetëm apo ka parë edhe herë të tjera? A ishin instaluar në pajisjen e tij filtra për përmbajtjen ose opsione të kontrollit prindëror? Nëse po, a u përpoq ai të gjente një mënyrë për t’i shmangur? Mos harro se synimi yt është ta ndihmosh fëmijën të shprehet, jo ta marrësh në pyetje si në hetuesi.

 Parim nga Bibla: «Mendimet e zemrës së njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.»—Proverbat 20:5.

 Vepro. Për shembull, nëse fëmija u ekspozua padashur ndaj pornografisë, mbase të duhet të rregullosh opsionet e kontrollit prindëror dhe filtrat në pajisjen e tij.

 Nëse zbulon se ai ka kërkuar për materiale pornografike, disiplinoje me dashuri, por njëkohësisht me vendosmëri. Ndihmoje fëmijën të forcojë vendosmërinë për të mos parë pornografi, duke arsyetuar me të rreth shkrimeve të tilla, si Jobi 31:1, Psalmi 97:10 dhe Psalmi 101:3. d Gjithashtu bëja të ditur se do të flasësh me të çdo javë për të parë si po shkon dhe nëse mund të bësh diçka tjetër për ta ndihmuar.

 Parim nga Bibla: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait.»—Efesianëve 6:4.

a Edhe pse në këtë artikull përdorim gjininë mashkullore për fëmijën, informacioni vlen për të dyja gjinitë.

b Për disa sugjerime se si mund të bëni biseda rreth seksit në përputhje me moshën e fëmijës, shih artikullin «Si t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?»

c Për më shumë ide se çfarë mund të përfshini në kontratë, shihni fletën e punës «Si t’i thuash JO pornografisë?»

d Gjithashtu mund të shqyrtoni së bashku artikullin «Pse t’i thuash JO pornografisë?»