NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Fëmijët dhe media sociale—Pjesa 2: Mësoje fëmijën ta përdorë në mënyrë të sigurt median sociale
Kur mendojnë për rreziqet që mbart media sociale, shumë prindër nuk i lejojnë fëmijët e tyre adoleshentë ta përdorin. Megjithatë, nëse ti e lejon fëmijën tënd të përdorë median sociale, si mund ta ndihmosh të shmangë pasojat e dëmshme që sjell ajo dhe të mësojë ta përdorë me mençuri?
Në këtë artikull
Përparësitë
Çfarë duhet të dish: Duke qenë se media sociale mund të krijojë varësi te përdoruesit, fëmija yt adoleshent mund të ketë nevojë për ndihmën tënde që të kontrollojë sasinë e kohës që kalon me të.
Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Për të menduar: A e pengon media sociale fëmijën tënd të flejë sa duhet, të bëjë detyrat e shkollës apo të kalojë kohë me familjen? Studiuesit thonë se adoleshentët kanë nevojë për rreth 9 orë gjumë çdo natë, mirëpo ata që kalojnë orë të tëra në ditë me median sociale, ka të ngjarë të bëjnë më pak se shtatë orë gjumë.
Ç’mund të bësh: Diskuto me fëmijën tënd adoleshent rreth gjërave që kanë më shumë rëndësi dhe shpjegoji pse është e mençur të kufizojë sasinë e kohës që kalon me median sociale. Vendos rregulla të arsyeshme, si për shembull, nuk duhet të përdorë pajisjet elektronike në dhomën e gjumit gjatë natës. Synimi yt është ta ndihmosh fëmijën të zhvillojë vetëkontroll—një cilësi që do t’i hyjë shumë në punë edhe kur të jetë i rritur.—1 Korintasve 9:25.
Shëndeti emocional
Çfarë duhet të dish: Kur një i ri sheh selfie të miqve të tij, mbase të përmirësuara e të rregulluara me filtra, ose video të shkurtra me momente të lezetshme nga jeta e tyre, mund të ndihet i lënë mënjanë, në ankth ose i dëshpëruar.
Parim nga Bibla: «Flakni tej çdo . . . zili.»—1 Pjetrit 2:1.
Për të menduar: A e shtyn media sociale fëmijën tënd adoleshent të krahasohet me të tjerët dhe të ndihet keq për pamjen ose trupin e tij? A i duket sikur gjithë të tjerët bëjnë jetë fantastike e interesante, kurse jeta e tij është e mërzitshme?
Ç’mund të bësh: Diskuto me fëmijën tënd adoleshent sa të rrezikshme janë krahasimet. Ki parasysh se vajzat mund të ndikohen më shumë se djemtë, sepse ato priren t’u japin më tepër rëndësi marrëdhënieve me të tjerët dhe aspektit fizik. Madje mund t’i sugjerosh fëmijës që herë pas here të bëjë pak pushim nga media sociale. Një i ri që quhet Xhejkëb, thotë: «Për njëfarë kohe e fshiva aplikacionin e medias sociale. Kjo më ndihmoi të ndryshoja përparësitë dhe të rregulloja pikëpamjen për veten e për të tjerët.»
Sjellja online
Çfarë duhet të dish: Të përdorësh median sociale, mund të jetë sikur të jetosh para një turme njerëzish dhe të gjithë mund të shohin gjithçka që bën. Prandaj, fare kollaj mund të lindin keqkuptime dhe mosmarrëveshje.
Parim nga Bibla: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur, sharje. . . . Jini zemërmirë me njëri-tjetrin.»—Efesianëve 4:31, 32.
Për të menduar: A e ka shtyrë media sociale fëmijën tënd adoleshent të përfshihet në thashetheme a konflikte ose të përdorë një të folur lëndues?
Ç’mund të bësh: Ndihmoje fëmijën të kuptojë si të sillet mirë edhe online. Një libër komenton: «Është pjesë e detyrës sonë si prindër t’ua bëjmë të qartë fëmijëve se sjellja e ligë nuk është e pranueshme në asnjë vend, as në internet, as në botën reale.»—(Digital Kids)
Mos harro se media sociale nuk është domosdoshmëri dhe se ka prindër që nuk i lejojnë fëmijët e tyre adoleshentë ta përdorin. Nëse ti si prind e lejon fëmijën ta përdorë median sociale, duhet të sigurohesh që adoleshenti të jetë aq i pjekur sa të vendosë limite, të mbajë miqësi që i sjellin dobi dhe të shmangë përmbajtjen e papërshtatshme.