NDIHMË PËR FAMILJEN
Si të ndihmosh fëmijën të përmirësojë notat
Fëmija yt s’do t’ia dijë shumë për shkollën dhe nuk studion e as bën detyrat e shtëpisë. Si rezultat bie në mësime dhe sjellja përkeqësohet. Si ta ndihmosh që të përmirësojë notat?
Çfarë duhet të dish
Presioni e keqëson problemin. Kur i bën presion fëmijës, i shkakton ankth në shkollë dhe në shtëpi. Për të pakësuar stresin, ai mund të gënjejë, mund të mos i tregojë notat e ulëta, mund të firmosë në emrin tënd në fletën e tij të provimit ose mund të lërë orët e mësimit. Prandaj, problemi thjesht keqësohet.
Shpërblimi mund të japë efekt të kundërt. Një baba me emrin Endrju, thotë: «Që ta nxitnim vajzën, përpiqeshim ta shpërblenim kur merrte nota të mira, mirëpo kështu ajo përqendrohej vetëm te shpërblimi. Kur merrte një notë të ulët, më tepër zhgënjehej ngaqë humbte shpërblimin, sesa për notën.»
Të fajësosh mësuesit, nuk i bën mirë fëmijës. Fëmija mund të nxjerrë përfundimin se rezultatet e mira nuk duan përpjekje. Mund të mësojë edhe t’ua hedhë fajin të tjerëve për gabimet e veta dhe të presë që t’ia zgjidhin të tjerët problemet. Me dy fjalë, fëmija mund të mos mësojë aftësi jetësore që do t’i duhen kur të rritet: të pranojë përgjegjësitë për veprimet që bën.
Ç’mund të bësh
Mbaji nën kontroll ndjenjat. Nëse je gjithë nerva, mos i fol në atë moment për notat. Një baba që quhet Bret, u shpreh: «Bashkë me gruan kemi pasur rezultate më të mira kur ishim të qetë dhe tregoheshim empatikë.»
Parimi biblik: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt.’—Jakovi 1:19.
Përcakto problemin e vërtetë. Arsyet më të zakonshme për notat e dobëta mund të jenë bullizmi, ndryshimi i shkollës, ethet e provimeve, problemet familjare, pagjumësia, mungesa e një programi ose mungesa e përqendrimit. Mos dil shpejt në përfundimin se fëmija yt është dembel.
Parimi biblik: «Kush tregon gjykim të thellë në një çështje, do të gjejë mirë.»—Proverbat 16:20.
Krijo një atmosferë të përshtatshme për të mësuar. Bëj një program për detyrat e shtëpisë dhe për studimin. Gjej një vend ku fëmija të bëjë detyrat pa shpërqendrime (ku futen televizori dhe telefonat). Që të përqendrohet, është më mirë të mos i bëjë të gjitha njëherësh detyrat e shtëpisë, por pjesë-pjesë. Hektori, një baba nga Gjermania, pohon: «Nëse së shpejti do të ketë një test, çdo ditë i rishikojmë mësimet nga pak, në vend që të lëmë gjithçka për momentin e fundit.»
Parimi biblik: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»—Eklisiastiu 3:1.
Ushqeji dëshirën për të mësuar. Nëse fëmija kupton ç’dobi nxjerr që tani nga shkolla, do ta ketë më të lehtë t’i pëlqejë mësimet. Për shembull, matematika mund ta ndihmojë të administrojë paratë e xhepit.
Parimi biblik: «Fito mençuri, fito kuptueshmëri. . . . Vlerësoje shumë.»—Proverbat 4:5, 8.
Sugjerim: Ndihmoje fëmijën për detyrat e shtëpisë, por mos ia bëj ti. Endrju shton: «Vajza jonë përdorte trurin tonë, se të vetin e kishte fikur.» Mësoji fëmijës si t’i bëjë vetë detyrat e shtëpisë.