Pacientët Dëshmitarë shpesh e marrin veten më shpejt
AUSTRALI: «Pacientët e spitaleve që janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët nuk pranojnë transfuzion gjaku për arsye fetare, në të vërtetë e marrin veten më shpejt se pacientët e tjerë»,—shkruante gazeta The Sydney Morning Herald më 2 tetor 2012.
Artikulli citonte fjalët e profesorit Xhejms Isbister nga Universiteti i Mjekësisë i Sidneit: «Profesor Isbisteri tha se Dëshmitarët e Jehovait trajtoheshin më me kujdes nga mjekët me qëllim që [pacientët Dëshmitarë] të mos humbisnin gjak. Si rezultat kishin përqindje më të lartë mbijetese dhe rrinin më pak në reanimacion e spital, sesa pacientët që merrnin gjak gjatë operacionit.»
Doktor Isbisteri nuk është i vetmi që ka këtë pikëpamje. Për pacientët Dëshmitarë që bëjnë ndërhyrje kirurgjikale në zemër, revista Archives of Internal Medicine, 13-27 gusht 2012, thoshte: «Dëshmitarët kishin më pak ndërlikime akute dhe qëndronin më pak në spital, sesa pacientët me të njëjtat simptoma e rrethana që u bëhej transfuzion.»