Çfarë është Pashka?
Përgjigjja e Biblës
Pashka a është një festë judaike që përkujton çlirimin që u solli Perëndia izraelitëve nga skllavëria egjiptiane më 1513 p.e.s. Perëndia i urdhëroi izraelitët që ta kujtonin këtë ngjarje të rëndësishme çdo vit ditën e 14-të të muajit judaik abib, i cili më vonë u quajt nisan.—Dalja 12:42; Levitiku 23:5.
Pse quhej Pashkë?
Fjala «Pashkë» i referohet ngjarjes kur Perëndia i mbrojti izraelitët nga gjëma që solli vdekjen e çdo të parëlinduri të Egjiptit. (Dalja 12:27; 13:15) Përpara se Zoti të sillte këtë plagë shkretuese, u tha izraelitëve që të spërkatnin pjesën e sipërme të hyrjeve me gjakun e një qengji ose të një keci të therur. (Dalja 12:21, 22) Perëndia do ta shihte këtë shenjë e ‘do t’i kalonte’ shtëpitë e tyre, duke ua kursyer jetën të parëlindurve të tyre.—Dalja 12:7, 13.
Si kremtohej Pashka në kohët biblike?
Perëndia i udhëzoi izraelitët si të kremtonin Pashkën e parë. b Më poshtë renditen disa veçori të Pashkëve të përmendura në Bibël.
Flijimi: Familjet zgjidhnin një qengj njëvjeçar (ose kec) ditën e 10-të të muajit abib (nisan) dhe e thernin ditën e 14-të. Gjatë Pashkës së parë, izraelitët i spërkatën me gjak shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjeve të shtëpive, pastaj e poqën kafshën dhe e hëngrën.—Dalja 12:3-9.
Vakti: Përveç qengjit (ose kecit), izraelitët hanin kuleç të ndormë dhe barishte të hidhura si pjesë të vaktit të Pashkës.—Dalja 12:8.
Festa: Izraelitët e kremtonin Festën e Kuleçve të Ndormë për shtatë ditë me radhë pas Pashkës dhe gjatë kësaj kohe nuk hanin kuleç të ndormë.—Dalja 12:17-20; 2 Kronikave 30:21.
Mësimi: Prindërit e shfrytëzonin periudhën e Pashkës që t’i mësonin fëmijët për Perëndinë Jehova.—Dalja 12:25-27.
Udhëtimi: Më vonë izraelitët udhëtonin për në Jerusalem që të kremtonin Pashkën.—Ligji i përtërirë 16:5-7; Luka 2:41.
Zakone të tjera: Në ditët e Jezuit, gjatë kremtimit të Pashkës këndonin dhe pinin verë.—Mateu 26:19, 30; Luka 22:15-18.
Ide të gabuara për Pashkën
Ide e gabuar: Izraelitët e hëngrën vaktin e Pashkës më 15 nisan.
Fakt: Zoti i urdhëroi izraelitët ta thernin qengjin fill pas perëndimit të diellit më 14 nisan dhe ta hanin brenda së njëjtës natë. (Dalja 12:6, 8) Izraelitët e llogaritnin ditën nga mbrëmja deri mbrëmjen e së nesërmes. (Levitiku 23:32) Kështu, izraelitët therën qengjin dhe hëngrën vaktin e Pashkës në fillim të ditës së 14 nisanit.
Ide e gabuar: Të krishterët duhet ta festojnë Pashkën.
Fakt: Pasi Jezui kremtoi Pashkën më 14 nisan të vitit 33 të e.s, themeloi një kremtim të ri: Darkën e Zotërisë. (Luka 22:19, 20; 1 Korintasve 11:20) Kjo darkë zëvendësoi Pashkën, ngaqë përkujton flijimin e ‘Krishtit, [qengjit] të Pashkës’. (1 Korintasve 5:7) Flijimi shpërblyes i Jezuit qëndron shumë më lart se flijimi i Pashkës, sepse i çliron të gjithë njerëzit nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.—Mateu 20:28; Hebrenjve 9:15.
a Në këtë artikull, fjala Pashkë i referohet Pashkës Judaike, ose Festës së Kalimit, dhe jo Pashkës që feston sot shumica e të krishterëve.
b Megjithatë duheshin bërë disa ndryshime me kalimin e kohës. Për shembull, izraelitët e kremtuan «me nxitim» Pashkën e parë, sepse duhej të bëheshin gati për t’u larguar nga Egjipti. (Dalja 12:11) Por, kur arritën në Tokën e Premtuar, ata nuk kishin pse ta kremtonin më me nxitim.