Çfarë është qielli sipas Biblës?
Përgjigjja e Biblës
Fjala «qiell» ka tri kuptime kryesore në Bibël. Ajo përdoret: (1) për qiellin fizik; (2) për vendin ku banojnë krijesat qiellore dhe (3) për të simbolizuar një pozitë të lartë ose të ngritur. Në secilin rast, konteksti ndihmon për të përcaktuar kuptimin e saktë. a
Qielli fizik. Sipas këtij kuptimi, «qielli» i referohet atmosferës së tokës ku fryn era, ku fluturojnë zogjtë, ku formohet shiu e bora dhe ku shkreptijnë vetëtimat. (Psalmi 78:26; Proverbat 30:19; Isaia 55:10; Luka 17:24) Mund t’i referohet edhe hapësirës kozmike ku ndodhen ‘dielli, hëna dhe yjet’.—Ligji i përtërirë 4:19; Zanafilla 1:1.
Vendi ku banojnë krijesat qiellore. Fjala «qiell» u referohet edhe qiejve të padukshëm, ose vendit ku banojnë krijesat qiellore, të cilat janë një formë jete më e lartë, jashtë universit fizik. (1 Mbretërve 8:27; Gjoni 6:38) Në qiejt e padukshëm banojnë Perëndia Jehova, i cili është «Frymë», si edhe engjëjt që krijoi ai. (Gjoni 4:24; Mateu 24:36) Ndonjëherë «qiejt» personifikojnë engjëjt besnikë, «kongregacionin e të shenjtëve».—Psalmi 89:5-7.
Gjithashtu, Bibla e përdor fjalën «qiell» për t’iu referuar në mënyrë specifike pjesës së qiejve të padukshëm ku banon vetë Jehovai, pra «vendbanimit të tij». (1 Mbretërve 8:43, 49; Hebrenjve 9:24; Zbulesa 13:6) Për shembull, Bibla paratha se Satanai dhe demonët do të dëboheshin nga qielli e nuk do të lejoheshin më të hynin në praninë e Jehovait. Megjithatë, ata mbeten krijesa qiellore.—Zbulesa 12:7-9, 12.
Simboli i një pozite të lartë ose të ngritur. Në Shkrime fjala «qiell» përfaqëson një pozitë të lartësuar, që zakonisht lidhet me autoritetin qeverisës. Një pozitë të tillë mund ta ketë:
Vetë Perëndia Jehova, si Sovran i plotfuqishëm.—2 Kronikave 32:20; Luka 15:21.
Mbretëria e Perëndisë, qeveria që do të zëvendësojë sundimin njerëzor. Bibla i referohet kësaj Mbretërie si «qiej të rinj».—Isaia 65:17; 66:22; 2 Pjetrit 3:13. b
Të krishterët që, ndërsa janë në tokë, kanë shpresën të shkojnë në qiell.—Efesianëve 2:6.
Qeveritë njerëzore që e kanë lartësuar veten mbi shtetasit e tyre.—Isaia 14:12-14; Danieli 4:20-22; 2 Pjetrit 3:7.
Krijesat e liga qiellore që tani sundojnë mbi të gjithë botën.—Efesianëve 6:12; 1 Gjonit 5:19.
Çfarë ndodh në qiell?
Qielli i padukshëm është një vend ku gëlon aktiviteti. Aty jetojnë qindra milionë krijesa qiellore ‘që përmbushin fjalën’ e Jehovait.—Psalmi 103:20, 21; Danieli 7:10.
Bibla e përshkruan qiellin plot dritë e shkëlqim. (1 Timoteut 6:15, 16) Profeti Ezekiel pa në vegim qiellin që ‘shndriste’, kurse në vegimin e Danielit për qiellin përmendet «një rrëke zjarri». (Ezekieli 1:26-28; Danieli 7:9, 10) Qielli është i shenjtë, ose i pastër, dhe i bukur.—Psalmi 96:6; Isaia 63:15; Zbulesa 4:2, 3.
Ideja e përgjithshme që përçon Bibla për qiellin, është mbresëlënëse. (Ezekieli 43:2, 3) Gjithsesi, është e pamundur që njerëzit ta kuptojnë plotësisht qiellin, meqë qiejt e padukshëm shkojnë përtej perceptimit njerëzor.
a Fjala hebraike e përkthyer «qiell» me sa duket vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «e lartë» ose «e ngritur». (Proverbat 25:3) Shiko The New Brown, Driver, and Briggs Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, faqja 1029.
b Një enciklopedi pohon se qiejt e rinj tek Isaia 65:17 paraqesin «një qeveri të re, një mbretëri të re».—McClintock and Strong’s Cyclopedia, vëllimi IV, faqja 122.