Çfarë do të thotë të jesh i shenjtë?
Përgjigjja e Biblës
Të jesh i shenjtë, do të thotë të jesh i pandotur. Fjala hebraike që përkthehet «i shenjtë», vjen nga një term që ka kuptimin «i veçuar». Ja pse, ajo që është e shenjtë veçohet nga përdorimi i zakonshëm, ose konsiderohet e shenjtë, veçanërisht sepse është e pastër dhe e kulluar.
Perëndia është i shenjtë në shkallën më të lartë. Bibla thotë: «Nuk ka asnjë të shenjtë si Jehovai.» a (1 Samuelit 2:2) Ndaj me të drejtë, Perëndia e vendos standardin për atë që është e shenjtë.
Fjala «i shenjtë» mund të zbatohet për çdo gjë që lidhet drejtpërdrejt me Perëndinë, sidomos për gjërat që janë veçuar për t’u përdorur vetëm në adhurim. Për shembull, Bibla flet për:
Vende të shenjta: Perëndia i tha Moisiut pranë kaçubës që e kishte përfshirë zjarri: «Vendi ku po rri, është tokë e shenjtë.»—Dalja 3:2-5.
Raste të shenjta: Izraelitët e lashtë e adhuronin Jehovain në festa fetare që mbaheshin rregullisht e quheshin «asamble të shenjta».—Levitiku 23:37.
Objekte të shenjta: Objektet që përdoreshin në tempullin e lashtë në Jerusalem për adhurimin e Perëndisë quheshin ‘pajisje të shenjta’. (1 Mbretërve 8:4) Izraelitët duhej të tregonin respekt të madh për këto objekte, ama kurrë nuk duhej t’i adhuronin. b
A mund të jetë i shenjtë një njeri i papërsosur?
Po. Perëndia i urdhëron të krishterët: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» (1 Pjetrit 1:16) Sigurisht që njerëzit e papërsosur nuk mund ta arrijnë kurrë standardin e Tij të përsosur të shenjtërisë. Megjithatë, ata që u binden ligjeve të drejta të Perëndisë, mund të konsiderohen «të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë». (Romakëve 12:1) Kush bën çmos të jetë i shenjtë, e pasqyron këtë me anë të fjalëve dhe të veprimeve. Për shembull, ai ose ajo ndjek këshillat e Biblës që ‘të jetë i shenjtë e të rrijë larg nga kurvëria’, ose imoraliteti seksual, dhe ‘të bëhet i shenjtë në gjithë sjelljen e vet’.—1 Selanikasve 4:3; 1 Pjetrit 1:15.
A mund ta humbasë dikush qëndrimin e shenjtë para Perëndisë?
Po. Nëse dikush u kthen krahët normave të Perëndisë për sjelljen, nuk do të konsiderohet më i shenjtë në sytë e Tij. Për shembull, libri biblik i Hebrenjve u drejtohet ‘vëllezërve të shenjtë’ e megjithatë i paralajmëron se «duke u larguar nga Perëndia i gjallë», mund të zhvillonin ‘një zemër të ligë, që i mungonte besimi’.—Hebrenjve 3:1, 12.
Ide të gabuara rreth të qenët i shenjtë
Ide e gabuar: Mund të jesh i shenjtë nëse mohon veten.
Fakt: Bibla tregon se ‘trajtimi i ashpër i trupit’, ose vetëmohimi ekstrem, ‘nuk ka kurrfarë vlere’ për Perëndinë. (Kolosianëve 2:23) Përkundrazi, ai dëshiron që t’i shijojmë gjërat e mira. «Çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.»—Eklisiastiu 3:13.
Ide e gabuar: Celibati të bën më të shenjtë.
Fakt: Edhe pse një i krishterë mund të zgjedhë celibatin, pra, të qëndrojë beqar, kjo në vetvete nuk do të thotë se ka një qëndrim të shenjtë para Perëndisë. Është e vërtetë se ata që nuk martohen, mund t’i shërbejnë Perëndisë pa shpërqendrime. (1 Korintasve 7:32-34) Ama, Bibla tregon se edhe të martuarit mund të jenë të shenjtë. Në fakt, të paktën njëri prej apostujve të Jezuit, Pjetri, ishte i martuar.—Mateu 8:14; 1 Korintasve 9:5.
a Jehova është emri i Perëndisë. Në qindra vargje biblike ky emër shoqërohet me fjalët «i shenjtë» dhe «shenjtëri».
b Bibla e dënon adhurimin e objekteve fetare.—1 Korintasve 10:14.