Kalo te përmbajtja

Çfarë janë Dhjetë Urdhërimet e Perëndisë?

Çfarë janë Dhjetë Urdhërimet e Perëndisë?

Përgjigjja e Biblës

 Dhjetë Urdhërimet janë ligje që Perëndia ia dha kombit të lashtë të Izraelit. Njihen edhe si Dhjetë Fjalët, që është përkthimi literal i shprehjes hebraike ʽaséreth haddevarím. Kjo shprehje gjendet 3 herë te Pentateuku (Tora), pra te 5 librat e parë të Biblës. (Dalja 34:28; Ligji i përtërirë 4:13; 10:4) Nga shprehja ekuivalente në greqisht, déka (dhjetë) lógous (fjalë), ka ardhur termi «Dekalog».

 Perëndia i shkroi Dhjetë Urdhërimet në 2 pllaka guri. Pastaj ia dha Moisiut, profetit të tij, në malin Sinai. (Dalja 24:12-18) Dhjetë Urdhërimet renditen te Dalja 20:1-17 dhe te Ligji i përtërirë 5:6-21.

 Lista e Dhjetë Urdhërimeve

  1.   Adhuro vetëm Perëndinë Jehova.​—Dalja 20:3.

  2.   Mos praktiko idhujtarinë.​—Dalja 20:4-6.

  3.   Mos e zër në gojë kot emrin e Perëndisë.​—Dalja 20:7.

  4.   Mbaj sabatin.​—Dalja 20:8-11.

  5.   Ndero prindërit.​—Dalja 20:12.

  6.   Mos vrit.​—Dalja 20:13.

  7.   Mos kryej kurorëshkelje.​—Dalja 20:14.

  8.   Mos vidh.​—Dalja 20:15.

  9.   Mos jep dëshmi të rreme.​—Dalja 20:16.

  10.   Mos lakmo.​—Dalja 20:17.

 Pse ka lista të ndryshme për Dhjetë Urdhërimet?

 Bibla nuk i vë numër çdo urdhërimi. Si rrjedhojë ka mendime të ndryshme për renditjen e tyre. Lista e mësipërme është mënyra si renditen zakonisht. Gjithsesi, disa lista të Dhjetë Urdhërimeve kanë renditje të ndryshme. Këto ndryshime lidhen me urdhërimin e parë, të dytë dhe të fundit. a

 Pse u dhanë Dhjetë Urdhërimet?

 Ato ishin pjesë e Ligjit të Moisiut. Ai kod ligjor kishte mbi 600 urdhërime dhe përmbante kushtet e marrëveshjes ose të besëlidhjes që lidhi Perëndia me kombin e lashtë të Izraelit. (Dalja 34:27) Perëndia i premtoi popullit të Izraelit se do të kishte mbarësi po të zbatonte Ligjin e Moisiut. (Ligji i përtërirë 28:1-14) Gjithsesi, arsyeja kryesore pse u dha Ligji ishte që t’i përgatiste izraelitët për ardhjen e Mesisë së premtuar, Krishtit.​—Galatasve 3:24.

 A duhet t’i zbatojnë të krishterët Dhjetë Urdhërimet?

 Jo. Perëndia e dha Ligjin e tij, përfshirë Dhjetë Urdhërimet, apostafat për kombin e lashtë të Izraelit. (Ligji i përtërirë 5:2, 3; Psalmi 147:19, 20) Të krishterët nuk janë të detyruar të zbatojnë Ligjin e Moisiut, e madje edhe të krishterët judenj ‘u zgjidhën nga Ligji’. (Romakëve 7:6) b Ligji i Moisiut u zëvendësua nga «ligji i Krishtit» që përfshin çdo udhëzim që u dha Jezui dishepujve.​—Galatasve 6:2; Mateu 28:19, 20.

 A janë ende praktike Dhjetë Urdhërimet?

 Po. Dhjetë Urdhërimet zbulojnë mënyrën si mendon Perëndia, prandaj nxjerrim dobi nga studimi i tyre. (2 Timoteut 3:16, 17) Ato bazohen në parime të besueshme që nuk do të dalin kurrë nga moda. (Psalmi 111:7, 8) Në të vërtetë shumë nga këto parime janë baza e mësimeve të Dhiatës së Re, siç njihet gjerësisht.​—Shih « Parime të Dhjetë Urdhërimeve që pasqyrohen të Dhiata e Re».

 Jezui mësoi se gjithë Ligji i Moisiut, përfshirë Dhjetë Urdhërimet, bazohej mbi 2 urdhërime themelore. Ai tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.» (Mateu 22:34-40) Kështu, edhe pse të krishterët nuk kanë pse ta zbatojnë Ligjin e Moisiut, kanë urdhrin që të duan Perëndinë dhe të tjerët.​—Gjoni 13:34; 1 Gjonit 4:20, 21.

  Parime të Dhjetë Urdhërimeve që pasqyrohen të Dhiata e Re

Parimi

Referimi në Dhiatën e Re

Adhuro vetëm Perëndinë Jehova

Zbulesa 22:8, 9

Mos praktiko idhujtarinë

1 Korintasve 10:14

Ndero emrin e Perëndisë

Mateu 6:9

Adhuroje rregullisht Perëndinë

Hebrenjve 10:24, 25

Ndero prindërit

Efesianëve 6:1, 2

Mos vrit

1 Gjonit 3:15

Mos kryej kurorëshkelje

Hebrenjve 13:4

Mos vidh

Efesianëve 4:28

Mos jep dëshmi të rreme

Efesianëve 4:25

Mos lakmo

Luka 12:15

a Tradita judaike e rendit «Da[ljen] 20:2 si ‘fjalën’ [urdhërimin] e parë, dhe vargjet 3-6 si një të vetme, d.m.th. si të dytën». (The Jewish Encyclopedia) Nga ana tjetër, katolikët i konsiderojnë vargjet 1-6 të Daljes 20 si një urdhërim të vetëm. Kështu, urdhërimi për të mos e përdorur kot emrin e Zotit renditet i dyti. Që të kenë 10 urdhërime, e ndajnë në 2 urdhërime ligjin e fundit ku thuhet mos lakmo gruan e tjetrit dhe zotërimet e tjetrit.

b Te Romakëve 7:7 përmendet urdhërimi i dhjetë si shembull i ‘Ligjit’. Kjo vërteton se Dhjetë Urdhërimet ishin pjesë e Ligjit të Moisiut.