A do të shkatërrohet toka?
Përgjigjja e Biblës
Jo, planeti Tokë nuk do të shkatërrohet kurrë, as do të digjet në zjarr dhe as do të zëvendësohet. Bibla mëson se Perëndia e krijoi tokën që të banohet përgjithmonë.
«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.
‘Perëndia e vendosi tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.’—Psalmi 104:5.
«Toka qëndron përjetë.»—Eklisiastiu 1:4.
«Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, . . . nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej.»—Isaia 45:18.
A do ta shkatërrojnë njerëzit tokën?
Perëndia nuk do t’i lejojë njerëzit që ta shkatërrojnë plotësisht tokën nëpërmjet ndotjes, luftërave a ndonjë mënyre tjetër. Përkundrazi ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Si do ta bëjë këtë?
Ai do të zëvendësojë qeveritë njerëzore, të cilat kanë qenë të paafta për ta mbrojtur tokën, me një Mbretëri qiellore të përsosur. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Kjo Mbretëri do të qeveriset nga Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. (Isaia 9:6, 7) Kur ishte në tokë, Jezui ushtroi fuqi të jashtëzakonshme mbi elementët e natyrës. (Marku 4:35-41) Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, do t’i ketë plotësisht nën kontroll tokën dhe elementët e natyrës. Ai do t’i përtërijë kushtet në tokë, duke i bërë njësoj si ato që kanë ekzistuar në kopshtin e Edenit.—Mateu 19:28; Luka 23:43.
A nuk mëson Bibla se toka do të digjet me zjarr?
Jo, aspak. Shpesh kjo ide e gabuar vjen ngaqë keqkuptohen fjalët që gjenden te 2 Pjetrit 3:7: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin.» Shqyrto dy aspekte të rëndësishme që na ndihmojnë të kuptojmë domethënien e këtyre fjalëve.
Në Bibël, fjalët «qiej», «tokë» dhe «zjarr» kanë më shumë se një kuptim. Për shembull, te Zanafilla 11:1 thuhet: «Gjithë toka kishte vetëm një gjuhë.» Këtu fjala «tokë» i referohet shoqërisë njerëzore.
Konteksti i 2 Pjetrit 3:7 na ndihmon të kuptojmë domethënien e qiejve, të tokës dhe të zjarrit që përmenden në këtë varg. Vargjet 5 dhe 6 bëjnë një paralele me Përmbytjen e ditëve të Noesë. Në atë rast mori fund një botë e lashtë, ama planeti ynë nuk u zhduk. Përkundrazi, Përmbytja fshiu tej një shoqëri, ose ‘tokë’, të dhunshme. (Zanafilla 6:11) Gjithashtu shkatërroi edhe «qiejt», që simbolizonin sundimtarët e asaj shoqërie njerëzore. Kështu, ata që u shkatërruan, ishin njerëzit e ligj dhe jo planeti ynë. Noeja dhe familja e tij i mbijetuan shkatërrimit të asaj bote dhe banuan në tokë pas Përmbytjes.—Zanafilla 8:15-18.
Ashtu si ujërat e Përmbytjes, shkatërrimi, ose «zjarri», që përmendet te 2 Pjetrit 3:7 lidhet me fundin e njerëzve të ligj dhe jo me planetin Tokë. Perëndia premton «qiej të rinj e një tokë të re» ku «do të banojë drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) ‘Toka e re’, ose shoqëria e re njerëzore, do të qeveriset nga «qiej të rinj», ose një qeveri e re—Mbretëria e Perëndisë. Nën qeverisjen e kësaj Mbretërie, toka do të bëhet një parajsë ku do të mbizotërojë paqja.—Zbulesa 21:1-4.