A duhet të adhurojmë shëmbëlltyra?
Përgjigjja e Biblës
Jo, nuk duhet. Duke folur për ligjet që Perëndia i dha kombit të Izraelit, një enciklopedi vëren: «Nga tregime të ndryshme biblike del qartë se adhurimi i vërtetë i Perëndisë bëhej pa shëmbëlltyra.» (New Catholic Encyclopedia) Shqyrto këto vargje biblike:
«Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» (Dalja 20:4, 5) Nëse Perëndia kërkon ‘t’i përkushtohemi vetëm atij’, kjo do të thotë se nuk i pëlqen që të lëvdojmë ose të adhurojmë shëmbëlltyra, figura, idhuj, ikona, shtatore ose simbole.
‘Lavdinë time nuk do t’ua jap shëmbëlltyrave të gdhendura.’ (Isaia 42:8) Perëndia nuk e pranon adhurimin nëpërmjet shëmbëlltyrave. Kur disa izraelitë u përpoqën ta adhuronin duke përdorur shtatoren e një viçi, Perëndia tha se kishin bërë «një mëkat të tmerrshëm».—Dalja 32:7-9, Easy-to-Read Version.
«Të mos mendojmë se Hyjnori i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të latuar me art a një sajese njeriu.» (Veprat 17:29) Krejt ndryshe nga adhurimi pagan që shpesh përdor shëmbëlltyrën e ‘diçkaje të latuar me art a të një sajese njeriu’, Bibla thotë se të krishterët duhet ‘të ecin me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet’.—2 Korintasve 5:7.
«Ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Në urdhrat që iu dhanë edhe kombit të Izraelit, edhe të krishterëve, Bibla vazhdimisht e demaskon si të pavërtetë mësimin që Perëndia e miraton përdorimin e shëmbëlltyrave dhe të ikonave në adhurim.