A ekziston ferri? Çfarë thotë Bibla për ferrin?
Përgjigjja e Biblës
Disa përkthime të Biblës, si për shembull, Përkthimi i Dom Simon Filipajt, përdorin fjalën «ferr» në disa vargje. (Proverbat 7:27; Mateu 5:30) Siç tregohet edhe nga figura në këtë artikull, e cila bazohet në disa mësime fetare, shumë njerëz besojnë se ferri është një vend me zjarr të përjetshëm ku ndëshkohen të ligjtë. Por, a e mëson vërtet Bibla këtë?
Në këtë artikull
A është ferri një vend ku njerëzit mundohen përjetësisht?
Jo. Fjalët «Sheol» në hebraisht dhe «Hades» në greqisht, pra, në gjuhët në të cilat u shkrua Bibla në fillim, në disa versione të Biblës janë përkthyer «ferr». Mirëpo, në thelb, këto fjalë do të thonë «varr», domethënë varri i përbashkët i njerëzimit. Bibla shpjegon se njerëzit që janë në «varr», thjesht nuk ekzistojnë më.
Të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe nuk mund të ndiejnë dhimbje. «Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu 9:10, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar) Pra, Sheoli, ose ferri, siç e kanë përkthyer disa, nuk është një vend me njerëz që ulërijnë nga dhimbjet. Përkundrazi, Bibla thotë: «U pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol [«ferr», 30:18, Douay-Rheims].»—Psalmi 31:17; Dio; Psalmi 115:17.
Si dënim për mëkatin, Perëndia ka caktuar vdekjen, jo mundimin në një ferr të zjarrtë. Zoti i tha njeriut të parë, Adamit, se po të shkelte ligjin e Tij, Adami do të vdiste. (Zanafilla 2:17) Zoti nuk përmendi fare tortura të përjetshme në ferr. Më vonë, pasi Adami mëkatoi, Perëndia i shpalli dënimin me këto fjalë: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Adami thjesht nuk do të ekzistonte më. Nëse Perëndia do ta çonte Adamin në një ferr të zjarrtë, me siguri do ta përmendte. Edhe sot Zoti nuk e ka ndryshuar dënimin për shkeljen e ligjeve të tij. Qindra vite më vonë pas mëkatit të Adamit, Perëndia frymëzoi një shkrimtar të Biblës të thoshte: «Paga që paguan mëkati, është vdekja.» (Romakëve 6:23) Nuk nevojitet një ndëshkim i mëtejshëm, sepse «kush ka vdekur, është shfajësuar nga mëkati i vet».—Romakëve 6:7.
Ideja e torturave të përhershme është e neveritshme për Zotin. (Jeremia 32:35) Ajo bie ndesh me mësimin e Biblës se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ai dëshiron që ta adhurojmë të motivuar nga dashuria, jo nga frika se mos torturohemi përjetësisht.—Mateu 22:36-38.
Njerëz të mirë shkuan në ferr. Ato Bibla që fjalën Sheol e kanë përkthyer «ferr», tregojnë se edhe njerëz si Jakobi dhe Jobi, pritnin të shkonin në ferr. (Zanafilla 37:35; Jobi 14:13) Madje, edhe për Jezu Krishtin thuhet se ka pritur në ferr, ose në Hades, pasi vdiq dhe para se të ringjallej. (Veprat 2:31, 32) Pra, kuptohet qartë se fjala «ferr» që është përdorur në disa Bibla, ka thjesht kuptimin Varr. a
A e mbështet idenë e ferrit shëmbëlltyra e Jezuit për njeriun e pasur dhe Lazarin?
Këtë shëmbëlltyrë e tregoi Jezui dhe është dokumentuar te Luka 16:19-31. Shëmbëlltyrat janë tregime që na mësojnë parime morale ose pikëpamjen e Perëndisë për çështje të ndryshme. Shëmbëlltyra për të pasurin dhe Lazarin nuk ishte një ngjarje reale. (Mateu 13:34) Për të ditur më shumë rreth kësaj shëmbëlltyre, shih artikullin «Cilët ishin njeriu i pasur dhe Lazari?»
A përfaqëson ferri ndarjen nga Perëndia?
Jo. Mësimi se të vdekurit janë të vetëdijshëm se janë të ndarë nga Perëndia, bie në kundërshtim me Biblën, e cila mëson qartë se të vdekurit janë plotësisht të pavetëdijshëm.—Psalmi 146:3, 4; Eklisiastiu 9:5.
A është kthyer ndokush nga ferri?
Po. Bibla përmban tregime të hollësishme për nëntë njerëz që përfunduan në Varr (që në disa Bibla e kanë përkthyer «ferr») dhe u kthyen përsëri në jetë nëpërmjet ringjalljes. b Nëse ata do të kishin qenë të vetëdijshëm në ferr, me siguri do të kishin folur për të dhe për gjërat që kishin përjetuar atje. Mirëpo është interesante që asnjë prej tyre nuk tha se kishte përjetuar tortura a diçka tjetër. Pse? Siç mëson Bibla në secilin rast, ata kishin qenë të pavetëdijshëm, si në një «gjumë» të thellë.—Gjoni 11:11-14; 1 Korintasve 15:3-6.