A ndryshon mendje Zoti?
Përgjigjja e Biblës
Po, në kuptimin që ndryshon qëndrim kur njerëzit ndryshojnë sjellje. Për shembull, kur Perëndia i dërgoi një mesazh gjykimi popullit të lashtë të Izraelit, ai tha: «Ndoshta do të dëgjojnë, e secili do të kthehet nga udha e vet e ligë, dhe mua do të më vijë keq [ose: ndryshoj mendje] për gjëmën që kam ndër mend t’u bëj, për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre.»—Jeremia 26:3.
Shumë përkthime të Biblës e përkthejnë këtë varg sikur Perëndia po thoshte se ‘do të pendohej’ për gjëmën që kishte ndër mend të bënte, dhe kjo mund të merret sikur ai kishte bërë një gabim. Megjithatë, fjala e përdorur në hebraisht mund të ketë kuptimin «ndryshim mendjeje ose qëllimi». Një studiues shkroi: «Ndryshimi i sjelljes së dikujt, sjell ndryshimin e gjykimit të Perëndisë.»
Sigurisht, vetëm se Zoti mund të ndryshojë mendje nuk do të thotë se duhet ta ndryshojë patjetër. Shqyrto disa situata në Bibël ku ai nuk ka ndryshuar mendje:
Perëndia nuk lejoi që Balaku t’ia ndryshonte mendjen dhe të mallkonte kombin e Izraelit.—Numrat 23:18-20.
Kur u bë e qartë se Sauli, mbreti i Izraelit, nuk po hiqte dorë nga e keqja, Perëndia nuk ndryshoi mendje dhe e hodhi poshtë si mbret.—1 Samuelit 15:28, 29.
Zoti do ta çojë deri në fund premtimin për ta bërë Birin e tij prift përgjithmonë. Ai nuk do të ndryshojë mendje.—Psalmi 110:4.
A nuk thotë Bibla se Perëndia nuk ndryshon kurrë?
Po, në Bibël Perëndia thotë këto fjalë: «Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.» (Malakia 3:6, Diodati i Ri) Po kështu, Bibla tregon se Perëndia «nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit». (Jakovi 1:17) Por kjo nuk bie në kundërshtim me vargjet e Biblës që thonë se Perëndia ndryshon mendje. Ai është i pandryshueshëm në kuptimin që nuk ndryshon kurrë personalitetin dhe normat e dashurisë e të drejtësisë. (Ligji i përtërirë 32:4; 1 Gjonit 4:8) Prapëseprapë, ai mund të japë udhëzime të ndryshme për njerëz në kohë të ndryshme. Për shembull, Perëndia i dha udhëzime të ndryshme mbretit David për dy beteja të njëpasnjëshme, dhe në të dyja doli fitimtar.—2 Samuelit 5:18-25.
A është penduar Perëndia që krijoi njerëzit?
Jo, megjithëse i vjen keq që shumica e njerëzve e shpërfillin dhe e hedhin poshtë. Duke përshkruar kushtet para Përmbytjes globale në kohën e Noesë, Bibla thotë: «Jehovait i erdhi keq që kishte bërë njerëz në tokë, dhe u hidhërua në zemër.» (Zanafilla 6:6) Në këtë varg, shprehja «i erdhi keq» vjen nga fjala hebraike që mund të ketë kuptimin «ndryshim mendjeje». Perëndia ndryshoi mendje për shumicën e njerëzve që jetuan para Përmbytjes sepse u bënë të këqij. (Zanafilla 6:5, 11) Edhe pse u hidhërua në zemër që ata zgjodhën të ndiqnin udhën e keqe, nuk ndryshoi qëndrimin ndaj gjithë racës njerëzore. Në fakt, ai e ruajti racën njerëzore gjatë Përmbytjes duke mbrojtur Noenë dhe familjen e tij.—Zanafilla 8:21; 2 Pjetrit 2:5, 9.