A shkojnë në qiell kafshët?
Përgjigjja e Biblës
Bibla mëson se, nga të gjitha krijesat e tokës, vetëm një numër i përcaktuar njerëzish do të shkojnë në qiell. (Zbulesa 14:1, 3) Ata shkojnë në qiell si mbretër dhe priftërinj, dhe këto role i kryejnë bashkë me Jezuin. (Luka 22:28-30; Zbulesa 5:9, 10) Shumica dërrmuese e njerëzve do të ringjallen në parajsën në tokë.—Psalmi 37:11, 29.
Asgjëkundi në Bibël nuk flitet për një qiell ku shkojnë kafshët ose qentë—dhe kjo për arsye me vend. Kafshët s’i bëjnë dot hapat e nevojshëm që i kualifikojnë për ‘thirrjen qiellore’. (Hebrenjve 3:1) Këta hapa përfshijnë: të marrësh njohuri për Perëndinë, të ushtrosh besim dhe t’u bindesh urdhrave të tij. (Mateu 19:17; Gjoni 3:16; 17:3) Vetëm njerëzit u krijuan me perspektivën e jetës së përhershme.—Zanafilla 2:16, 17; 3:22, 23.
Që të shkojnë në qiell, krijesat tokësore duhet të ringjallen. (1 Korintasve 15:42) Bibla përmend disa ringjallje. (1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Luka 7:11-15; 8:41, 42, 49-56; Gjoni 11:38-44; Veprat 9:36-42; 20:7-12) Por, në të gjitha rastet, u ringjallën njerëz dhe jo kafshë.
A kanë shpirt kafshët?
Jo. Bibla thotë se, si kafshët, edhe njerëzit janë shpirtra. (Numrat 31:28) Kur njeriu i parë, Adami, u krijua, nuk iu dha një shpirt po «u bë një shpirt i gjallë». (Zanafilla 2:7) Shpirti përbëhet nga dy gjëra: «pluhuri i tokës» dhe ‘fryma e jetës’.
A vdes shpirti?
Po, Bibla mëson se shpirti vdes. (Levitiku 21:11; Ezekieli 18:20) Kur njerëzit vdesin dhe kafshët ngordhin, kthehen në pluhurin e tokës. (Eklisiastiu 3:19, 20) Me fjalë të tjera, nuk ekzistojnë më. a
A mëkatojnë kafshët?
Jo. Të mëkatosh do të thotë të mendosh, të ndiesh dhe të bësh diçka që shkel standardet e Perëndisë. Që të arrijë të mëkatojë, një krijesë duhet të jetë në gjendje të marrë vendime morale, aftësi që kafshët nuk e kanë. Zakonisht veprojnë në bazë të instinktit dhe jetojnë për njëfarë kohe. (2 Pjetrit 2:12) Në fund të jetës ngordhin, ndonëse nuk kanë mëkatuar.
A është e pranueshme mizoria ndaj kafshëve?
Jo. Perëndia u dha njerëzve pushtet mbi kafshët, por jo të drejtën për t’i keqtrajtuar. (Zanafilla 1:28; Psalmi 8:6-8) Perëndia kujdeset për mirëqenien e secilës kafshë—përfshirë zogjtë e vegjël. (Jonai 4:11; Mateu 10:29) Ai i urdhëroi adhuruesit e tij që t’i trajtonin kafshët me kujdes.—Dalja 23:12; Ligji i përtërirë 25:4; Proverbat 12:10.
a Për më shumë informacion, shih kapitullin 6 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?