Kush ose çfarë është «Alfa dhe Omega»?
Përgjigjja e Biblës
Shprehja «Alfa dhe Omega» i referohet Perëndisë Jehova, të Plotfuqishmit. Ajo del tri herë në Bibël.—Zbulesa 1:8; 21:6; 22:13. a
Pse Perëndia e quan veten «Alfa dhe Omega»?
Alfa dhe omega janë përkatësisht shkronja e parë dhe e fundit e alfabetit grek, gjuha në të cilën u shkrua ajo pjesë e Biblës që njihet si Dhiata e Re, ku përfshihet edhe libri i Zbulesës. Vendet respektive të këtyre shkronjave në alfabetin grek përdoren për të ilustruar se vetëm Jehovai është fillimi dhe fundi. (Zbulesa 21:6) Ai ishte Perëndi i Plotfuqishëm në të shkuarën e pafundme dhe do të vazhdojë të jetë Perëndi i Plotfuqishëm në përjetësi. Është i vetmi i cili ka ekzistuar «mot e jetë».—Psalmi 90:2.
Kush është «i pari dhe i fundit»?
Këtë shprehje Bibla e përdor si për Perëndinë Jehova, edhe për Birin e tij, Jezuin, ama me kuptime të ndryshme. Shqyrto dy shembuj.
Tek Isaia 44:6, Jehovai thotë: «Unë jam i pari dhe i fundit, dhe veç meje nuk ka tjetër Perëndi.» Këtu Jehovai po thekson se ai është Perëndia i përjetshëm dhe i vërtetë; veç tij nuk ka tjetër. (Ligji i përtërirë 4:35, 39) Ja pse në këtë rast shprehja «i pari dhe i fundit» ka të njëjtin kuptim si «Alfa dhe Omega».
Gjithashtu, shprehja «i Pari [prótos, jo alfa] dhe i Fundit [éskhatos, jo omega]» del te Zbulesa 1:17, 18 dhe 2:8. Sipas kontekstit, këto vargje flasin për atë që vdiq e që më vonë u kthye në jetë. Ndaj është e pamundur t’i referohen Perëndisë, pasi ai nuk ka vdekur kurrë. (Habakuku 1:12) Ndërsa Jezui vdiq dhe u ringjall. (Veprat 3:13-15) Ai ishte njeriu i parë që u ringjall si krijesë engjëllore e pavdekshme në qiell, ku jeton «në jetë të jetëve». (Zbulesa 1:18; Kolosianëve 1:18) Të gjitha ringjalljet e tjera do t’i bëjë Jezui. (Gjoni 6:40, 44) Pra ishte i fundit që e ringjalli drejtpërdrejt Jehovai. (Veprat 10:40) Në këtë kuptim, Jezui mund të quhet me të drejtë «i Pari dhe i Fundit».
A provon Zbulesa 22:13 se Jezui është «Alfa dhe Omega»?
Jo. Te Zbulesa 22:13 nuk dihet me saktësi se kush po flet dhe në këtë kapitull flasin persona të ndryshëm. Duke komentuar për këtë pjesë të Zbulesës, profesor Uilliam Barkli, shkroi: «Gjërat nuk janë shkruar sipas një radhe të qartë; . . . dhe shpesh është goxha e vështirë të përcaktosh me saktësi kush po flet vërtet.» (The Revelation of John, Vëllimi 2, Botimi i rishikuar, faqja 223) Ja pse mund të themi se shprehja «Alfa dhe Omega» te Zbulesa 22:13 i referohet të njëjtit Person që mban këtë titull edhe në vargjet e tjera të Zbulesës—Perëndisë Jehova.
a Në Biblën Diodati i Ri kjo shprehje del edhe një herë tjetër te Zbulesa 1:11. Megjithatë, në përkthimet më moderne shprehja në këtë varg është hequr, pasi nuk gjendet në dorëshkrimet më të vjetra greke. Pra, me sa duket është shtuar në kopjet e mëvonshme të Shkrimeve.