Kalo te përmbajtja

Çfarë është Arka e besëlidhjes?

Çfarë është Arka e besëlidhjes?

Përgjigjja e Biblës

 Arka e besëlidhjes ishte një sënduk i shenjtë që izraelitët e bënë me urdhër të Perëndisë dhe sipas përshkrimit të tij. Brenda saj ruheshin «dy pllakat e Dëshmisë», pllaka guri ku ishin shkruar Dhjetë Urdhërimet.​—Dalja 25:​8-​10, 16; 31:18.

  •   Ndërtimi. Arka ishte 2,5 kute e gjatë, 1,5 kute e gjerë dhe 1,5 kute e lartë (111 cm x 67 cm x 67 cm). U ndërtua me dru akacieje, u vesh me ar jashtë e brenda dhe kishte një bordurë me punim artistik. Kapaku ishte i gjithi prej ari dhe në anët e tij kishte dy kerubinë të artë të vendosur përballë njëri tjetrit, me fytyrë nga kapaku, me krahët të shtrirë e të ngritur lart, sikur i bënin hije. Mbi katër këmbët e saj kishte katër unaza ari. Në unaza ishin fiksuar shufrat me dru akacieje të larë me ar për të mbartur arkën.​—Dalja 25:10-​21; 37:​6-9.

  •   Vendi ku mbahej. Në fillim Arka u mbajt në ndarjen e Më të Shenjtës në tabernakull, një tendë adhurimi e transportueshme që u bë në të njëjtën kohë me Arkën. Hyrja e Më të Shenjtës ishte e ndarë me perde që të mos shihnin priftërinjtë e të tjerët. (Dalja 40:​3, 21) Vetëm kryeprifti mund të hynte tek ajo ndarje një ditë në vit, Ditën e Shlyerjes, dhe mund të shihte Arkën. (Levitiku 16:2; Hebrenjve 9:7) Më vonë Arka u çua në Më të Shenjtën e tempullit të Solomonit.​—1 Mbretërve 6:​14, 19.

  •   Qëllimi. Në Arkë ruheshin sende të shenjta që u kujtonin izraelitëve besëlidhjen, ose marrëveshjen, që Zoti kishte bërë me ta në malin Sinai. Ajo kishte një rol të rëndësishëm edhe gjatë ceremonisë Ditën e Shlyerjes.​—Levitiku 16:​3, 13-17.

  •   Sendet brenda saj. Pllakat prej guri me Dhjetë Urdhërimet ishin të parat që u futën në Arkë. (Dalja 40:20) Më vonë u fut edhe një enë e artë me manë dhe «shkopi i Aaronit që lëshoi sythe». (Hebrenjve 9:4; Dalja 16:33, 34; Numrat 17:10) Me sa duket, enën dhe shkopin i kanë hequr në një moment që nuk dihet, sepse nuk ishin në Arkë kur e futën në tempull.​—1 Mbretërve 8:9.

  •   Transporti. Arka duhej transportuar nga levitët, të cilët e mbanin mbi supe me anë të shufrave prej akacieje. (Numrat 7:9; 1 Kronikave 15:15) Shufrat ishin fiksuar tek Arka, kështu levitët s’kishin pse ta preknin Arkën. (Dalja 25:12-​16) ‘Perdja ndarëse’ midis Të Shenjtës dhe Më të Shenjtës përdorej për të mbuluar Arkën kur e transportonin.​—Numrat 4:​5, 6. a

  •   Çfarë simbolizonte. Arka simbolizonte praninë e Perëndisë. Për shembull, reja që shfaqej mbi Arkë në Më të Shenjtën dhe mbi kampin e izraelitëve ishte shenjë e pranisë dhe e bekimit të Jehovait. (Levitiku 16:2; Numrat 10:33-​36) Bibla thotë edhe se Jehovai «[rrinte] ulur mbi kerubinët», duke iu referuar dy kerubinëve mbi kapakun e Arkës. (1 Samuelit 4:4; Psalmi 80:1) Pra, këta kerubinë ishin ‘paraqitje e karrocës’ së Jehovait. (1 Kronikave 28:18) Nisur nga ajo që simbolizonte Arka, mbreti David shkroi se Jehovai ‘banonte në Sion’ kur Arka ishte transferuar atje.​—Psalmi 9:​11.

  •   Përshkrimi. Bibla përdor një sërë emërtimesh për këtë sënduk të shenjtë, si ‘arka e dëshmisë’, ‘arka e besëlidhjes’, ‘arka e Jehovait’ dhe ‘Arka e forcës [së Jehovait]’.​—Numrat 7:​89; Josiu 3:​6, 13; 2 Kronikave 6:​41.

     Kapaku i Arkës quhej ‘kapaku i pajtuesit’ ose «kapaku i mëshirës». (1 Kronikave 28:11; King James Version) Quhet kështu për rolin e veçantë të kapakut Ditën e Shlyerjes, kur kryeprifti i Izraelit spërkaste gjakun e kafshëve të flijuara në drejtim të kapakut dhe para tij. Me këto veprime, kryeprifti bënte pajtimin, ose mbulimin e mëkateve, «për veten, për shtëpinë e tij dhe për tërë kongregacionin e Izraelit».​—Levitiku 16:14-​17.

A ekziston sot arka e besëlidhjes?

 Nuk ka asnjë provë që ekziston. Bibla tregon se Arka nuk është më e nevojshme, sepse besëlidhja që lidhej me të është zëvendësuar me «një besëlidhje të re», që bazohet në flijimin e Jezuit. (Jeremia 31:31-​33; Hebrenjve 8:​13; 12:24) Pra, Bibla paratha se do të vinte koha që arka e besëlidhjes nuk do të ekzistonte më, e megjithatë populli i Perëndisë nuk do t’ia ndiente mungesën.​—Jeremia 3:​16.

 Në një vegim që iu dha apostullit Gjon pasi u bë besëlidhja e re, arka u shfaq në qiell. (Zbulesa 11:15, 19) Kjo Arkë simbolike paraqet praninë e Perëndisë dhe bekimin e tij për besëlidhjen e re.

A shërbente Arka si një lloj hajmalie fatsjellëse?

 Jo. Të kishe arkën e besëlidhjes nuk ishte garanci për sukses. Për shembull, izraelitët e kishin Arkën në kamp kur sulmuan qytetin e Ait, e megjithatë pësuan humbje sepse një nga izraelitët u tregua jobesnik. (Josiu 7:​1-6) Më vonë u mundën nga filistinët edhe pse e kishin marrë arkën e besëlidhjes në fushën e betejës. U mundën për shkak të ligësisë së priftërinjve izraelitë Hofni e Finehas. (1 Samuelit 2:​12; 4:​1-​11) Në atë betejë filistinët e morën si plaçkë lufte Arkën, por Zoti i goditi me plagë derisa e kthyen në Izrael.​—1 Samuelit 5:11–6:​5.

Historia e arkës së besëlidhjes

Viti (p.e.s.)

Ngjarja

1513

E bëri Bezaleli dhe ndihmësit e tij me materialet që kishin dhënë si kontribut izraelitët.​—Dalja 25:​1, 2; 37:1.

1512

U përurua nga Moisiu bashkë me tabernakullin dhe priftërinë.​—Dalja 40:​1-3, 9, 20, 21.

1512​—pas 1070-s

U transferua në vende të ndryshme.​—Josiu 18:1; Gjykatësit 20:26, 27; 1 Samuelit 1:​24; 3:3; 6:​11-​14; 7:​1, 2.

Pas 1070-s

Mbreti David e çon në Jerusalem.​—2 Samuelit 6:​12.

1026

E çojnë në tempullin e Solomonit në Jerusalem.​—1 Mbretërve 8:​1, 6.

642

Mbreti Josia e kthen në tempull.​—2 Kronikave 35:3. b

Para 607-s

Me sa duket ishte hequr nga tempulli, sepse nuk përmendet në inventarin e sendeve të marra nga Babilonia kur u shkatërrua tempulli më 607 p.e.s. e as në inventarin e sendeve që u kthyen në Jerusalem.​—2 Mbretërve 25:13-​17; Ezdra 1:​7-​11.

63

Deklarohet e humbur nga gjenerali romak Pompei kur pushtoi Jerusalemin dhe inspektoi Më të Shenjtën e tempullit. c

a Izraelitët patën pasoja serioze kur nuk iu bindën ligjit të Zotit për transportimin dhe mbulimin e Arkës.​—1 Samuelit 6:​19; 2 Samuelit 6:​2-7.

b Bibla nuk thotë kur, pse dhe kush e kishte hequr.

c Shih The Histories, nga Taciti, libri V, paragrafi 9.