«Besimi te Jezui»—A mjafton për të shpëtuar?
Përgjigjja e Biblës
Të krishterët besojnë se Jezui vdiq për mëkatet e njerëzve. (1 Pjetrit 3:18) Megjithatë, për të shpëtuar, nuk mjafton të besojmë se Jezui është Shpëtimtari. Edhe demonët e dinë që Jezui është «Biri i Perëndisë», ama i pret shkatërrimi, jo shpëtimi.—Luka 4:41; Juda 6.
Çfarë duhet të bësh që të shpëtosh?
Duhet të besosh se Jezui dha jetën për mëkatet tona. (Veprat 16:30, 31; 1 Gjonit 2:2) Kjo përfshin të besosh se Jezui ka ekzistuar vërtet dhe se gjithçka që thotë Bibla për të, është e saktë.
Shqyrto çfarë mëson vërtet Bibla. (2 Timoteut 3:15) Bibla tregon se apostulli Pavël dhe Sila i thanë një roje burgu: «Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh.» Pastaj nisën t’i mësonin «fjalën e Jehovait». a (Veprat 16:31, 32) Kjo tregon se roja nuk mund të besonte vërtet te Jezui po të mos kuptonte mësimet themelore të Fjalës së Perëndisë. Ai duhej të kishte njohuri të saktë nga Shkrimet.—1 Timoteut 2:3, 4.
Pendohu. (Veprat 3:19) Duhet edhe të pendohesh, pra të të vijë shumë keq për mendimet ose për veprimet e gabuara të së kaluarës. Pendimi yt duket qartë kur lë pas gjërat që s’i pëlqejnë Perëndisë dhe bën «vepra të denja për pendim».—Veprat 26:20.
Pagëzohu. (Mateu 28:19) Jezui tha se ata që do të bëheshin dishepuj të tij, duhej të pagëzoheshin. Edhe roja i përmendur më sipër, u pagëzua. (Veprat 16:33) Gjithashtu, kur apostulli Pjetër i mësoi të vërtetën për Jezuin një turme të madhe, «ata që i pranuan me gëzim fjalët e tij, u pagëzuan».—Veprat 2:40, 41.
Bindju urdhrave të Jezuit. (Hebrenjve 5:9) Dishepujt e Jezuit «zbatojnë të gjitha gjërat» që urdhëroi ai. (Mateu 28:20) Ata bëhen «zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues».—Jakovi 1:22.
Qëndro deri në fund. (Marku 13:13) Që të shpëtojnë, dishepujt e Jezuit ‘kanë nevojë për qëndrueshmëri’. (Hebrenjve 10:36) Për shembull, apostulli Pavël iu bind plotësisht mësimeve të Jezuit dhe i qëndroi besnik Perëndisë. Që nga momenti kur u bë i krishterë e derisa vdiq, ai nuk devijoi kurrë nga kjo udhë.—1 Korintasve 9:27.
A garanton shpëtim «lutja e mëkatarit»?
Besimtarë nga fe të ndryshme bëjnë lutje që quhen «lutja e mëkatarit» dhe «lutja e shpëtimit». Zakonisht, në këto lutje pranojnë se janë mëkatarë dhe shprehin besimin se Jezui vdiq për mëkatet e tyre. Madje i kërkojnë që të hyjë në zemrën dhe në jetën e tyre. Por, Bibla as e përmend «lutjen e mëkatarit», e as nënkupton që ne duhet të përsëritim si formulë këtë lutje.
Disa mendojnë se po të bëjnë «lutjen e mëkatarit», e kanë të garantuar shpëtimin e përhershëm. Mirëpo, asnjë lutje nuk garanton shpëtim. Si njerëz të papërsosur, bëjmë gjithmonë gabime. (1 Gjonit 1:8) Ja pse Jezui i mësoi dishepujt të luteshin rregullisht që t’u faleshin mëkatet. (Luka 11:2, 4) Përveç kësaj, disa të krishterë që shpresonin të shpëtonin përgjithmonë, e humbën këtë perspektivë, sepse u larguan nga Perëndia.—Hebrenjve 6:4-6; 2 Pjetrit 2:20, 21.
Cila është origjina e «lutjes së mëkatarit»?
Historianët s’bien dakord për origjinën e «lutjes së mëkatarit». Disa mendojnë se kjo traditë ka nisur në periudhën e Reformës Protestante që filloi më 1517. Të tjerë besojnë se njerëzit filluan ta përdornin «lutjen e mëkatarit» gjatë lëvizjeve fetare të shekujve të 18-të dhe të 19-të. Sidoqoftë, kjo praktikë nuk bazohet në Bibël, madje bie në kundërshtim me mësimet e saj.
a Jehova është emri i Zotit siç tregohet në Bibël.