Çfarë është beteja e Harmagedonit?
Përgjigjja e Biblës
Beteja e Harmagedonit i referohet luftës përfundimtare mes qeverive njerëzore dhe Perëndisë. Edhe tani këto qeveri dhe përkrahësit e tyre i kundërvihen Perëndisë duke mos pranuar t’i nënshtrohen sundimit të tij. (Psalmi 2:2) Beteja e Harmagedonit do t’i japë fund sundimit njerëzor.—Danieli 2:44.
Fjala «Harmagedon» gjendet vetëm një herë në Bibël, te Zbulesa 16:16. Në mënyrë profetike, Zbulesa tregon se «në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon», «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm».—Zbulesa 16:14.
Kush do të luftojë në Harmagedon? Jezu Krishti do t’i prijë një ushtrie qiellore për të mposhtur armiqtë e Perëndisë. (Zbulesa 19:11-16, 19-21) Te këta armiq përfshihen ata që i kundërvihen autoritetit të Perëndisë dhe që tregojnë përçmim ndaj tij.—Ezekieli 39:7.
A do të bëhet beteja e Harmagedonit në Lindjen e Mesme? Jo. Në vend që të kufizohet në një zonë të vetme, beteja e Harmagedonit do të përfshijë gjithë tokën.—Jeremia 25:32-34; Ezekieli 39:17-20.
Harmagedoni, që ndonjëherë përkthehet edhe Armagedon (në hebraisht Har Megiddóhn), do të thotë «mali i Megidos». Një herë e një kohë, Megidoja ishte një qytet i Izraelit të lashtë. Sipas historisë, në rrethinat e tij janë bërë beteja vendimtare, ku përfshihen edhe disa që janë dokumentuar në Bibël. (Gjykatësit 5:19, 20; 2 Mbretërve 9:27; 23:29) Gjithsesi, Harmagedoni nuk mund t’i referohet zonës së mirëfilltë afër Megidos së lashtë. Atje nuk ka asnjë mal të madh, madje as tërë ultësira e Jezreelit aty pranë nuk mund t’i nxërë të gjithë ata që do të luftojnë kundër Perëndisë. Në të vërtetë, Harmagedoni është ngjarja mbarëbotërore ku fuqitë politike do të mblidhen për t’iu kundërvënë për herë të fundit sundimit të Perëndisë.
Si do të jetë beteja e Harmagedonit? Ne nuk e dimë si do ta përdorë Perëndia fuqinë e tij, megjithatë ai do të ketë në dispozicion armë që i ka përdorur edhe në të kaluarën, si për shembull, breshër, tërmete, rrebesh përmbytës, zjarr dhe squfur, vetëtima dhe sëmundje. (Jobi 38:22, 23; Ezekieli 38:19, 22; Habakuku 3:10, 11; Zakaria 14:12) Në rrëmujë e sipër, të paktën disa nga armiqtë e Perëndisë do të vrasin njëri-tjetrin. Por në fund do ta kuptojnë se është Perëndia ai që po lufton kundër tyre.—Ezekieli 38:21, 23; Zakaria 14:13.
A do të sjellë Harmagedoni fundin e botës? Ai nuk do të sjellë fundin e planetit tonë, pasi toka është shtëpia e përjetshme e njerëzimit. (Psalmi 37:29; 96:10; Eklisiastiu 1:4) Harmagedoni nuk do ta shkatërrojë njerëzimin, por do ta shpëtojë, sepse ‘një shumicë e madhe’ me shërbëtorë të Perëndisë do të mbijetojë.—Zbulesa 7:9, 14; Psalmi 37:34.
Fjala «botë» nuk i referohet vetëm tokës. Ndonjëherë në Bibël, ajo i referohet shoqërisë së ligë njerëzore që i kundërvihet Perëndisë. (1 Gjonit 2:15-17) Në këtë kuptim, Harmagedoni do të jetë koha «e mbarimit të botës».—Mateu 24:3, Diodati i Ri.
Kur do të ndodhë Harmagedoni? Duke folur për ‘shtrëngimin e madh’ që do të arrijë kulmin në betejën e Harmagedonit, Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:21, 36) Megjithatë, Bibla tregon se Harmagedoni do të ndodhë gjatë pranisë së padukshme të Jezuit, e cila filloi në vitin 1914.—Mateu 24:37-39.