Çfarë thotë Bibla për kremimin?
Përgjigjja e Biblës
Bibla nuk jep një drejtim të qartë për kremimin, pra për djegien e kufomës në kremator. Në të nuk ka ndonjë urdhërim as për varrosjen dhe as për kremimin e të vdekurve.
Ama, Bibla flet për disa raste kur shërbëtorë besnikë të Perëndisë varrosën të afërmit e vdekur. Për shembull, Abrahami bëri goxha përpjekje të gjente një vend ku të varroste të shoqen, Sarën.—Zanafilla 23:2-20; 49:29-32.
Gjithashtu, Bibla përmend edhe individë besnikë që i dogjën trupat e të ndjerëve. Për shembull, kur Sauli, mbreti i Izraelit, dhe tre nga djemtë e tij u vranë në betejë, trupat e tyre mbetën fillimisht në territorin armik, ku u trajtuan në mënyrë poshtëruese. Kur e morën vesh këtë, disa luftëtarë izraelitë besnikë shkuan të merrnin trupat e Saulit dhe të djemve të tij, i dogjën dhe më pas i varrosën. (1 Samuelit 31:8-13) Bibla lë të kuptohet se mënyra si u veprua me kufomat e atyre burrave, ishte e pranueshme.—2 Samuelit 2:4-6.
Ide të gabuara të përhapura për kremimin
Ide e gabuar: Kremimi çnderon trupin.
Fakt: Bibla thotë se kush vdes, kthehet në pluhur, dhe kjo ndodh natyrshëm pas dekompozimit të kufomës. (Zanafilla 3:19) Kremimi e përshpejton këtë proces, duke e kthyer trupin në hi, ose në pluhur.
Ide e gabuar: Në kohët biblike, pas vdekjes digjeshin vetëm ata që nuk kishin miratimin e Zotit.
Fakt: Është e vërtetë se trupat e pajetë të disa njerëzve jobesnikë, si të Akanit dhe të familjes të tij, u dogjën. (Josiu 7:25) Megjithatë, ky ishte një përjashtim. (Ligji i përtërirë 21:22, 23) Siç e pamë më lart, edhe trupat e disa besnikëve u dogjën pas vdekjes, si në rastin e Jonatanit, djalit të mbretit Saul.
Ide e gabuar: Nëse kufoma digjet, Zoti nuk e ringjall dot atë person.
Fakt: Për sa i përket ringjalljes, për Perëndinë nuk ka rëndësi nëse trupi i një njeriu është varrosur, është djegur në kremator, ka humbur në det apo e kanë ngrënë kafshët e egra. (Zbulesa 20:13) I Plotfuqishmi mund të ribëjë fare lehtë një trup të ri për të.—1 Korintasve 15:35, 38.