Çfarë thotë Bibla për transfuzionet e gjakut?
Përgjigjja e Biblës
Bibla urdhëron të mos futim gjak në trup. Prandaj, nuk duhet të pranojmë as gjak komplet, as përbërësit e tij kryesorë në ndonjë formë, qoftë si ushqim, qoftë si transfuzion. Shqyrto shkrimet e mëposhtme:
Zanafilla 9:4. Pas Përmbytjes, Perëndia e lejoi Noenë dhe familjen e tij të hanin mishin e kafshëve, por i urdhëroi të mos hanin gjakun. Perëndia i tha Noesë: «Vetëm mos e hani mishin me shpirtin e tij, domethënë me gjakun e tij.» Ky urdhër është për tërë njerëzimin që prej asaj kohe, sepse të gjithë janë pasardhës të Noesë.
Levitiku 17:14. «Mos hani gjakun e asnjë gjallese, sepse shpirti i çdo gjallese është gjaku i saj. Kushdo që e ha, do të shfaroset.» Sipas Perëndisë, shpirti, ose jeta, ishte në gjak dhe i përkiste atij. Ndonëse ky ligj iu dha vetëm kombit të Izraelit, ai tregon se ligji kundër ngrënies së gjakut ishte shumë serioz për Perëndinë.
Veprat 15:20. ‘Rrini larg nga gjaku.’ Perëndia u dha të krishterëve të njëjtin urdhër që i kishte dhënë Noesë. Historia tregon se të krishterët e hershëm nuk pranonin të konsumonin gjak, madje as ta përdornin për arsye mjekësore.
Pse na urdhëron Perëndia të rrimë larg nga gjaku?
Mjekësia ka treguar se transfuzionet e gjakut janë të rrezikshme për shëndetin tonë. Por, ç’është më e rëndësishmja, Perëndia urdhëron të rrimë larg nga gjaku, sepse ajo që përfaqëson gjaku, është e shenjtë për të.—Levitiku 17:11; Kolosianëve 1:20.