Çfarë thotë Bibla për hakmarrjen?
Përgjigjja e Biblës
Edhe pse dikush mund të mendojë se ka të drejtë të marrë hak, kjo bie në kundërshtim me këshillën e Biblës: «Mos thuaj: ‘Si ma bëri, ashtu do t’ia bëj. Do t’ia kthej me të njëjtën monedhë.’» (Proverbat 24:29) Këshillat e Biblës kanë ndihmuar shumë veta ta mposhtin dëshirën për hakmarrje.
Në këtë artikull do të shohim:
Ç’të keqe ka të marrësh hak?
Nëse dikush të ka fyer ose të ka bërë keq, është më se normale të zemërohesh dhe të dëshirosh që personi të ndëshkohet për atë që të ka bërë. Megjithatë ta marrësh ti situatën në dorë e të marrësh hak, bie në kundërshtim me atë që thotë Bibla. Pse?
Ndonjëherë njerëzit përpiqen t’i lajnë vetë hesapet, por kjo nuk i pëlqen Perëndisë Jehova, a i cili jep këtë shpjegim në Bibël: «Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj.» (Romakëve 12:19) Bibla i nxit ata që janë trajtuar padrejtësisht që, kur është e mundur, të kërkojnë mënyra paqësore për të zgjidhur problemin në vend që të përpiqen me çdo kusht të hakmerren. (Romakëve 12:18) Por ç’të themi nëse nuk ekziston ndonjë mënyrë paqësore për ta zgjidhur problemin ose nëse ke provuar gjithçka që kishe në dorë, por më kot? Shkrimet na nxitin që të besojmë te Jehovai dhe t’ia lëmë në dorë atij të vërë plotësisht në vend drejtësinë.—Psalmi 42:10, 11.
Si e ekzekuton Perëndia ndëshkimin?
Sot për sot, Zoti lejon që qeveritë njerëzore të ndëshkojnë fajtorët. (Romakëve 13:1-4) Më vonë, ai vetë do t’u japë ndëshkimin e merituar të gjithë atyre që kanë kryer mizori dhe do të çrrënjosë të gjitha vuajtjet njëherë e përgjithmonë.—Isaia 11:4.
Si ta mposht dëshirën për të marrë hak?
Mos vepro nxitimthi. (Proverbat 17:27) Njerëzit që nuk e mbajnë nën fre zemërimin, bëjnë gjëra për të cilat pendohen më vonë. Kurse ata që lënë kohë të mendohen para se të reagojnë, ka të ngjarë të marrin vendime më të mençura.—Proverbat 29:11.
Mëso faktet. (Proverbat 18:13) Nëse të kanë bërë ndonjë padrejtësi, bën mirë të pyesësh veten: «A ka faktorë ose hollësi që nuk i di dhe që mund të shpjegojnë pse ka vepruar ashtu tjetri? Mos ai po kalon ndonjë situatë shumë stresuese? Mos ndoshta ka vepruar nga padija?» Ndonjëherë ai që duket si një veprim me motive të këqija, mund të jetë thjesht një gabim i paqëllimshëm.
Ide të gabuara për hakmarrjen
Ide e gabuar: Ligji «sy për sy» që gjendet në Bibël tregon se Bibla u jep të drejtë njerëzve të marrin hak.—Levitiku 24:20.
Fakt: Ligji «sy për sy» që ekzistonte në Izraelin e lashtë, kishte si qëllim të frenonte hakmarrjen personale. Ai ligj ishte për të ndihmuar gjykatësit të jepnin ndëshkimin e duhur. b—Ligji i përtërirë 19:15-21.
Ide e gabuar: Meqë Bibla nuk u jep të drejtë njerëzve të hakmerren, atëherë s’mund ta mbrojmë veten kur na sulmojnë.
Fakt: Kur e sulmojnë, një individ ka të drejtë të mbrojë veten ose të kërkojë ndihmën e autoriteteve. Megjithatë, Bibla na këshillon që, nëse është e mundur, të shmangim konfliktet e dhunshme.—Proverbat 17:14.
a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.
b Për ta kuptuar më shumë këtë ligj, shih artikullin «Cili është kuptimi i ligjit ‘sy për sy’?»