Çfarë thotë Bibla për Danielin?
Përgjigjja e Biblës
Danieli ishte një profet i shquar jude që jetoi gjatë shekullit të shtatë dhe të gjashtë p.e.s. Perëndia i dha aftësinë që të interpretonte ëndrrat, i dha vegime për ngjarje të së ardhmes dhe e frymëzoi të shkruante një libër të Biblës që mban emrin e vetë profetit.—Danieli 1:17; 2:19.
Kush ishte Danieli?
Danieli u rrit në Judë, një mbretëri ku ndodhej qyteti i Jerusalemit dhe tempulli i judenjve. Më 617 p.e.s., mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, pushtoi Jerusalemin dhe çoi në mërgim në Babiloni «të parët e vendit». (2 Mbretërve 24:15; Danieli 1:1) Edhe Danielin, që do të ketë qenë adoleshent në atë kohë, e çuan në mërgim me ta.
Danielin dhe disa të rinj të tjerë (mes tyre Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja) i çuan në pallatin e Babilonisë që t’u jepnin stërvitje speciale për të shërbyer në qeveri. Edhe pse u ushtruan presion që të bënin kompromis me besimin e tyre, Danieli dhe tre shokët e tij i qëndruan besnikë Perëndisë së tyre, Jehovait. (Danieli 1:3-8) Pasi u stërvitën për tre vjet, mbreti Nabukodonosor i lavdëroi për mençurinë dhe aftësitë e tyre dhe arriti në përfundimin se «në mbarë mbretërinë e tij ata ishin dhjetë herë më mirë se gjithë priftërinjtë që merreshin me magji dhe ndjellësit e frymërave». Mbreti caktoi Danielin dhe shokët e tij që të shërbenin në oborrin mbretëror.—Danieli 1:18-20.
Dekada më vonë, kur Danieli mund të ketë qenë te të 90-at, e thirrën në pallat. Një mbret me emrin Belshazar, që në atë kohë sundonte në Babiloni, i kërkoi Danielit të interpretonte shkrimin me dorë që u shfaq në mënyrë misterioze në mur. Me anë të drejtimit hyjnor, Danieli zbuloi se Babilonia do të pushtohej nga Perandoria Medo-Perse. Babilonia u pushtua po atë natë.—Danieli 5:1, 13-31.
Tani, nën sundimin medo-pers, Danieli u emërua zyrtar i lartë dhe mbreti Dar po mendonte t’i jepte edhe më shumë autoritet. (Danieli 6:1-3) Mirëpo disa zyrtarë xhelozë thurën një komplot për ta vrarë Danielin. Ata e hodhën në gropën e luanëve, por Jehovai e shpëtoi. (Danieli 6:4-23) Aty nga fundi i jetës, Danielit iu shfaq një engjëll që e siguroi dy herë se Danieli ishte «njeri shumë i vyer».—Danieli 10:11, 19.
Shiko një dramatizim të gjallë të këtyre ngjarjeve në dramën me dy pjesë të bazuar në Bibël, me titull: Danieli—Një jetë e tërë plot besim.