Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për dinozaurët?

Çfarë thotë Bibla për dinozaurët?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla nuk i përmend drejtpërdrejt dinozaurët. Megjithatë thotë se Perëndisë i takon merita për ‘krijimin e gjithçkaje’, prandaj është e qartë se dinozaurët ishin mes gjërave të krijuara. a (Zbulesa 4:11) Edhe pse Bibla nuk i përmend në mënyrë specifike, ajo flet për grupe krijesash ku mund të përfshihen dinozaurët.

A evoluan dinozaurët nga kafshët e tjera?

 Provat fosile tregojnë se dinozaurët u shfaqën papritur dhe jo gradualisht nëpërmjet evolucionit. Kjo është në përputhje me pohimet biblike, sipas të cilave të gjitha kafshët i krijoi Perëndia. Për shembull, Psalmi 146:6 e përshkruan Perëndinë si Ai «që bëri qiellin dhe tokën, detin dhe gjithçka është në ta».

Kur jetuan dinozaurët?

 Bibla tregon se kafshët e detit dhe të tokës u krijuan gjatë ditës, ose epokës, së pestë e të gjashtë të krijimit. b (Zanafilla 1:20-25, 31) Prandaj, Bibla përcjell idenë se dinozaurët kanë ekzistuar për një periudhë të gjatë kohe.

A ishin dinozaurë Behemothi dhe Leviathani?

 Jo. Edhe pse këto kafshë të përmendura te libri i Jobit nuk mund të identifikohen me siguri, në përgjithësi, Behemothi është identifikuar si hipopotami, ndërsa Leviathani si krokodili. Këto emërtime përputhen me mënyrën si përshkruhen në Shkrime. (Jobi 40:15-23; 41:1, 14-17, 31) Sido që të jetë, termat «Behemoth» dhe «Leviathan» nuk mund t’u referohen dinozaurëve. Perëndia i tha Jobit t’i vëzhgonte këto kafshë, dhe Jobi jetoi shumë kohë pasi dinozaurët ishin zhdukur.​—Jobi 40:16; 41:8.

Ç’ndodhi me dinozaurët?

 Bibla nuk flet për zhdukjen e tyre. Megjithatë thotë se të gjitha gjërat u krijuan «falë vullnetit [të Perëndisë]», pra ishte e qartë se Ai kishte një qëllim pse i krijoi dinozaurët. (Zbulesa 4:11) Kur u përmbush ky qëllim, Perëndia lejoi të zhdukeshin.

a Dëshmitë fosile provojnë se dinozaurët kanë ekzistuar. Në fakt, fosilet dëshmojnë se për njëfarë kohe kanë ekzistuar shumë dinozaurë të formave e të përmasave nga më të ndryshmet.

b Në Bibël, fjala «ditë» mund t’u referohet periudhave kohore që zgjatin mijëra vjet.​—Zanafilla 1:31; 2:1-4; Hebrenjve 4:4, 11.