Çfarë mund të mësojmë nga gratë që përmend Bibla?
Përgjigjja e Biblës
Në Bibël lexojmë për shumë gra, prej të cilave nxjerrim mësime të vlefshme. (Romakëve 15:4; 2 Timoteut 3:16, 17) Ky artikull flet shkurtimisht vetëm për disa. Mjaft prej tyre janë një shembull i shkëlqyer për t’u imituar, të tjera janë një paralajmërim për ne.—1 Korintasve 10:11; Hebrenjve 6:12.
Abigaila
Kush ishte Abigaila? Gruaja e Nabalit, një njeriu të pasur por shumë të egër. Megjithatë, Abigaila ishte e matur, e përulur, e bukur dhe kishte cilësi që e gëzonin Perëndinë.—1 Samuelit 25:3.
Për çfarë njihet? Abigaila veproi me mençuri dhe me maturi, që të shmangte gjëmën. Ajo dhe Nabali jetonin në rajonin ku ishte fshehur Davidi, mbreti i ardhshëm i Izraelit. Në atë kohë Davidi me luftëtarët e tij mbronin kopenë e Nabalit nga hajdutët. Ama, kur lajmëtarët e Davidit i kërkuan Nabalit ca ushqim, ky i fyeu dhe nuk u dha asgjë. Davidi u tërbua, dhe bashkë me luftëtarët u nis të vriste Nabalin dhe gjithë meshkujt e shtëpisë së tij.—1 Samuelit 25:10-12, 22.
Me të marrë vesh ç’kishte bërë i shoqi, Abigaila veproi pa humbur kohë. U dha shërbëtorëve ushqim që t’ia çonin Davidit dhe luftëtarëve të tij. Pastaj u nis edhe vetë t’i përgjërohej Davidit për mëshirë. (1 Samuelit 25:14-19, 24-31) Davidi pa dhuratën që i kishte dërguar Abigaila, dalloi sa e përulur ishte dhe dëgjoi këshillën e saj të mençur. Atëherë e kuptoi se nëpërmjet saj Perëndia po parandalonte një tragjedi. (1 Samuelit 25:32, 33) Nabali vdiq pas disa ditësh dhe Abigaila u bë gruaja e Davidit.—1 Samuelit 25:37-41.
Ç’mund të mësojmë nga Abigaila? Edhe pse e pasur dhe e bukur, ajo nuk mendonte se ishte më lart se të tjerët. Për hir të paqes, ishte gati të kërkonte falje, edhe pse s’kishte faj. Abigaila ruajti qetësinë në një situatë të tensionuar dhe e përballoi me takt, me guxim dhe me zgjuarsi.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Abigailës, mund të lexoni artikullin «Ajo veproi me maturi».
Debora
Kush ishte Debora? Profeteshë, të cilën Jehovai, Perëndia i Izraelit, e caktoi që t’i tregonte popullit vullnetin e tij. Gjithashtu, me anë të saj Perëndia zgjidhte problemet mes izraelitëve.—Gjykatësit 4:4, 5.
Për çfarë njihet? Profetesha Debora i mbështeti me guxim adhuruesit e Perëndisë. Nën drejtimin e Jehovait, thirri Barakun dhe i tha të udhëhiqte ushtrinë izraelite kundër armiqve kananitë. (Gjykatësit 4:6, 7) Kur Baraku i kërkoi Deborës të shkonte me të, ajo nuk u frikësua, por pranoi me gatishmëri.—Gjykatësit 4:8, 9.
Pasi Perëndia u dha një fitore vendimtare izraelitëve, Debora kompozoi të paktën një pjesë të këngës për këtë fitore, të cilën e këndoi bashkë me Barakun. Në këtë këngë përmendi edhe rolin e Jaelës, një tjetër grua sypatrembur.—Gjykatësit, kapitulli 5.
Ç’mund të mësojmë nga Debora? Debora ishte e guximshme dhe kishte shpirtin e sakrificës. Nxiste të tjerët të bënin atë që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë dhe nuk ua kursente lavdërimet kur vepronin kështu.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Deborës, mund të lexoni artikullin «U ngrita si nënë në Izrael».
Delila
Kush ishte Delila? Gruaja me të cilën ra në dashuri Samsoni, gjykatësi i Izraelit.—Gjykatësit 16:4, 5.
Për çfarë njihet? Ajo pranoi pará nga zyrtarë filistinë që të tradhtonte Samsonin, njeriun që Perëndia kishte zgjedhur për të çliruar izraelitët nga filistinët. Ata nuk e mposhtnin dot për shkak të forcës fizike të jashtëzakonshme që vinte nga Perëndia. (Gjykatësit 13:5) Prandaj, filistinët kërkuan ndihmën e Delilës.
I dhanë ryshfet asaj që të gjente sekretin e fuqisë së Samsonit. Delila i pranoi paratë dhe pas disa përpjekjesh e zbuloi sekretin e tij. (Gjykatësit 16:15-17) Pastaj ua tregoi filistinëve, të cilët e kapën Samsonin dhe e burgosën.—Gjykatësit 16:18-21.
Ç’mund të mësojmë nga Delila? Shembulli i saj është një paralajmërim për ne. E verbuar nga lakmia, mashtroi, tradhtoi dhe u tregua egoiste me një shërbëtor të Perëndisë Jehova.
Estera
Kush ishte Estera? Judeje e zgjedhur nga mbreti pers Asuer, për t’u bërë mbretëresha e tij.
Për çfarë njihet? Mbretëresha Ester përdori pozitën që kishte, për të ndaluar gjenocidin ndaj popullit të saj. Ajo mori vesh për një dekret që urdhëronte vrasjen e të gjithë judenjve që jetonin në Perandorinë Perse, në një ditë të vetme. Këtë plan të lig e kishte ideuar Hamani, kryeministri. (Estera 3:13-15; 4:1, 5) Duke vënë në rrezik jetën, Estera ia tregoi këtë plan mbretit Asuer. Për këtë e ndihmoi Mordekai, kushëriri i saj i madh. (Estera 4:10-16; 7:1-10) Pastaj Asueri u dha leje Esterës dhe Mordekait të nxirrnin një dekret të ri që i autorizonte judenjtë të mbronin veten. Kështu, ata i shfarosën armiqtë.—Estera 8:5-11; 9:16, 17.
Ç’mund të mësojmë nga Estera? Mbretëresha Ester na la një shembull të jashtëzakonshëm guximi, përulësie dhe modestie. (Psalmi 31:24; Filipianëve 2:3) Pavarësisht nga bukuria e pozita, me përulësi kërkoi drejtim dhe ndihmë. Të shoqit i fliste me takt e me respekt, ama plot kurajë. Dhe, në një kohë tepër të rrezikshme për judenjtë, me guxim u identifikua si një prej tyre.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Esterës, mund të lexoni artikujt «Ajo mbrojti popullin e Perëndisë» dhe «Ajo veproi me mençuri, me guxim dhe me altruizëm».
Eva
Kush ishte Eva? Gruaja e parë në tokë dhe gruaja e parë që përmend Bibla.
Për çfarë njihet? Eva shkeli një urdhër të qartë të Perëndisë. Njësoj si bashkëshorti i saj Adami, u krijua e përsosur, me vullnet të lirë dhe me aftësinë për të zhvilluar cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, si dashuria dhe mençuria. (Zanafilla 1:27) Eva e dinte se Perëndia i kishte thënë Adamit se, po të hanin nga një pemë e veçantë, do të vdisnin. Mirëpo, Satanai e bëri të besonte se nuk do të vdiste. Madje i kurdisi një rreng që ajo të mendonte se do të jetonte më mirë po të mos i bindej Perëndisë. Ndaj hëngri frytin, pastaj shtyu edhe burrin e saj ta hante.—Zanafilla 3:1-6; 1 Timoteut 2:14.
Ç’mund të mësojmë nga Eva? Shembulli i saj na paralajmëron për rrezikun që vjen kur e mbajmë mendjen te dëshirat e gabuara. Në kundërshtim me urdhrin e Perëndisë, ajo zhvilloi një dëshirë të fortë për atë që nuk i përkiste.—Zanafilla 3:6; 1 Gjonit 2:16.
Gruaja e Lotit
Kush ishte gruaja e Lotit? Bibla nuk e përmend emrin e saj. Por na tregon se kishte dy vajza dhe se jetonin familjarisht në qytetin e Sodomës.—Zanafilla 19:1, 15.
Për çfarë njihet? Gruaja e Lotit nuk iu bind një urdhri të Perëndisë. Ai kishte vendosur të shkatërronte Sodomën dhe qytetet fqinje, për shkak të imoralitetit të rëndë seksual. Perëndia e donte shumë Lotin dhe familjen e tij, që jetonin në Sodomë, prandaj dërgoi dy engjëj që t’i nxirrnin jashtë qytetit shëndoshë e mirë.—Zanafilla 18:20; 19:1, 12, 13.
Engjëjt i thanë familjes së Lotit të largoheshin e të mos shihnin pas, përndryshe do të vdisnin. (Zanafilla 19:17) Por gruaja e Lotit ktheu kokën pas «dhe u bë një shtyllë kripe».—Zanafilla 19:26.
Ç’mund të mësojmë nga gruaja e Lotit? Nëse jemi tepër të fiksuar pas gjërave materiale, rrezikojmë të mos i bindemi Perëndisë. Jezui e përmendi si një shembull paralajmërues kur tha: «Kujtoni gruan e Lotit.»—Luka 17:32.
Hana
Kush ishte Hana? Gruaja e Elkanahut dhe nëna e Samuelit, i cili u bë profet i mirënjohur në Izraelin e lashtë.—1 Samuelit 1:1, 2, 4-7.
Për çfarë njihet? Ngaqë Hana nuk lindte fëmijë, iu lut Perëndisë për ngushëllim. Përveç saj, i shoqi kishte edhe një grua tjetër, Peninën, me të cilën kishte disa fëmijë. Hana s’kishte fëmijë, edhe pse ishte martuar prej vitesh. Penina e acaronte keqas, mirëpo Hana i lutej Perëndisë për ngushëllim. Ajo u zotua se po të kishte një djalë, do t’ia jepte Perëndisë që t’i shërbente në tabernakull, një tendë adhurimi e transportueshme që përdornin izraelitët.—1 Samuelit 1:11.
Perëndia iu përgjigj lutjes së saj dhe ajo lindi një djalë që e quajti Samuel. Hana e mbajti premtimin dhe e çoi Samuelin të shërbente në tabernakull që kur ishte i vogël. (1 Samuelit 1:27, 28) Vit pas viti bënte një veshje të bukur për Samuelin dhe ia çonte. Me kohë Perëndia e bekoi Hanën me 5 fëmijë të tjerë, 3 djem dhe 2 vajza.—1 Samuelit 2:18-21.
Ç’mund të mësojmë nga Hana? Lutjet me gjithë zemër e ndihmuan të përballonte vështirësitë. Lutja e saj e falënderimit, e regjistruar te 1 Samuelit 2:1-10, tregon sa shumë besim kishte te Perëndia.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Hanës, mund të lexoni artikullin «Ajo ia hapi zemrën Perëndisë në lutje».
▸ Për të mësuar pse Perëndia e toleroi poligaminë mes popullit të tij në lashtësi, mund të lexoni artikullin «A e miraton Perëndia poligaminë?», Kulla e Rojës, 1 korrik 2019, fq. 30.
Jaela
Kush ishte Jaela? Gruaja e Heberit, një joizraeliti, e cila plot guxim mbrojti popullin e Perëndisë.
Për çfarë njihet? Jaela veproi me vendosmëri kur në kampin e saj erdhi Sisera, kreu i ushtrisë kananite. Ai e kishte humbur betejën me Izraelin dhe po kërkonte një vend ku të fshihej e të pushonte. Jaela e ftoi Siserën në tendën e saj dhe, kur atë e zuri gjumi, e vrau.—Gjykatësit 4:17-21.
Ky veprim i Jaelës plotësoi profecinë e Deborës, që thoshte: «Jehovai do ta shesë Siserën në duart e një gruaje.» (Gjykatësit 4:9) Prandaj, Bibla e quan ‘fort të bekuar mes grave’.—Gjykatësit 5:24.
Ç’mund të mësojmë nga Jaela? Jaela ishte grua me iniciativë dhe e guximshme. Rasti i saj tregon se Perëndia mund t’i drejtojë gjërat, që të përmbushen profecitë.
Jezebela
Kush ishte Jezebela? Gruaja e Akabit, mbretit të Izraelit. Një joizraelite që nuk adhuronte Jehovain, por perëndinë e Kanaanit, Baalin.
Për çfarë njihet? Mbretëresha Jezebelë ishte prepotente, e pamëshirshme dhe e dhunshme. Ajo i bënte jehonë adhurimit të Baalit dhe imoralitetit që karakterizonte adhurimin e tij. Njëkohësisht bënte çmos ta zhdukte adhurimin e Perëndisë së vërtetë, Jehovait.—1 Mbretërve 18:4, 13; 19:1-3.
Jezebela mashtroi dhe vrau njerëz, për të plotësuar tekat e veta. (1 Mbretërve 21:8-16) Siç paratha Perëndia, ajo vdiq në mënyrë të dhunshme dhe nuk e varrosi njeri.—1 Mbretërve 21:23; 2 Mbretërve 9:10, 32-37.
Ç’mund të mësojmë nga Jezebela? Jezebela shërben si një paralajmërim për ne. Ishte kaq e pështirë dhe e paskrupull, saqë emri i saj u bë simbol i gruas së shfrenuar, të paturp dhe imorale.
Lea
Kush ishte Lea? Gruaja e parë e patriarkut Jakob. Rakela, motra e saj e vogël, ishte gruaja e tij e dytë.—Zanafilla 29:20-29.
Për çfarë njihet? Lea i lindi 6 djem Jakobit. (Rutha 4:11) Ai donte të martohej me Rakelën, jo me Lean. Mirëpo Labani, babai i tyre, i dha Lean në vend të Rakelës. Kur Jakobi e kuptoi që ai ia kishte punuar, u ballafaqua me të. Labani i tha se nuk ishte zakon të martonin vajzën e vogël para të madhes. Pas një jave Jakobi u martua me Rakelën.—Zanafilla 29:26-28.
Ai donte Rakelën më shumë se Lean. (Zanafilla 29:30) Prandaj, e shtyrë nga xhelozia, Lea nisi të garonte me të motrën, që të fitonte dashurinë e Jakobit. Perëndia u kushtoi vëmendje ndjenjave të Leas dhe e bekoi me 7 fëmijë, 6 djem dhe 1 vajzë.—Zanafilla 29:31.
Ç’mund të mësojmë nga Lea? Lea iu lut Perëndisë për mbështetje dhe e pa qartë dorën e tij, pavarësisht nga situata e tensionuar në familje. (Zanafilla 29:32-35; 30:20) Historia e saj tregon se poligamia shkakton shumë probleme, edhe pse Perëndia e lejoi për njëfarë kohe. Standardi i tij për martesën është një burrë dhe një grua.—Mateu 19:4-6.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Leas, mund të lexoni artikullin «Motrat e brengosura që ‘ndërtuan shtëpinë e Izraelit’», Kulla e Rojës, 1 tetor 2007, fq. 8.
▸ Për të mësuar pse Perëndia e toleroi poligaminë mes popullit të tij në lashtësi, mund të lexoni artikullin «A e miraton Perëndia poligaminë?», Kulla e Rojës, 1 korrik 2019, fq. 30
Marta
Kush ishte Marta? Motra e Lazarit dhe e Marisë. Të tre jetonin në Betani, fshat afër Jerusalemit.
Për çfarë njihet? Ajo gëzonte miqësi të ngushtë me Jezuin, i cili «e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin». (Gjoni 11:5) Marta ishte mikpritëse. Një herë, kur Jezui shkoi për vizitë në shtëpinë e tyre, Maria u ul ta dëgjonte, ndërsa Marta po merrej me punët e shtëpisë. Marta iu ankua Jezuit për të motrën që nuk po e ndihmonte. Por ai e korrigjoi me butësi.—Luka 10:38-42.
Kur Lazari u sëmur, Marta dhe Maria njoftuan Jezuin që të vinte, të sigurta se mund ta shëronte. (Gjoni 11:3, 21) Mjerisht Lazari vdiq. Biseda e Martës me Jezuin pasqyronte sigurinë te premtimi i Biblës për ringjalljen dhe te fuqia e Jezuit për t’ia kthyer në jetë të vëllanë.—Gjoni 11:20-27.
Ç’mund të mësojmë nga Marta? Ajo ishte shumë mikpritëse dhe i pranonte me gatishmëri këshillat. Gjithashtu fliste hapur për ndjenjat dhe për besimin e saj.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Martës, mund të lexoni artikullin «Unë kam besuar».
Maria (nëna e Jezuit)
Kush ishte Maria? Një e re judeje, e cila me anë të një mrekullie lindi Jezuin, Birin e Perëndisë, edhe pse ishte e virgjër.
Për çfarë njihet? Me përulësi, Maria bëri vullnetin e Perëndisë. Ajo ishte fejuar me Jozefin kur iu shfaq një engjëll dhe i tregoi se do të mbetej shtatzënë dhe se do të lindte Mesinë e shumëpritur. (Luka 1:26-33) Maria e pranoi me gatishmëri këtë rol. Përveç Jezuit, patën 4 djem dhe të paktën 2 vajza. Kështu që Maria nuk mbeti e virgjër. (Mateu 13:55, 56) Edhe pse kishte një privilegj unik, nuk kërkoi dhe nuk mori lëvdata, as kur Jezui shërbeu në tokë, as kur ishte pjesëtare e kongregacionit të hershëm të krishterë.
Ç’mund të mësojmë nga Maria? Maria ishte grua besnike që me gatishmëri pranoi një përgjegjësi të madhe. Ajo i njihte mirë Shkrimet. Për shembull, te fjalët e saj të dokumentuara te Luka 1:46-55, Maria citoi rreth 20 herë nga Shkrimet.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Marisë, mund të lexoni artikullin «Ç’mësojmë nga shembulli i Marisë?», Kulla e Rojës, 1 janar 2009, fq. 3.
Maria (motra e Martës dhe e Lazarit)
Kush ishte Maria? Ajo pati një miqësi të ngushtë me Jezuin, njësoj si i vëllai, Lazari, dhe e motra, Marta.
Për çfarë njihet? Maria e çmonte gjithnjë Jezuin si Bir të Perëndisë. Besonte se, nëse Jezui do të ishte aty, i vëllai Lazari, nuk do të vdiste. Më vonë, kur Jezui ringjalli Lazarin, ajo ishte e pranishme. Një herë, e motra, Marta, e kritikoi kur ajo vendosi të dëgjonte Jezuin në vend që ta ndihmonte me punët e shtëpisë. Mirëpo, Jezui e lavdëroi Marinë, ngaqë vlerësonte të vërtetat për Perëndinë më shumë se çdo gjë tjetër.—Luka 10:38-42.
Në një rast Maria i tregoi mikpritje speciale Jezuit, duke derdhur «vaj aromatik të kushtueshëm» në kokën dhe në këmbët e tij. (Mateu 26:6, 7) Disa që ishin aty, e akuzuan se po bënte një harxhim të kotë. Ama, Jezui e mbrojti dhe tha: «Kudo që të predikohet lajmi i mirë [për Mbretërinë e Perëndisë] në mbarë botën, edhe ajo që bëri kjo grua, do të tregohet në kujtim të saj.»—Mateu 24:14; 26:8-13.
Ç’mund të mësojmë nga Maria? Ajo zhvilloi një besim të jashtëzakonshëm. Për të, adhurimi i Perëndisë ishte më i rëndësishëm se punët e përditshme. Gjithashtu, me përulësi e nderoi Jezuin, edhe kur i kushtoi goxha nga ana financiare.
Maria Magdalena
Kush ishte Maria Magdalena? Dishepulle besnike e Jezuit.
Për çfarë njihet? Maria Magdalena ishte mes grave që udhëtuan me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Nuk i kursente zotërimet e saj për dobinë e tyre. (Luka 8:1-3) Ajo e shoqëroi Jezuin deri në fund të shërbimit të tij dhe ishte aty kur u ekzekutua. Maria pati privilegjin të ishte mes të parëve që panë Jezuin pasi u ringjall.—Gjoni 20:11-18.
Ç’mund të mësojmë nga Maria? E mbështeti pa u kursyer shërbimin e Jezuit dhe ishte dishepulle besnike deri në fund.
Miriami
Kush ishte Miriami? Motra e Moisiut dhe e Aaronit. Gruaja e parë në Bibël që quhet profeteshë.
Për çfarë njihet? Si profeteshë, ndihmoi t’u përcillte të tjerëve mesazhin e Perëndisë. Zinte një vend të rëndësishëm në Izrael dhe, kur Perëndia shfarosi ushtrinë egjiptiane në Detin e Kuq, Miriami këndoi këngën e fitores bashkë me burrat.—Dalja 15:1, 20, 21.
Pas njëfarë kohe Miriami dhe Aaroni kritikuan Moisiun. Dukej qartë që nxiteshin nga krenaria dhe xhelozia. Mirëpo, Perëndia po «dëgjonte» dhe u dha këshilla të forta të dyve. (Numrat 12:1-9) Miriamin e goditi me lebër, me sa duket sepse ishte nismëtarja e kritikave. Kur Moisiu iu përgjërua Perëndisë për të, Ai e shëroi. Miriami u kthye në kampin e Izraelit pasi qëndroi shtatë ditë në karantinë.—Numrat 12:10-15.
Bibla tregon se ajo e pranoi ndreqjen. Shekuj më vonë Perëndia përmendi privilegjin e saj të rrallë kur u tha izraelitëve: «Dërgova para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.»—Mikea 6:4.
Ç’mund të mësojmë nga Miriami? Historia e Miriamit na mëson se Zoti i kushton vëmendje asaj që adhuruesit e tij i thonë njëri-tjetrit ose thonë për njëri-tjetrin. Mësojmë edhe se, që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të shmangim krenarinë e pavend dhe xhelozinë, që të mos njollosim reputacionin e mirë të të tjerëve.
Rakela
Kush ishte Rakela? Vajza e Labanit dhe gruaja e preferuar e patriarkut Jakob.
Për çfarë njihet? Rakela u martua me Jakobin dhe lindi dy djem, që ishin ndër themeluesit e 12 fiseve të Izraelit të lashtë. Për herë të parë u takuan kur ajo po kulloste dhentë e të atit. (Zanafilla 29:9, 10) Rakela ishte «shumë e bukur» krahasuar me motrën e madhe, Lean.—Zanafilla 29:17, Bibla ECM.
Jakobi ishte i dashuruar me Rakelën dhe ra dakord të punonte shtatë vjet që të martohej me të. (Zanafilla 29:18) Mirëpo, Labani ia punoi prapa krahëve, duke e detyruar të martohej me Lean në fillim, pastaj me Rakelën.—Zanafilla 29:25-27.
Jakobi donte më shumë Rakelën dhe dy bijtë e saj, sesa Lean dhe fëmijët e saj. (Zanafilla 37:3; 44:20, 27-29) Prandaj, dy gratë u bënë rivale.—Zanafilla 29:30; 30:1, 15.
Ç’mund të mësojmë nga Rakela? Ajo nuk e humbi shpresën se Perëndia do t’ia dëgjonte lutjet, pavarësisht nga situata e tensionuar në familje. (Zanafilla 30:22-24) Historia e saj tregon se poligamia sjell shumë telashe. Gjithashtu shohim sa i mençur është Perëndia që përcaktoi standardin për martesën—një burrë dhe një grua.—Mateu 19:4-6.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Rakelës, mund të lexoni artikullin «Motrat e brengosura që ‘ndërtuan shtëpinë e Izraelit’», Kulla e Rojës, 1 tetor 2007, fq. 8.
▸ Për të mësuar pse Zoti e toleroi për njëfarë kohe poligaminë mes popullit të tij, mund të lexoni artikullin «A e miraton Perëndia poligaminë?», Kulla e Rojës, 1 korrik 2019, fq. 30
Rahaba
Kush ishte Rahaba? Prostitutë që jetoi në qytetin kananit të Jerikosë dhe që u bë adhuruese e Perëndisë Jehova.
Për çfarë njihet? Rahaba fshehu dy izraelitët që po hetonin vendin. Veproi kështu sepse kishte dëgjuar për historinë e Perëndisë së Izraelit, Jehovait, që kishte çliruar popullin e tij nga Egjipti dhe më vonë nga sulmi i fisit të amoritëve.
Rahaba i ndihmoi spiunët dhe iu përgjërua t’i kursenin jetën asaj dhe familjes kur izraelitët të vinin që të shkatërronin Jerikonë. Ata ranë dakord, me disa kushte: të mos tregonte për ta; ajo dhe familja duhej të mblidheshin te shtëpia e saj e s’duhej të dilnin gjatë sulmit; dhe duhej të lidhte në dritare një kordon me ngjyrë të kuqe të ndezur që ta identifikonin shtëpinë. Rahaba veproi pikërisht ashtu, dhe bashkë me familjen mbetën gjallë kur izraelitët pushtuan Jerikonë.
Më vonë u martua me një izraelit dhe u bë paraardhëse e mbretit David dhe e Jezu Krishtit.—Josiu 2:1-24; 6:25; Mateu 1:5, 6, 16.
Ç’mund të mësojmë nga Rahaba? Bibla e përmend Rahabën si një shembull të jashtëzakonshëm besimi. (Hebrenjve 11:30, 31; Jakovi 2:25) Historia e saj tregon se Zoti është edhe falës, edhe i paanshëm, që i bekon ata që besojnë tek ai, pavarësisht nga e kaluara.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Rahabës, mund të lexoni artikullin «U shpall e drejtë nga veprat».
Rebeka
Kush ishte Rebeka? Gruaja e Isakut dhe nëna e binjakëve, Jakobit dhe Esaut.
Për çfarë njihet? Rebeka bëri vullnetin e Perëndisë, edhe kur s’e kishte fare të lehtë. Në një rast, kur po nxirrte ujë nga pusi, një burrë i kërkoi pak ujë për të pirë. Ajo ia dha menjëherë, madje ishte e gatshme të mbushte ujë edhe për devetë e tij. (Zanafilla 24:15-20) Burri ishte shërbëtor i Abrahamit dhe kishte ardhur nga shumë larg që të gjente një grua për Isakun, djalin e zotërisë. (Zanafilla 24:2-4) Ishte lutur edhe për bekimin e Perëndisë. Ndaj, kur pa Rebekën e papërtuar dhe mikpritëse, dalloi se Perëndia e kishte dëgjuar, duke ia bërë të qartë kë kishte zgjedhur për Isakun.—Zanafilla 24:10-14, 21, 27.
Kur Rebeka kuptoi pse kishte ardhur shërbëtori i Abrahamit, pranoi të shkonte me të që të bëhej gruaja e Isakut. (Zanafilla 24:57-59) Rebeka pati binjakë. Perëndia i kishte thënë se djali më i madh, Esau, do t’i shërbente të voglit, Jakobit. (Zanafilla 25:23) Sapo Isaku u bë gati t’i jepte Esaut bekimin e të parëlindurit, Rebeka veproi pa vonesë që bekimi i shumëdëshiruar t’i shkonte Jakobit, sipas vullnetit të Perëndisë.—Zanafilla 27:1-17.
Ç’mund të mësojmë nga Rebeka? Ishte modeste, e papërtuar dhe mikpritëse—cilësi që e bënë bashkëshorte, nënë dhe adhuruese të lumtur të Perëndisë së vërtetë.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Rebekës, mund të lexoni artikullin «Po, dua».
Rutha
Kush ishte Rutha? Një moabite që la pas perënditë dhe vendin e saj, që të shkonte në Izrael e të bëhej adhuruese e Jehovait.
Për çfarë njihet? Rutha shfaqi dashuri të papërshkrueshme për vjehrrën, Naomin. Naomi me të shoqin dhe me dy djemtë kishin vajtur në Moab për të shpëtuar nga zia e bukës në Izrael. Djemtë u martuan me gra moabite—Ruthën dhe Orpën. Me kalimin e kohës Naomit i vdiq edhe bashkëshorti, edhe djemtë, dhe të tria mbetën vejusha.
Naomi vendosi të kthehej në Izrael, meqë nuk kishte më thatësirë. Edhe Rutha me Orpën u nisën me të. Mirëpo, Naomi u kërkoi të ktheheshin te të afërmit e tyre. Orpa u kthye. (Rutha 1:1-6, 15) Ndërsa Rutha nuk u nda nga e vjehrra. Ajo e donte Naomin dhe kishte dëshirë të adhuronte Perëndinë e saj, Jehovain.—Rutha 1:16, 17; 2:11.
Shpejt Rutha bëri një emër të mirë në vendin e Naomit, në Betlehem, sepse ishte besnike ndaj të vjehrrës dhe punëtore e palodhur. Boazit, një pronari të pasur tokash, i kishte bërë shumë përshtypje Rutha, ndaj u tregua bujar me të dhe me Naomin, duke u siguruar ushqim. (Rutha 2:5-7, 20) Më pas Rutha u martua me Boazin dhe u bë paraardhëse e mbretit David dhe e Jezu Krishtit.—Mateu 1:5, 6, 16.
Ç’mund të mësojmë nga Rutha? Rutha ishte gati të linte pas çdo gjë, sepse donte me gjithë shpirt Naomin dhe Jehovain. Ishte e palodhur, e përkushtuar dhe besnike, edhe në mes të vështirësive.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Ruthës, mund të lexoni artikujt «Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë» dhe «Një grua e shkëlqyer».
Sara
Kush ishte Sara? Gruaja e Abrahamit dhe nëna e Isakut.
Për çfarë njihet? Sara la një jetë të rehatshme në qytetin e begatë të Urit, sepse besonte te premtimi që i kishte bërë Perëndia Abrahamit. Perëndia i kishte thënë atij të linte Urin e të shkonte në Kanaan. Gjithashtu i kishte premtuar se do ta bekonte dhe do ta bënte komb të madh. (Zanafilla 12:1-5) Në atë kohë, ka të ngjarë që Sara të ketë qenë në të 60-at. Që nga ai moment, ajo me të shoqin jetuan në tenda si nomadë.
Edhe pse kjo lloj jete paraqiste rreziqe për Sarën, ajo e mbështeti Abrahamin ndërsa ndiqte drejtimin e Perëndisë. (Zanafilla 12:10, 15) Kishin kaluar shumë vjet e Sara nuk kishte fëmijë, dhe kjo e hidhëronte tepër. Por, Perëndia kishte premtuar se do t’i bekonte pasardhësit e Abrahamit. (Zanafilla 12:7; 13:15; 15:18; 16:1, 2, 15) Më vonë Zoti e bëri të qartë se Sara do të lindte një fëmijë. Dhe lindi kur i kishte kaluar mosha; ishte 90 vjeçe, ndërsa i shoqi 100 vjeç. (Zanafilla 17:17; 21:2-5) Ata e quajtën fëmijën Isak.
Ç’mund të mësojmë nga Sara? Nuk duhet të dyshojmë kurrë se premtimet e Perëndisë do të plotësohen, edhe kur duket e pamundur. (Hebrenjve 11:11) Mësojmë edhe sa rëndësi ka respekti në martesë.—1 Pjetrit 3:5, 6.
▸ Për të mësuar më shumë rreth Sarës, mund të lexoni artikujt «Ti je grua e bukur» dhe «Perëndia e quajti ‘princeshë’».
Shulamitja
Kush ishte shulamitja? Një vajzë e bukur nga fshati dhe personazh kryesor në librin e Biblës me titull Kënga e Solomonit. Bibla nuk e përmend emrin e saj.
Për çfarë njihet? Shulamitja i qëndroi besnike bariut që dashuronte. (Kënga e Solomonit 2:16) Mirëpo, falë bukurisë së saj të rrallë, edhe mbretit të pasur Solomon i mbetën sytë tek ajo dhe bëri çmos t’i fitonte zemrën. (Kënga e Solomonit 7:6) Ajo e refuzoi Solomonin, edhe pse të tjerët e nxitnin të zgjidhte atë në vend të bariut. Shulamitja dashuronte bariun e thjeshtë dhe i qëndroi besnike.—Kënga e Solomonit 3:5; 7:10; 8:6.
Ç’mund të mësojmë nga shulamitja? Edhe pse ishte e bukur dhe të gjithë i kishin sytë tek ajo, shulamitja mbeti modeste. Nuk lejoi asgjë t’ia shuante dashurinë për bariun: as presionin nga shoqet, as premtimet për pasuri a famë. Ajo i mbajti nën kontroll ndjenjat dhe ishte e dëlirë.
Sipas kronologjisë në Bibël
Përmbytja (2370 p.e.s.)
Dalja (1513 p.e.s.)
Mbreti i parë i Izraelit (1117 p.e.s.)
Pagëzimi i Jezuit (29 i e.s.)
Vdekja e Jezuit (33 i e.s.)