Nuk jam i lumtur—A mund të më ndihmojë feja, Perëndia ose Bibla?
Përgjigjja e Biblës
Po. Bibla, një libër i lashtë plot mençuri, jep përgjigje për pyetje të rëndësishme të jetës dhe mund të të ndihmojë të ndihesh më mirë e të jesh i lumtur. Shqyrto disa pyetje dhe përgjigjet që jep ajo.
A ka një krijues? Bibla thotë se Perëndia ‘krijoi gjithçka’. (Zbulesa 4:11) Si Krijuesi ynë, Perëndia e di çfarë na nevojitet që të jemi të lumtur dhe t’i japim kuptim jetës.
A interesohet Perëndia për mua? Bibla nuk thotë se Perëndia u rri larg njerëzve, por thotë: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Veprat 17:27) Atij i intereson se çfarë ndodh me ty dhe dëshiron të të ndihmojë të kesh sukses në jetë.—Isaia 48:17, 18; 1 Pjetrit 5:7.
Si mund të më ndihmojë njohuria për Perëndinë të jem më i lumtur? Perëndia na ka krijuar me ‘nevojën për të mësuar për të’, një nevojë e lindur për të kuptuar domethënien dhe qëllimin e jetës. (Mateu 5:3) Nevoja që kemi për të mësuar për Perëndinë përfshin edhe një dëshirë për ta njohur Krijuesin dhe për t’u miqësuar me të. Perëndia do t’i vlerësojë përpjekjet e tua për ta njohur atë, pasi Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.
Miliona njerëz kanë zbuluar se miqësia me Perëndinë u ka përmirësuar jetën në çdo aspekt dhe i ka ndihmuar të gjejnë lumturi në jetë. Njohuria për Perëndinë nuk do të thotë se s’do të kesh më shqetësime, por mençuria e Biblës mund të të ndihmojë:
Të kesh jetë familjare më të lumtur.
Të jesh në paqe me të tjerët.
Të përballosh probleme nga më të ndryshmet, si depresioni, stresi për paratë dhe sëmundjet kronike.
Shumë nga fetë që përdorin Biblën, faktikisht nuk i zbatojnë mësimet e saj. Krejt ndryshe, feja e vërtetë, e cila i përmbahet asaj që thotë vërtet Bibla, do të të ndihmojë ta njohësh Perëndinë.