Si mund të jetosh përgjithmonë?
Përgjigjja e Biblës
Bibla premton: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Por, cili është vullneti i Perëndisë? Çfarë dëshiron Ai që të bësh?
Të mësojmë për Perëndinë dhe për të Birin, Jezuin. Jezui iu lut Perëndisë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Si mund ‘të vazhdojmë të marrim njohuri’ për Perëndinë dhe për Jezuin? Mund t’i njohim duke studiuar Biblën dhe duke zbatuar mesazhin e saj. a Ajo na tregon si mendon Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, i cili është Dhënësi i jetës. (Veprat 17:24, 25) Bibla flet edhe për të Birin, Jezuin, që mësoi «fjalë jete të përhershme».—Gjoni 6:67-69.
Të tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Jezui erdhi në tokë «që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë». (Mateu 20:28) Flijimi shpërblyes i Jezuit u çeli rrugën njerëzve që të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. b (Psalmi 37:29) Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Vër re se nuk mjafton vetëm të besojmë te Jezui. Duhet ta tregojmë këtë besim, duke jetuar në përputhje me mësimet e tij dhe me vullnetin e të Atit.—Mateu 7:21; Jakovi 2:17.
Të lidhim miqësi të ngushtë me Perëndinë. Perëndia do që t’i afrohemi dhe të bëhemi miq të tij. (Jakovi 2:23; 4:8) Ai është i përjetshëm. Nuk do të vdesë kurrë dhe do që edhe miqtë e tij të jetojnë përgjithmonë. Në Fjalën e tij, Perëndia shpreh dëshirën për gjithë ata që e kërkojnë: «Zemra juaj le të rrahë përgjithmonë!»—Psalmi 22:26.
Ide të gabuara për jetën e përhershme
Ide e gabuar: Përpjekjet e njeriut do të sjellin jetë të përhershme.
Fakt: Edhe pse disa përparime mjekësore premtojnë të zgjatin jetën e njeriut, këto përpjekje nuk do të sjellin jetë përgjithmonë. Vetëm Perëndia mund të na japë jetë të përhershme, se vetëm Ai është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Ai premton se «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë» dhe do t’u sigurojë jetë të pafund gjithë njerëzve besnikë.—Isaia 25:8; 1 Gjonit 2:25.
Ide e gabuar: Vetëm njerëz nga disa raca do të jetojnë përgjithmonë.
Fakt: Perëndia nuk mban me hatër. Përkundrazi, «në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai». (Veprat 10:34, 35) Njerëz të të gjitha etnive dhe kulturave, të cilët i binden Perëndisë, mund të jetojnë përgjithmonë.
Ide e gabuar: Jeta e përhershme do të jetë e mërzitshme.
Fakt: Mundësia për të jetuar përgjithmonë vjen nga Perëndia, i cili na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur. (Jakovi 1:17; 1 Gjonit 4:8) Ai e di se që të jemi të lumtur, na duhet punë domethënëse. (Eklisiastiu 3:12) Perëndia ka dhënë fjalën se ata që do të jetojnë përgjithmonë në tokë, do të bëjnë një jetë të kënaqshme e kuptimplotë, që do t’u sjellë dobi atyre vetë dhe njerëzve të tyre të shtrenjtë.—Isaia 65:22, 23.
Përveç kësaj do të vazhdojnë të mësojnë gjëra të reja për Krijuesin e tyre dhe për veprat e tij krijuese madhështore. Ai i krijoi njerëzit me dëshirën që të jetojnë përjetë dhe të mësojnë për Të, edhe pse ata ‘nuk do ta zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’. (Eklisiastiu 3:10, 11) Ndaj, për ata që do të jetojnë përgjithmonë, nuk do të mbarojnë kurrë gjërat e reja dhe interesante.
a Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë një program falas për studimin e Biblës. Për më shumë informacion, shih videon Si zhvillohet një studim biblik?
b Shih artikullin «Jezui shpëton—Si?»