Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për katastrofat natyrore?

Çfarë thotë Bibla për katastrofat natyrore?

Përgjigjja e Biblës

 Katastrofat natyrore që ndodhin sot nuk i shkakton Perëndia; përkundrazi, ai merakoset për njerëzit që preken prej tyre. Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund çdo gjëje që shkakton vuajtje, edhe katastrofave natyrore. Ndërkohë, ai i ngushëllon njerëzit që preken nga katastrofat.—2 Korintasve 1:3.

 Pse jemi të sigurt se katastrofat natyrore nuk janë ndëshkim nga Zoti?

 Katastrofat natyrore ndryshojnë nga gjykimet që ka dhënë Perëndia me anë të forcave të natyrës, që tregohen në Bibël.

  •   Katastrofat natyrore vrasin e lëndojnë pa dallim. Ndërsa gjykimet e Perëndisë për të cilat flet Fjala e Perëndisë, ishin përzgjedhëse. Për shembull, kur Zoti shkatërroi qytetet e lashta të Sodomës dhe të Gomorrës, u sigurua që Loti i drejtë dhe dy vajzat e tij të mbijetonin. (Zanafilla 19:29, 30) Jehovai u lexoi zemrat njerëzve dhe shkatërroi vetëm ata që i konsideroi të ligj.—Zanafilla 18:23-32; 1 Samuelit 16:7.

  •   Kur ndodhin katastrofa natyrore, zakonisht marrim pak ose aspak paralajmërim. Kurse Perëndia i paralajmëronte të ligjtë para se të përdorte forcat e natyrës kundër tyre. Ata që ia vinin veshin mund të shpëtonin.—Zanafilla 7:1-5; Mateu 24:38, 39.

  •   Në njëfarë mase, njerëzit janë përgjegjës për katastrofat. Në ç’kuptim? Ata kanë dëmtuar mjedisin dhe kanë ndërtuar në zona që preken nga tërmetet, përmbytjet dhe moti ekstrem. (Zbulesa 11:18) Nuk e ka fajin Zoti që njerëzit bëjnë zgjedhje të gabuara.—Proverbat 19:3.

 A janë katastrofat natyrore shenjë e ditëve të fundit?

 Po, profecitë e Biblës thonë se do të kishte katastrofa gjatë «përfundimit të sistemit» ose «në ditët e fundit». (Mateu 24:3; 2 Timoteut 3:1) Për shembull, për kohët tona Jezui tha: «Do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.» (Mateu 24:7) Së shpejti, Perëndia do ta pastrojë tokën nga çdo gjë që shkakton dhimbje e vuajtje, përfshirë katastrofat natyrore.—Zbulesa 21:3, 4.

 Si i ndihmon Perëndia të prekurit nga katastrofat?

  •   Perëndia i ngushëllon me Fjalën e tij, Biblën. Ajo na siguron se Zoti interesohet për ne dhe e ndien dhimbjen tonë. (Isaia 63:9; 1 Pjetrit 5:6, 7) Gjithashtu, Bibla zbulon premtimin e tij se do të vijë një kohë pa katastrofa natyrore.—Shih « Vargje ngushëlluese nga Bibla».

  •   Perëndia i ndihmon të prekurit me anë të shërbëtorëve të tij. Ai i nxit shërbëtorët e tij në tokë që të imitojnë shembullin e Jezuit. Në Bibël ishte parathënë se Jezui do të ngushëllonte ‘zemërvrarët’ dhe «ata që mbajnë zi». (Isaia 61:1, 2) Shërbëtorët e Perëndisë përpiqen të veprojnë njësoj.—Gjoni 13:15.

     Nëpërmjet tyre, Perëndia u jep edhe ndihmë praktike të prekurve nga katastrofat.—Veprat 11:28-30; Galatasve 6:10.

Dëshmitarët e Jehovait u japin ndihmë praktike të prekurve nga uragani në Porto-Riko

  A ndihmojnë parimet e Biblës të përgatitemi për katastrofat natyrore?

 Po. Edhe pse Bibla nuk është një manual që tregon si të përgatitemi për katastrofat natyrore, përmban parime që ndihmojnë. Për shembull:

  •   Planifiko që më përpara. Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Tregohemi të mençur nëse bëjmë gati që më përpara një plan emergjence. Ky plan mund të përfshijë përgatitjen e një çante me gjërat e nevojshme, caktimin e një vendtakimi në rast katastrofe, si dhe praktikimin e planit si familje.

  •   Vlerëso jetën më shumë se zotërimet. Në Shkrimet e Shenjta thuhet: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj.» (1 Timoteut 6:7, 8) Duhet të jemi gati të lëmë shtëpinë dhe zotërimet tona që t’i shpëtojmë katastrofës. Bëjmë mirë të mos harrojmë se jeta vlen më shumë se çdo e mirë materiale.—Mateu 6:25.