Kush ishte Maria Magdalena?
Përgjigjja e Biblës
Maria Magdalena ishte një dishepulle besnike e Jezu Krishtit. Emri i saj, Magdalena, ka mundësi të ketë ardhur nga emri i qytetit Magdala (ka të ngjarë Magadan), i cili ndodhej afër Detit të Galilesë. Maria mund të ketë jetuar atje.
Maria Magdalena ishte një nga shumë gratë që udhëtuan me Jezuin dhe dishepujt e tij, të cilat i mbështetën materialisht. (Luka 8:1-3) Ajo ishte dëshmitare okulare e ekzekutimit të Jezuit dhe ishte ndër të parët që e pa pasi u ringjall.—Marku 15:40; Gjoni 20:11-18.
A ishte Maria Magdalena prostitutë?
Në Bibël nuk thuhet se Maria Magdalena ishte prostitutë. E vetmja gjë që përmendet për të shkuarën e saj, është fakti që Jezui dëboi 7 demonë prej saj.—Luka 8:2.
Nga lindi ideja se ajo ishte prostitutë? Shekuj pas vdekjes së saj, filloi të mendohej se ajo ishte gruaja që i lau këmbët me lot Jezuit dhe ia thau me flokët e saj, së cilës nuk i përmendet emri e ka të ngjarë të ishte prostitutë. (Luka 7:36-38) Gjithsesi, Shkrimet nuk e mbështetin këtë ide.
A ishte Maria Magdalena «apostulle e apostujve»?
Jo. Kisha Katolike e quan Marinë «Shën Maria Magdalena», si dhe «apostulle e apostujve», ngaqë ishte një ndër personat e parë që u dha apostujve lajmin për ringjalljen e Jezuit. (Gjoni 20:18) Por kjo gjë nuk e bën apostulle, dhe askund në Shkrime nuk thuhet se ishte e tillë.—Luka 6:12-16.
Bibla përfundoi së shkruari diku nga fundi i shekullit të parë të e.s. Gjithsesi, diku nga shekulli i 6-të, autoritetet kishtare vendosën ta quanin «shenjtore» Maria Magdalenën për t’i dhënë një status më të lartë. Në shkrime të shekullit të dytë e të tretë—që nuk janë pjesë e kanonit të Biblës—thuhet se disa dishepuj të Jezuit ishin xhelozë për Marinë. Këto histori të trilluara nuk bazohen në Shkrimet e Shenjta.
A ishte Maria Magdalena gruaja e Jezu Krishtit?
Jo. Në fakt, Bibla e tregon fare qartë se Jezui nuk u martua. a
a Shih artikullin «A ishte i martuar Jezui? A kishte vëllezër e motra?»