Si të mbrohem nga ngacmimet seksuale?
Përgjigjja e Biblës
Shqyrto këto sugjerime praktike që vijnë nga mençuria e Biblës:
Mbaj një sjellje formale. Sillu hijshëm dhe me respekt me shokët e punës, por mos ofro atë lloj miqësie që lë përshtypjen se do të pranoje çdo interes në aspektin seksual.—Mateu 10:16; Kolosianëve 4:6.
Vishu me modesti. Veshjet provokuese përcjellin mesazh të gabuar. Bibla këshillon që të vishemi «me modesti dhe mendje të shëndoshë».—1 Timoteut 2:9.
Zgjidhi miqtë me mençuri. Nëse rri me ata që i tolerojnë e madje i pëlqejnë flirtimet ose provokimet seksuale, ka shumë mundësi që të të trajtojnë po njësoj.—Proverbat 13:20.
Shmang të folurin fyes. Largohu me mirësjellje nëse në bisedë e sipër thuhen «tregime të pista, fjalë të pamenda ose shaka të ndyra».—Efesianëve 5:4, God’s Word Bible.
Shmang situatat kompromentuese. Për shembull, ki kujdes nga ftesat për të ndenjur në punë pas orarit të punës pa arsye të vlefshme.—Proverbat 22:3.
Ji i vendosur dhe i drejtpërdrejtë. Nëse dikush të ngacmon seksualisht, bëja të qartë që sjellja e tij nuk të pëlqen aspak. (1 Korintasve 14:9) Mund të thuash: «Ti më prek sa herë kalon afër meje dhe më vë shumë në siklet. Mos e bëj më.» Mund t’i shkruash një letër ku tregon çfarë ndodhi, si të bëri të ndiheshe dhe si dëshiron të shkojnë gjërat në të ardhmen. Bëja të qartë që qëndrimi yt bazohet në bindjet e tua morale e fetare.—1 Selanikasve 4:3-5.
Kërko ndihmë. Nëse ngacmimi vazhdon, fol me një mik, familjar, shok pune të besuar ose me dikë që ka përvojën e duhur për të ndihmuar në të tilla raste. (Proverbat 27:9) Për shumë viktima të ngacmimeve seksuale, lutjet kanë qenë një ndihmë e madhe. Edhe nëse nuk ke provuar ndonjëherë të lutesh, mos e nënvlerëso ndihmën që mund të të japë Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi».—2 Korintasve 1:3.
Ngacmimet seksuale krijojnë një atmosferë armiqësore në punë për miliona veta, por Bibla mund të ndihmojë.