Kalo te përmbajtja

Si t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?

Si t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?

Përgjigjja e Biblës

 Kush duhet t’i mësojë fëmijët për seksin? Bibla ua jep këtë përgjegjësi prindërve dhe mjaft prej tyre kanë nxjerrë dobi nga sugjerimet e mëposhtme:

  •   Mos ki turp. Bibla flet hapur për seksin dhe organet gjenitale dhe Perëndia i tha kombit të Izraelit se ‘fëmijëve’ u duhen mësuar këto gjëra. (Ligji i përtërirë 31:12; Levitiku 15:​2, 16-19) Mund të përdorësh fjalë të hijshme që nuk i paraqesin si të turpshëm seksin dhe pjesët intime të trupit.

  •   Mësoje gradualisht. Në vend që t’ia thuash njëherësh të gjitha informacionet për seksin kur fëmija i afrohet pubertetit, thuaja gradualisht që të mund t’i kuptojë.​—1 Korintasve 13:11.

  •   Mësoji norma morale. Shkollat mund t’u japin njëfarë edukimi seksual fëmijëve. Por, Bibla i nxit prindërit t’u mësojnë fëmijëve jo vetëm anën fizike të seksit, por edhe qëndrimin dhe sjelljen e duhur në lidhje me seksin.​—Proverbat 5:​1-​23.

  •   Dëgjoje fëmijën. Mos reago në mënyrë të ekzagjeruar ose mos nxirr përfundime të nxituara nëse fëmija të pyet për seksin. Por, ji ‘i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur’.​—Jakovi 1:​19.

Si ta mbrosh fëmijën nga grabitqarët seksualë

Mësoje fëmijën të mbrohet nëse has ngacmime seksuale

  •   Informohu. Mëso si vepron një abuzues tipik.​—Proverbat 18:15; shih kapitullin 32 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1.

  •   Përfshihu në jetën e fëmijës. Mos e lër thjesht nën kujdesin e dikujt pa ditur nëse është person i besueshëm dhe mos ‘e lër pa fre’ fëmijën.​—Proverbat 29:15.

  •   Mësoji një pikëpamje të ekuilibruar për bindjen. Fëmijët duhet të mësojnë t’u binden prindërve. (Kolosianëve 3:​20) Por, nëse e mëson se gjithmonë duhet t’i bindet çdo të rrituri, atëherë po e bën të brishtë ndaj abuzimeve. Prindërit e krishterë mund t’i thonë fëmijës: «Nëse dikush të thotë të bësh diçka që për Perëndinë është e gabuar, mos e bëj.»​—Veprat 5:​29.

  •   Praktikoni në mënyrë të thjeshtë si të mbrohet. Mësoje fëmijën çfarë të bëjë në rast se dikush përpiqet të përfitojë prej tij kur nuk je me të. Nëse praktikoni skena të shkurtra, fëmija mund të marrë guximin të thotë: «Mos më prek! Do t’u them të tjerëve!» dhe të largohet menjëherë. Mbase është e nevojshme ‘t’ua përsëritësh fëmijëve’, pasi mund të harrojnë kollaj.​—Ligji i përtërirë 6:​7, Bibla Simon Filipaj.