Pse të lutem? A do të më përgjigjet Perëndia?
Përgjigjja e Biblës
Po, do të të përgjigjet. Bibla dhe përvojat nga jeta reale tregojnë se Perëndia u përgjigjet lutjeve. Bibla thotë: «Ai do t’ua plotësojë dëshirën atyre që i frikësohen [Perëndisë]. Do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë e do t’i shpëtojë.» (Psalmi 145:19) Por nëse Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tua, kryesisht e ke ti në dorë.
Çfarë ka rëndësi për Perëndinë?
T’i lutemi Perëndisë, jo Jezuit, Marisë, shenjtorëve, engjëjve apo shëmbëlltyrave. Vetëm Perëndia Jehova është «Dëgjuesi i lutjes».—Psalmi 65:2.
Të lutemi në përputhje me vullnetin ose kërkesat e Perëndisë, të cilat gjenden në Bibël.—1 Gjonit 5:14.
Të lutemi në emër të Jezuit, sepse kështu pranojmë autoritetin e tij. Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.
Të lutemi me besim, madje të kërkojmë më shumë besim nëse është e nevojshme.—Mateu 21:22; Luka 17:5.
Të jemi të përulur e të sinqertë. Bibla thotë: «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i drejton sytë mbi të përulurit.»—Psalmi 138:6.
Të këmbëngulim. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.»—Luka 11:9.
Çfarë nuk ka rëndësi për Perëndinë?
Raca ose kombësia jote. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Pozicioni i trupit. Mund të lutesh ulur, i përkulur, në gjunjë ose në këmbë.—1 Kronikave 17:16; Nehemia 8:6; Danieli 6:10; Marku 11:25.
Nëse lutesh me zë apo në heshtje. Perëndia u përgjigjet edhe lutjeve që bëhen në heshtje, për të cilat të tjerët nuk janë në dijeni.—Nehemia 2:1-6.
Nëse shqetësimet e tua janë tejet të mëdha ose fare të papërfillshme. Perëndia të nxit që ta ‘hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai interesohet për ty’.—1 Pjetrit 5:7.