A është Qefini i Torinos pëlhura me të cilën u varros Jezui?
Përgjigjja e Biblës
Bibla nuk e përmend Qefinin e Torinos. Shumë veta mendojnë se është pëlhura prej liri me të cilën u varros Jezu Krishti. Si rrjedhojë, disa e konsiderojnë qefinin një nga reliktet më të shenjta të krishterimit. Sot gjendet në një kuti mbrojtëse të teknologjisë së lartë, në një katedrale në Torino, Itali.
A e mbështetin tregimet e Biblës idenë se Qefini i Torinos është pëlhura me të cilën u varros Jezui? Jo.
Shqyrto 3 aspekte të tij që janë ndryshe nga ajo që thotë Bibla.
Qefini është një pëlhurë e vetme që ka përmasa 442 me 113 cm, si dhe një rrip 8 cm të qepur në gjatësinë e tij.
Çfarë thotë Bibla: Trupin e vdekur të Jezuit nuk e mbështollën me një copë të vetme liri, por me shumë rripa pëlhure ose fasha. Kokën ia mbështollën me një pëlhurë tjetër. Pasi Jezui u ringjall, një apostull shkoi te varri i tij, që ishte bosh, dhe «pa fashat atje». Bibla shton: «Pëlhura që kishte qenë në kokën e tij, nuk ishte bashkë me fashat, por e mbështjellë më vete në një vend.»—Gjoni 20:6, 7.
Qefini ka njolla që mendohet se janë njolla gjaku të lëna nga një kufomë e palarë.
Çfarë thotë Bibla: Kur Jezui vdiq, dishepujt e përgatitën trupin ‘për varrim sipas zakonit të judenjve’. (Gjoni 19:39-42) Zakoni kërkonte që trupi të lahej dhe të bëhej me vajra e me erëza para se të varrosej. (Mateu 26:12; Veprat 9:37) Kështu, dishepujt e Jezuit duhet ta kenë larë trupin e tij para se ta mbështillnin me pëlhura.
Qefini mbart imazhin e një njeriu «të shtrirë për së gjati mbi gjysmën e qefinit, ndërkohë që pjesa tjetër ishte palosur mbi kokën e tij për të mbuluar gjithë pjesën e përparme të trupit».—Encyclopædia Britannica.
Çfarë thotë Bibla: Dishepujt e Jezuit folën për vdekjen e tij, për varrin që ishte bosh dhe për dëshminë e grave që ‘engjëjt u ishin shfaqur në mënyrë të mbinatyrshme dhe u kishin thënë se ai ishte gjallë’. (Luka 24:15-24) Nëse qefini do të kishte qenë në varrin e Jezuit, pa dyshim që dishepujt do të kishin folur për të dhe për imazhin që mbartte. Por Bibla nuk thotë diçka të tillë.
A duhet përnderuar Qefini i Torinos?
Jo. Edhe po të ishte pëlhura me të cilën u varros Jezui, do të ishte gabim të përnderohej. Shiko parimet e Biblës që shpjegojnë pse.
Është e panevojshme. Jezui shpjegoi: «Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Adhurimi i vërtetë nuk përfshin përdorimin e relikteve fetare ose të ikonave.
Është e ndaluar. Dhjetë Urdhërimet e ndalojnë idhujtarinë. (Ligji i përtërirë 5:6-10) Po ashtu, Bibla i urdhëron të krishterët: «Ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Disa mund të argumentojnë se, për ta, qefini nuk është idhull, por simbol i besimit të tyre fetar. Gjithsesi një simbol, kur përnderohet, bëhet idhull për dikë. a Prandaj kush dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë nuk i jep përkushtim ose nderim të thellë asnjë objekti, përfshirë qefinin.
a Idhulli është një figurë, shëmbëlltyrë ose një simbol të cilin e bëjnë objekt përnderimi.