A e mëson Bibla doktrinën e rimishërimit?
Pikëpamja e Biblës
Jo, nuk e mëson. «Rimishërimi» nuk del në Bibël as si fjalë, as si koncept. Doktrina e rimishërimit bazohet në mësimin e pavdekësisë së shpirtit. a Megjithatë, Bibla mëson se shpirti është i gjithë njeriu, kështu që është i vdekshëm. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Kur njeriu vdes, pushon së ekzistuari.—Zanafilla 3:19; Eklisiastiu 9:5, 6.
Ku ndryshon rimishërimi nga ringjallja?
Mësimi i Biblës për ringjalljen nuk bazohet në pavdekësinë e shpirtit. Sipas doktrinës së ringjalljes, ata që kanë vdekur, do të vijnë përsëri në jetë me anë të fuqisë së Perëndisë. (Mateu 22:23, 29; Veprat 24:15) Ajo ofron shpresën e bukur të rikthimit në një tokë të re, ose shoqëri të re njerëzore, me perspektivën për të mos vdekur më kurrë.—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
Ide të gabuara për ringjalljen dhe për Biblën
Ide e gabuar: Bibla thotë se profeti Elija u rimishërua si Gjon Pagëzori.
Fakt: Zoti paratha «po ju dërgoj profetin Elija», dhe Jezui tregoi se kjo profeci u përmbush te Gjon Pagëzori. (Malakia 4:5, 6; Mateu 11:13, 14) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Elija ishte rimishëruar si Gjon Pagëzori. Vetë Gjoni tha se nuk ishte Elija. (Gjoni 1:21) Në të vërtetë, Gjoni bëri të njëjtën punë si Elija: shpalli mesazhin e Perëndisë që bënte thirrje për pendim. (1 Mbretërve 18:36, 37; Mateu 3:1, 2) Gjithashtu, Gjoni dha prova se kishte ‘frymë e fuqi’ si të profetit Elija.—Luka 1:13-17.
Ide e gabuar: Bibla e ka fjalën për rimishërimin kur përdor shprehjen «lind përsëri».
Fakt: Bibla tregon se kjo rilindje është një rilindje me anë të frymës së Perëndisë ndërsa njeriu është ende gjallë. (Gjoni 1:12, 13) Kjo rilindje nuk është pasojë e pashmangshme e veprimeve të së shkuarës, por bekim nga Perëndia, që u jep një shpresë të veçantë për të ardhmen atyre që rilindin.—Gjoni 3:3; 1 Pjetrit 1:3, 4.
a Besimi te pavdekësia e shpirtit dhe te rimishërimi e ka zanafillën që në Babiloninë e lashtë. Më vonë filozofët indianë nxorën doktrinën e karmës. Sipas një enciklopedie, karma është «ligji i shkakut dhe i pasojës, i cili thotë se ajo që bën njeriu në jetën e tanishme do të ndikojë në jetën tjetër».—Britannica Encyclopedia of World Religions, faqja 913.