Kush shkon në qiell?
Përgjigjja e Biblës
Zoti zgjedh një numër të kufizuar të krishterësh besnikë, të cilët pasi vdesin, do të ringjallen që të jetojnë në qiell. (1 Pjetrit 1:3, 4) Pasi zgjidhen, duhet të vazhdojnë të ruajnë standardin e krishterë të besimit dhe të sjelljes, që të mos skualifikohen nga trashëgimia e tyre qiellore.—Efesianëve 5:5; Filipianëve 3:12-14.
Çfarë do të bëjnë ata që do të shkojnë në qiell?
Ata do të shërbejnë si mbretër e priftërinj krah Jezuit për 1.000 vjet. (Zbulesa 5:9, 10; 20:6) Do të formojnë ‘qiejt e rinj’, ose qeverinë qiellore, e cila do të qeverisë në ‘tokën e re’, shoqërinë tokësore. Këta sundimtarë qiellorë do të ndihmojnë që njerëzimi të kthehet në gjendjen e përsosur që kishte si qëllim Zoti në fillim.—Isaia 65:17; 2 Pjetrit 3:13.
Si do të ringjallen për në qiell shumë veta?
Bibla tregon se 144.000 veta do të ringjallen për të jetuar në qiell. (Zbulesa 7:4) Në vegimin që gjendet te Zbulesa 14:1-3, apostulli Gjon pa «Qengjin që qëndronte në malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë». Në këtë vegim «Qengji» përfaqëson Jezuin të ringjallur. (Gjoni 1:29; 1 Pjetrit 1:19) ‘Mali i Sionit’ përfaqëson pozitën e lartësuar të Jezuit dhe të 144.000-ve që qeverisin me të në qiell.—Psalmi 2:6; Hebrenjve 12:22.
Ata që ‘thirren e zgjidhen’ për të qeverisur me Krishtin në Mbretëri quhen «kope e vogël». (Zbulesa 17:14; Luka 12:32) Nga kjo kuptojmë se do të ishin relativisht pak në krahasim me numrin e plotë të deleve të Jezuit.—Gjoni 10:16.
Ide të gabuara për ata që do të shkojnë në qiell
Ide e gabuar: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell.
Fakt: Perëndia premton jetë të përhershme në tokë për shumicën e njerëzve të mirë.—Psalmi 37:11, 29, 34.
Jezui tha: «Askush nuk është ngjitur në qiell.» (Gjoni 3:13) Me këtë tregoi se njerëzit e mirë që vdiqën para tij, si Abrahami, Moisiu, Jobi dhe Davidi nuk shkuan në qiell. (Veprat 2:29, 34) Në vend të kësaj, kishin shpresë të ringjalleshin për të jetuar në tokë.—Jobi 14:13-15.
Ringjallja për të jetuar në qiell quhet ‘ringjallja e parë’. (Zbulesa 20:6) Kjo tregon se do të ketë një ringjallje tjetër, një ringjallje në tokë.
Bibla mëson se nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:3, 4) Ky premtim duhet të jetë për tokën, meqë në qiell nuk ka pasur kurrë vdekje.
Ide e gabuar: Çdo njeri zgjedh vetë nëse do të jetojë në qiell apo në tokë.
Fakt: Vendos Zoti se cilët të krishterë besnikë marrin «çmimin e thirrjes qiellore», domethënë shpresën për të jetuar në qiell. (Filipianëve 3:14) Dëshira ose ambicia personale nuk kanë lidhje me faktin nëse do të zgjidhen ose jo.—Mateu 20:20-23.
Ide e gabuar: Shpresa e jetës së përhershme në tokë nuk është shpresë aq e lartë sa ajo në qiell, sepse u ofrohet atyre që nuk janë të denjë të shkojnë në qiell.
Fakt: Ata që do të jetojnë përgjithmonë në tokë, Zoti i quan ‘populli im’, «të zgjedhurit e mi» dhe ‘të bekuar nga Jehovai’. (Isaia 65:21-23) Do të kenë privilegjin të plotësojnë qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin—jetë e përsosur përgjithmonë në një tokë parajsore.—Zanafilla 1:28; Psalmi 115:16; Isaia 45:18.
Ide e gabuar: Numri 144.000 që përmendet te Zbulesa, është simbolik, jo i mirëfilltë.
Fakt: Edhe pse Zbulesa përmban numra simbolikë, disa janë të mirëfilltë. Për shembull, ajo flet për «dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit». (Zbulesa 21:14) Pse themi se edhe numri 144.000 duhet marrë si i mirëfilltë?
Te Zbulesa 7:4 dokumentohet ‘numri i të vulosurve [ose i atyre që janë konfirmuar se do të jetojnë në qiell], njëqind e dyzet e katër mijë’. Kurse në vargjet vijuese flitet për një grup tjetër, për «një shumicë të madhe, . . . të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte». Zoti do t’i shpëtojë edhe këta të ‘shumicës së madhe’. (Zbulesa 7:9, 10) Nëse numri 144.000 do të ishte simbolik, duke iu referuar një grupi me numër të papërcaktuar, do të humbiste krahasimi mes dy grupeve. a
Përveç kësaj, 144.000-t përshkruhen sikur «janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para». (Zbulesa 14:4) Shprehja «fryte të para» i referohet një pjese të vogël të përzgjedhur. Me të drejtë ajo përshkruan ata që do të qeverisin në qiell me Krishtin mbi një numër të papërcaktuar nënshtetasish tokësorë.—Zbulesa 5:10.
a Po njësoj, profesor Robert Tomasi, shkroi për numrin 144.000 që përmend Zbulesa 7:4: «Ky është një numër i përcaktuar në kontrast me numrin e papërcaktuar te 7:9. Nëse ky numër merret në kuptimin simbolik, atëherë asnjë numër në këtë libër s’mund të merret në kuptimin e mirëfilltë.»—Zbulesa 1-7: Libër komentues shpjegues, faqja 474, anglisht.