Çfarë thotë Bibla për të folurit në gjuhë të huaja?
Përgjigjja e Biblës
‘Të folurit në gjuhë të huaja’ i referohet aftësisë që morën disa të krishterë të hershëm me anë të një mrekullie. Falë saj mund të flitnin një gjuhë pa e mësuar më parë. (Veprat 10:46) Çdo njeri që i dëgjonte të flitnin në gjuhën e vet i kuptonte lehtë të krishterët. (Veprat 2:4-8) Të folurit në gjuhë të huaja ishte një nga dhuratat e frymës së shenjtë që Perëndia ua dha disa të krishterëve të shekullit të parë.—Hebrenjve 2:4; 1 Korintasve 12:4, 30.
Ku dhe kur filloi të folurit në gjuhë të huaja?
Kjo mrekulli ndodhi për herë të parë në Jerusalem, mëngjesin e festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s që mbahej nga judenjtë. Rreth 120 dishepuj të Jezuit ishin mbledhur bashkë kur «të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme». (Veprat 1:15; 2:1-4) Një turmë e madhe me njerëz «nga të gjitha kombet nën qiell» u mblodh dhe «gjithsecili i dëgjonte të flitnin në gjuhën e vet».—Veprat 2:5, 6.
Cili ishte qëllimi i të folurit në gjuhë të huaja?
Të tregonte se të krishterët kishin mbështetjen e Perëndisë. Në të kaluarën, Perëndia bëri mrekulli për të treguar se i mbështeste njerëzit besnikë, si për shembull Moisiun. (Dalja 4:1-9, 29-31; Numrat 17:10) Të folurit në gjuhë të huaja shërbeu për një qëllim të ngjashëm, tregonte se Perëndia po e mbështeste kongregacionin e krishterë të sapoformuar. Apostulli Pavël shkroi: «Gjuhët janë si shenjë për jobesimtarët, jo për besimtarët.»—1 Korintasve 14:22.
T’u krijonte mundësi të krishterëve të jepnin dëshmi të plotë. Ata që i dëgjuan dishepujt e Jezuit në festën e Ditës së Pesëdhjetë thanë: «Ne i dëgjojmë të flasin në gjuhët tona për gjërat madhështore të Perëndisë.» (Veprat 2:11) Kështu, një tjetër qëllim i rëndësishëm i kësaj mrekullie ishte t’u krijonte mundësi të krishterëve ‘të jepnin dëshmi të plotë’ dhe ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, siç i kishte urdhëruar Jezui. (Veprat 10:42; Mateu 28:19) Rreth 3.000 veta që e panë atë mrekulli dhe e dëgjuan dëshminë e tyre, u bënë dishepuj po atë ditë.—Veprat 2:41.
A do të vazhdonte gjithmonë të folurit në gjuhë të huaja?
Jo. Dhuratat e frymës së shenjtë, përfshirë edhe të folurit në gjuhë të huaja, ishin të përkohshme. Në Bibël ishte parathënë: «Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen, nëse ka gjuhë, do të pushojnë.»—1 Korintasve 13:8.
Kur pushoi të folurit në gjuhë të huaja?
Në përgjithësi dhuratat e frymës së shenjtë u kaloheshin të krishterëve të tjerë në prani të apostujve, zakonisht kur apostujt vinin duart mbi ta. (Veprat 8:18; 10:44-46) Me sa duket, ata që i merrnin dhuratat e frymës nga apostujt nuk ua kalonin dot të tjerëve. (Veprat 8:5-7, 14-17) Ta ilustrojmë: një nëpunës i autorizuar mund t’i japë dikujt patentën e shoferit. Ama, ky person nuk ka autoritet ligjor që të pajisë dikë tjetër me patentë shoferi. Me sa duket, të folurit në gjuhë të huaja pushoi kur vdiqën apostujt dhe ata që e kishin marrë këtë dhuratë prej tyre.
Ç’të themi për të folurit në gjuhë të huaja sot?
Ka shumë të ngjarë që dhurata e të folurit në gjuhë të huaja pushoi nga fundi i shekullit të parë të e.s. Sot, askush nuk ka bazë të vlefshme për të thënë që flet në gjuhë të huaja falë fuqisë së Perëndisë. a
Si mund t’i dallojmë të krishterët e vërtetë?
Jezui tha se dishepujt e tij do të dalloheshin nga dashuria altruiste. (Gjoni 13:34, 35) Edhe apostulli Pavël shkroi se dashuria do të ishte shenjë identifikuese e të krishterëve të vërtetë, që do të mbetej përgjithmonë. (1 Korintasve 13:1, 8) Ai tregoi se fryma e Perëndisë do të prodhonte te të krishterët cilësi që i quajti «fryti i frymës», ku e para renditet dashuria.—Galatasve 5:22, 23.
a Shih artikullin «Të folurit në gjuhë të huaja a vjen nga Perëndia?»