Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Aftësia e sulës për t’u zhytur

Aftësia e sulës për t’u zhytur

 Sulat janë zogj deti të mëdhenj që zhyten në oqean me një shpejtësi maksimale prej 190 kilometrash në orë. Kur sula përplaset me sipërfaqen, goditja mund të jetë 20 herë më e madhe se forca e gravitetit. Por si arrin sula t’u mbijetojë për mrekulli zhytjeve të tilla, madje në mënyrë të përsëritur?

 Shqyrtoni faktet: Para se të përplaset me sipërfaqen e ujit, sula shtrin krahët prapa trupit, duke u bërë ngjashëm një shigjete. Gjithashtu i mbulon sytë me një membranë mbrojtëse dhe fryn organet rreth qafës dhe kraharorit, për të amortizuar përplasjen.

 Ndërsa çan sipërfaqen e oqeanit, sqepi, koka dhe qafa e sulës formojnë një kon. Falë kësaj forme forca e përplasjes shpërndahet në mënyrë të barabartë te muskujt e qafës. Menjëherë pas zhytjes sula e përshtat shikimin që të arrijë të shohë nën ujë.

 Sa thellë mund të zhytet sula? Forca e inercisë e fituar para se të prekë sipërfaqen, mund ta çojë këtë zog në një thellësi prej afro 11 metrash. Por, mund të shkojë edhe më thellë, nëse pas zhytjes vazhdon të përplasë krahët gjysmë të palosura e këmbët si lopata. Në fakt, sulat janë parë të zhyten deri në më shumë se 25 metra nën sipërfaqen e oqeanit. Pasi ka përfunduar zhytjen, pa u munduar shumë, sula niset drejt sipërfaqes dhe është gati të fluturojë sërish.

 Shih sulat ndërsa zhyten

 Studiuesit projektuan sula elektromekanike, që t’i asistonin në operacione kërkim-shpëtimi. Pritej që këta robotë të fluturonin, të zhyteshin nën ujë e më pas të fluturonin përsëri. Gjithsesi, gjatë testimit të prototipeve, një nga robotët pësoi defekt si pasojë e përplasjes së fortë me sipërfaqen e ujit. Nga kjo, studiuesit nxorën si përfundim se prototipi i tyre ‘nuk ishte në gjendje të zhytej si sulat’.

 Si mendoni? A erdhi me evolucion aftësia e sulës për t’u zhytur, apo është projektuar?