Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Sonari i delfinit

Sonari i delfinit

 Delfinët prodhojnë një sërë tingujsh e fishkëllimash, pastaj dëgjojnë jehonën që vjen prej tyre, e cila i ndihmon të lundrojnë dhe të eksplorojnë mjedisin përreth. Të frymëzuar nga kjo aftësi e delfinit hundëshishe (Tursiops truncatus) që quhet sonar, ose ekolokacion, shkencëtarët po krijojnë sisteme akustike nënujore që të zgjidhin probleme të cilat teknologjia ekzistuese s’i ka zgjidhur dot.

 Shqyrto faktet: Sonari e ndihmon delfinin të gjejë peshq të fshehur nën rërë në shtratin e detit dhe të dallojë një peshk nga një gur. Përveç kësaj, sipas Kith Braunit, docent në universitetin Heriot-Watt të Edinburgut, Skoci, delfinët mund «të dallojnë nga 10 metra distancë ndryshimin midis kontejnerëve me ujë të kripur, të ëmbël, me shurup apo me vaj». Shkencëtarët duan të prodhojnë pajisje që kanë aftësi të ngjashme.

Delfinët kanë aftësi të dallojnë nga dhjetë metra distancë se çfarë përmbajnë kontejnerët

 Studiuesit analizuan këtë aftësi të delfinëve dhe u përpoqën ta imitojnë. Si rezultat krijuan një pajisje sonare plot me pjesë elektronike të sofistikuara të vendosur në një cilindër më pak se një metër të gjatë. Kjo pajisje, e montuar në një mjet robotik nënujor e cila ngjason me një silur, u projektua për të inspektuar shtratin e detit, për të gjetur sende të groposura, si kabllo ose tubacione, dhe për t’i analizuar pa pasur nevojë për t’i prekur. Projektuesit parashikojnë që pajisja të përdoret në industrinë e naftës e të gazit natyror. Pajisja e frymëzuar nga delfini duhet të zgjerojë gamën e të dhënave që mund të mblidhen nga pajisjet aktuale sonare, duke i ndihmuar teknikët të vendosin aparaturat nënujore në vendin më të mirë, të diktojnë nëse ka ndonjë dëmtim​—si plasaritjet e vockla te këmbët mbajtëse të platformave naftënxjerrëse—​e madje të gjejnë bllokimet në tubacione.

 Si mendon? A erdhi me evolucion sonari i delfinit hundëshishe? Apo është projektuar?