A ËSHTË PROJEKTUAR?
Krahët e pozicionuar në formë v-je të fluturës së bardhë
Që të fluturojë, një flutur duhet të furnizojë muskujt me nxehtësinë e rrezeve të diellit. Por, në ditë të vrenjtura flutura e bardhë (Pieris rapae) e starton fluturimin më shpejt se fluturat e tjera. Cili është sekreti i saj?
Shqyrto faktet: Përpara se të ngrihen në ajër, fluturat marrin ca rreze, zakonisht me krahë të hapur ose të mbyllur. Ndërsa flutura e bardhë i pozicionon flatrat në formë v-je. Disa studime tregojnë se, që të arrijë nxehtësinë optimale, kjo flutur duhet t’i mbajë krahët në një kënd rreth 17 gradë. Kështu, energjia diellore përqendrohet te muskujt e kraharorit, duke i ngrohur që të fluturojë.
Studiues nga Universiteti i Ekseterit në Angli po përpiqen të imitojnë pozicionin e krahëve të kësaj fluture, që të krijojnë panele diellore më të efektshme. Në këtë mënyrë, prodhimi i energjisë u rrit me thuajse 50%.
Gjithashtu, ata kanë vërejtur se krahët e fluturës së bardhë janë tejet pasqyrues. Duke imituar pozicionin e krahëve të saj në formë v-je dhe strukturën e tyre reflektuese, studiuesit krijuan panele diellore më të lehta dhe më të efektshme. Prandaj, profesor Riçard Frenç-Konstanti, pjesëtar i skuadrës kërkimore, e quajti fluturën e bardhë «mjeshtre të akumulimit të energjisë diellore».
Si mendon? A erdhi me evolucion pozicioni në formë v-je i fluturës së bardhë? Apo është projektuar?