Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Aftësia e qelizave për t’u diferencuar

Aftësia e qelizave për t’u diferencuar

 Kur u ngjize, jeta jote filloi si një qelizë mikroskopike e quajtur zigotë. Por s’kaluan shumë muaj dhe more formën e një foshnjeje. Ajo qelizë e vogël u shumëfishua dhe u nda në mbi 200 lloje të ndryshme qelizash me forma, përmasa dhe funksione të ndryshme.

 Shqyrto faktet: Zigota kopjon ADN-në e vet dhe ndahet në dy qeliza të tjera. Qelizat e krijuara e përsëritin shumë herë këtë proces. Në fillim, të gjitha qelizat e reja janë pothuajse identike, por ADN-ja e tyre përmban të gjitha udhëzimet e nevojshme për të krijuar qeliza të llojeve të tjera.

 Një javë pas ngjizjes, qelizat fillojnë të diferencohen në dy lloje. Disa do të formojnë embrionin, kurse disa placentën dhe inde të tjera të cilat e ndihmojnë embrionin të rritet.

 Në javën e tretë qelizat e embrionit organizohen në tri shtresa. Ato që ndodhen në shtresën e jashtme, me kalimin e kohës diferencohen dhe kthehen në nerva, tru, gojë, lëkurë dhe qeliza të tjera. Qelizat në shtresën e mesme kthehen në gjak, kocka, veshka, muskuj dhe inde të tjera. Ndërsa qelizat në shtresën e brendshme formojnë organet e brendshme si mushkëritë, fshikëzën dhe pjesën më të madhe të sistemit tretës.

Ndërsa foshnja zhvillohet në barkun e nënës, qelizat shumëfishohen dhe diferencohen në mbi 200 lloje të ndryshme qelizash.

 Gjatë shtatzënisë disa qeliza lëvizin të vetme ose në grup, duke kaluar nga disa zona të embrionit në zona të tjera. Qeliza të tjera grupohen së bashku dhe formojnë cipa, kordonë e zgavra. Mirëpo i gjithë ky proces kërkon një koordinim të jashtëzakonshëm. Për shembull, në njëfarë pike, cipat e qelizave shndërrohen në kapilarë të vegjël. Kjo ndodh njëkohësisht në pjesë të ndryshme të embrionit. Më pas këta kapilarë zgjaten e degëzohen që të krijojnë sistemin e plotë të qarkullimit të gjakut.

 Kur një foshnjë e shëndetshme vjen në jetë, qindra miliarda qeliza tashmë janë diferencuar në llojin e duhur të qelizës, fiks në vendin dhe në kohën e duhur.

 Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e qelizës për t’u diferencuar? Apo është projektuar?