Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

2 Korintasve 12:9—«Hiri im të mjafton»

2 Korintasve 12:9—«Hiri im të mjafton»

 «Mirësia ime e pamerituar të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.»—2 Korintasve 12:9, Përkthimi Bota e Re.

 «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.»—2 Korintasve 12:9, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i 2 Korintasve 12:9

 Perëndia i premton apostullit Pavël se do t’i japë forcën e nevojshme për të përballuar sprovat dhe për të pasur sukses pavarësisht nga kufizimet.

 «Mirësia ime e pamerituar të mjafton.» Përgjigjja që u dha Zoti lutjeve të përsëritura të Pavlit mund të përkthehet edhe «mirësia ime është gjithçka për të cilën ke nevojë». Me fjalë të tjera, mirësia e pamerituar e Perëndisë ishte më se e mjaftueshme për ta ndihmuar Pavlin që të përballonte sprovat. Pse e themi këtë? Fjala e përkthyer «mirësi e pamerituar», ose «hir», përshkruan një dhuratë falas dhe të pamerituar që Perëndia e jep plot bujari. Në letrat e tij, Pavli tregoi se nxori tej mase dobi nga mirësia e pamerituar e Perëndisë. Ndonëse në të kaluarën ai i kishte përndjekur të krishterët, Zoti i dha forcën që i duhej për të ndryshuar sjelljen e për t’i ndihmuar të tjerët të bëheshin të krishterë. (1 Korintasve 15:9, 10; 1 Timoteut 1:12-14) Pavli mund të ishte plotësisht i sigurt se, falë ndihmës së Perëndisë, do të kapërcente çfarëdo problemi ose sfide të haste.

 «Sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» Perëndia Jehova a i kujton Pavlit se fuqia e Tij duket më qartë kur vepron te njerëzit e dobët e të papërsosur. (2 Korintasve 4:7; 12:8) Kur të krishterët pranojnë kufizimet e tyre dhe i drejtohen për ndihmë Jehovait, lejojnë që fuqia e Perëndisë të veprojë plotësisht te ta. (Efesianëve 3:16; Filipianëve 4:13) Në këtë kuptim, dobësia njerëzore nxjerr në pah fuqinë e Perëndisë.

Konteksti i 2 Korintasve 12:9

 Nën frymëzim, Pavli u shkroi një letër të krishterëve në Korint rreth vitit 55 të e.s. Në pjesën e fundit të letrës, ai mbrojti të drejtën e tij për të qenë apostull. Pavli u nxit ta bënte këtë ngaqë disa mësues të vetshpallur e kishin kritikuar, mbase duke e gjykuar për shkak të pamjes ose të aftësive oratorike.—2 Korintasve 10:7-10; 11:5, 6, 13; 12:11.

 Në mbrojtje të tij, Pavli shpjegoi se me forcat e veta s’do t’ia kishte dalë kurrë ta kryente plotësisht shërbimin dhe të qëndronte besnik në sprovat e panumërta. (2 Korintasve 6:4; 11:23-27; 12:12) Në kapitullin 12, ai flet në mënyrë figurative për «një gjemb në trup», me sa duket një problem i vazhdueshëm që i shkaktonte dhembje fizike ose emocionale. (2 Korintasve 12:7) Megjithëse nuk tregoi se çfarë problemi kishte, Pavli ishte i vendosur që ta përballonte me ndihmën e Perëndisë.

 Edhe të krishterët sot mund të hasin sprova dhe përndjekje. Por marrin zemër kur dinë se, falë fuqisë së Perëndisë, mund të përballojnë me sukses çdo sfidë të jetës. Ashtu si Pavli, ata thonë plot siguri: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2 Korintasve 12:10.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të 2 Korintasve.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»