Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Eklisiastiu 3:11—«Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet»

Eklisiastiu 3:11—«Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet»

 «Ai e ka bërë çdo gjë të bukur në kohën e vet, madje ka vënë edhe përjetësinë në zemrat e njerëzve. Prapëseprapë, ata nuk do ta zbulojnë dot kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»—Eklisiastiu 3:11, Përkthimi Bota e Re.

 «Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.»—Eklisiastiu 3:11, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Eklisiastiut 3:11

 «Ai e ka bërë çdo gjë të bukur në kohën e vet.» Fjala hebraike që përkthehet «e bukur», mund të mos lidhet vetëm me bukurinë fizike ose estetike. Mund të përkthehet edhe «me rregullsi», «siç duhet» ose «në mënyrë të përshtatshme». (Eklisiastiu 3:11, shënimi) Veprat e bukura të Perëndisë nuk përfshijnë thjesht gjithçka që ka krijuar, por edhe gjithçka që bën Ai për të përmbushur vullnetin e tij.—Danieli 2:21; 2 Pjetrit 3:8; Zbulesa 4:11.

 «Madje ka vënë edhe përjetësinë në zemrat e njerëzve.» Zoti i krijoi njerëzit që të jetojnë përgjithmonë. (Psalmi 37:29) Prandaj është logjike që u vuri në zemër edhe dëshirën për të jetuar pa fund. Megjithatë, çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, nuk iu bindën Perëndisë, dhe si pasojë i sollën vdekjen vetes dhe pasardhësve të tyre. (Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12) Mirëpo, Perëndia premton ‘të plotësojë dëshirën e çdo krijese’, pra, edhe dëshirën e njerëzve për të jetuar përgjithmonë. (Psalmi 145:16) Bibla shpjegon se Jehovai ka marrë masa që njerëzit të kenë sërish mundësinë për të jetuar në pafundësi.—Romakëve 6:23.

 «[Njerëzit] nuk do ta zbulojnë dot kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.» Mençuria e Perëndisë është kaq e thellë dhe e pafund, saqë Bibla thotë se ajo është e «pahetueshme». (Romakëve 11:33) Gjithsesi, Perëndia dëshiron t’ua zbulojë qëllimin e tij atyre që duan t’i kënaqin zemrën.—Amosi 3:7.

Konteksti i Eklisiastiut 3:11

 Librin e Eklisiastiut e shkroi Solomoni, një mbret në Izraelin e lashtë, i famshëm për mençurinë që i dha Perëndia. Ai përmban këshilla praktike si për gjërat që kanë vërtet rëndësi në jetë, ashtu dhe për gjërat e kota e të pavlera. (Eklisiastiu 1:2, 3; 2:1, 17; 7:1; 12:1, 13) Në kapitullin 3, Solomoni përshkruan vazhdimësinë e disa cikleve jetësore. Aty përmenden punë e veprimtari të ndryshme me të cilat merren njerëzit. (Eklisiastiu 3:1-8, 10) Zoti u ka dhënë njerëzve lirinë që të zgjedhin me cilën nga këto veprimtari të merren dhe kur ta bëjnë këtë. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Josiu 24:15) Solomoni shpjegon se njerëzit mund t’i shijojnë plotësisht rezultatet e përpjekjeve të tyre vetëm kur bashkëpunojnë me qëllimin e Perëndisë dhe kur respektojnë ‘kohën e caktuar’, ose programin, e Tij. Solomoni e quajti këtë «dhuratë nga Perëndia».—Eklisiastiu 3:1, 12, 13.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Eklisiastiut.