Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Eksodi 20:12—«Ndero babanë dhe nënën tënde»

Eksodi 20:12—«Ndero babanë dhe nënën tënde»

 «Ndero babanë dhe nënën tënde, që të jetosh gjatë në vendin që po të jep Jehovai, a Perëndia yt.»—Eksodi 20:12, Përkthimi Bota e Re.

 «Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.»—Eksodi 20:12, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Eksodit 20:12

 Perëndia i urdhëroi izraelitët e lashtë të nderonin prindërit. Bashkë me urdhërimin u dha edhe një premtim, që të kishin një arsye më shumë pse t’i bindeshin. Ndonëse Ligji që Perëndia ua dha izraelitëve (quajtur ndryshe Ligji i Moisiut) nuk është më në fuqi, standardet e tij nuk kanë ndryshuar. Parimet mbi të cilat është themeluar Ligji i Perëndisë kanë vlerë edhe sot, ja pse janë të rëndësishme për të krishterët.—Kolosianëve 3:20.

 Fëmijët—qofshin të vegjël apo të rritur—i nderojnë prindërit kur i respektojnë dhe u binden. (Levitiku 19:3; Proverbat 1:8) Edhe kur krijojnë familjen e tyre, fëmijët vazhdojnë t’i duan e t’i ndihmojnë prindërit. Për shembull, sigurohen që prindërit e moshuar të kenë kujdesin e duhur, e madje i ndihmojnë financiarisht nëse lind nevoja.—Mateu 15:4-6; 1 Timoteut 5:4, 8.

 Mbaj parasysh se, në Izraelin e lashtë, fëmijët duhet të nderonin edhe babanë, edhe nënën, duke pranuar kështu rolin e rëndësishëm të nënës në familje. (Proverbat 6:20; 19:26) Edhe sot fëmijët duhet të bëjnë po njësoj.

 Urdhërimi për të nderuar prindërit kishte përjashtime. Fëmijët izraelitë nuk duhej t’u bindeshin as prindërve, as ndonjë njeriu tjetër, nëse bindja ndaj tyre do të thoshte të mos i bindeshin Perëndisë. (Ligji i përtërirë 13:6-8) Parimi i këtij ligji vlen edhe sot: të krishterët i binden «Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve».—Veprat 5:29.

 Në Ligjin që u dha izraelitëve, Perëndia premtoi se, fëmijët që do të nderonin prindërit, ‘do të jetonin gjatë dhe do të kishin sukses’ në vendin që Perëndia po u jepte. (Ligji i përtërirë 5:16, shënimi) Nuk do të ndëshkoheshin si fëmijët në moshë të rritur që shpërfillnin këtë ligj të Perëndisë dhe rebeloheshin ndaj prindërve. (Ligji i përtërirë 21:18-21) Koha nuk i ka ndryshuar parimet që fshihen pas këtyre ligjeve. (Efesianëve 6:1-3) Qofshim të vegjël a të rritur, do t’i japim llogari Krijuesit për mënyrën si sillemi me prindërit. Tamam siç ka premtuar, fëmijët që i binden atij dhe prindërve do të kenë jetë të gjatë. Faktikisht kanë perspektivën e jetës së përhershme.—1 Timoteut 4:8; 6:18, 19.

Konteksti i Eksodit 20:12

 Në renditjen e Dhjetë Urdhërimeve, urdhri i Eksodit 20:12 zë një vend të rëndësishëm. (Eksodi 20:12, 1-17) Urdhërimet që e paraprinin, u tregonin izraelitëve detyrimet që kishin ndaj Perëndisë, siç ishte urdhri për të adhuruar vetëm atë. Ndërsa urdhërimet pasuese, tregonin detyrimet që kishin ndaj njerëzve, siç ishte urdhri për të mos e tradhtuar bashkëshortin dhe për të mos vjedhur. Prandaj urdhri ‘për të nderuar babanë dhe nënën’, është konsideruar si një urë lidhëse ndërmjet dy kategorive të urdhërimeve.

Lexo kapitullin 20 të Eksodit bashkë me shënimet shpjeguese dhe referimet.

a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.