SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Filipianëve 4:13—«Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit»
«Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13, Përkthimi Bota e Re.
«Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.»—Filipianëve 4:13, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Filipianëve 4:13
Këto fjalë, të cilat i shkroi apostulli Pavël, u japin siguri atyre që adhurojnë Zotin se do të marrin fuqi për të përmbushur vullnetin e tij.
Disa përkthime të Biblës thonë se ai që i dha fuqi Pavlit, ishte Krishti. Megjithatë, fjala Krisht nuk shfaqet në këtë varg në dorëshkrimet më të vjetra greke. Prandaj, shumë përkthime moderne përdorin shprehje të tilla, si «atij që më jep fuqi» (Përkthimi Bota e Re dhe Filipaj), «atij që më jep forcë» (New International Version) dhe «atij që është burimi i forcës sime» (New American Bible). Atëherë, për kë e kishte fjalën Pavli?
Konteksti tregon se ai po i referohej Perëndisë. (Filipianëve 4:6, 7, 10) Më përpara në këtë letër, Pavli u shkroi filipianëve: «Vetë Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë . . . fuqinë që të veproni.» (Filipianëve 2:13) Te 2 Korintasve 4:7 shkroi se ai që i jepte fuqi për të kryer shërbimin, ishte Zoti. (Krahaso 2 Timoteut 1:8.) Prandaj ka arsye të vlefshme për të arritur në përfundimin se Pavli po i referohej Zotit kur thotë «atij që më jep fuqi».
Ç’donte të thoshte Pavli kur shkroi se do të merrte fuqi «për çdo gjë»? Me sa duket, gjërat për të cilat e ka fjalën këtu, ishin situatat e ndryshme që pati ndërsa bënte vullnetin e Perëndisë. Pavarësisht nëse kishte shumë apo pak nga ana materiale, ai e la veten në kujdesin e Perëndisë. Pra mësoi të ishte i kënaqur në çdo lloj rrethane.—2 Korintasve 11:23-27; Filipianëve 4:11.
Fjalët e Pavlit mund t’u japin siguri adhuruesve të Perëndisë sot. Perëndia do t’u japë forcën e nevojshme që të qëndrojnë në sprova dhe të bëjnë vullnetin e tij. Ai mund t’i fuqizojë me frymën e shenjtë, ose forcën aktive, si dhe me anë të bashkëbesimtarëve dhe me anë të Fjalës së tij, Biblës.—Luka 11:13; Veprat 14:21, 22; Hebrenjve 4:12.
Konteksti i Filipianëve 4:13
Ky varg është pjesë e fjalëve të fundit në letrën e Pavlit drejtuar të krishterëve në Filipi. Ai e shkroi letrën rreth vitit 60-61 të e.s. gjatë burgosjes së parë në Romë. Për njëfarë kohe, të krishterët në Filipi nuk e kishin mbështetur dot Pavlin nga ana materiale. Mirëpo tani po i dërgonin dhurata që të kishte gjërat e nevojshme.—Filipianëve 4:10, 14.
Pavli i lavdëron me gjithë zemër për bujarinë dhe i siguron se kishte çdo gjë që i nevojitej. (Filipianëve 4:18) Gjithashtu shfrytëzoi rastin t’u tregonte një të vërtetë të rëndësishme për jetesën si i krishterë: të gjithë të krishterët, të varfër a të pasur, mund të jenë vërtet të kënaqur nëse mbështeten te Perëndia për ndihmë.—Filipianëve 4:12.