Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Gjoni 14:27—«Unë po ju lë paqen»

Gjoni 14:27—«Unë po ju lë paqen»

 «Po ju jap paqen, po, paqen time, por jo siç e jep bota. Mos lejoni që zemra juaj të trazohet a të mpaket nga frika.»—Gjoni 14:27, Përkthimi Bota e Re.

 «Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.»—Gjoni 14:27, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Gjonit 14:27

 Me këto fjalë, Jezui i siguroi me dashuri apostujt se nuk kishin pse të merakoseshin së tepërmi kur të hasnin vështirësi. Njësoj si Jezui, edhe ata mund të ruanin paqen e brendshme me ndihmën e Perëndisë.

 Ç’lloj paqeje u la, ose u dha, Jezui apostujve? Jezui u dha paqen e tij, pra të njëjtën paqe që përjetoi edhe vetë. Kjo paqe nuk nënkuptonte thjesht mungesën e konflikteve ose të vështirësive. (Gjoni 15:20; 16:33) Edhe pse Jezuin e trajtuan padrejtësisht dhe në fund e ekzekutuan, ai kishte paqe në mendje dhe në zemër. (Luka 23:27, 28, 32-34; 1 Pjetrit 2:23) Qetësia e brendshme që ndiente, buronte nga dijenia se kishte dashurinë dhe miratimin e Atit të tij, Jehovait. aMateu 3:16, 17.

 Jezui u dha paqe apostujve duke i siguruar se ai dhe i Ati i donin dhe i miratonin. (Gjoni 14:23; 15:9, 10; Romakëve 5:1) Kjo paqe, që bazohej te besimi i tyre se Jezui ishte Biri i Perëndisë, ua veniti frikërat dhe meraqet. (Gjoni 14:1) Megjithëse Jezui nuk do të ishte më fizikisht me ta, u premtoi se fryma e shenjtë e Perëndisë do t’i ndihmonte të ndienin siguri dhe paqe të brendshme. (Gjoni 14:25-27) Bindja se kishin miratimin dhe mbështetjen e Jehovait, do t’i ndihmonte dishepujt e Jezuit t’i përballonin me guxim situatat e vështira.—Hebrenjve 13:6.

 Kur Jezui ishte në tokë, njerëzit e kishin zakon që t’i përshëndetnin të tjerët duke u uruar paqe. (Mateu 10:12, 13) Por Jezui nuk u mjaftua vetëm duke u uruar paqe apostujve; ai u dha paqe. Për më tepër, paqja që u dha Jezui ndryshonte krejt nga çdo lloj paqeje që mund të japë bota. b Bota mund të japë njëfarë paqeje nëpërmjet marrëdhënieve njerëzore, pasurisë, famës ose pozitës. Por paqja e Jezuit nuk varet nga faktorë të jashtëm, përkundrazi është një paqe e brendshme e qëndrueshme.

Konteksti i Gjonit 14:27

 Jezui ua tha këto fjalë apostujve besnikë natën para se të vdiste. Atë natë u tha edhe se shumë shpejt do të largohej prej tyre. (Gjoni 13:33, 36) Sa i hidhëroi apostujt ky lajm! (Gjoni 16:6) Ja pse Jezui u dha siguri duke u shpjeguar pse nuk duhej të merakoseshin se çfarë do të ndodhte pas ikjes së tij.

 Fjalët e Jezuit u japin zemër edhe të krishterëve sot. Edhe ne mund të kemi paqe. (2 Selanikasve 3:16) Kur bëhemi dishepuj të Jezuit, mësojmë se ai dhe Ati i tij, Jehovai, na duan dhe na miratojnë. (Kolosianëve 3:15; 1 Gjonit 4:16) Prandaj nuk ka pse të jemi tepër në ankth. Pse? Sepse kemi Perëndinë në krahun tonë.—Psalmi 118:6; Filipianëve 4:6, 7; 2 Pjetrit 1:2.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Gjonit.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Lexo artikullin «Kush është Jehovai?»

b Në Bibël fjala «botë» mund t’i referohet shoqërisë njerëzore të ndarë nga Perëndia.