Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Isaia 26:3—«Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur»

Isaia 26:3—«Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur»

 «Ti do t’i ruash ata që mbështeten plotësisht te ti; do t’u japësh paqe të pafund, sepse te ti kanë besim.»—Isaia 26:3, Përkthimi Bota e Re.

 «Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.»—Isaia 26:3, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Isaisë 26:3

 Me këto fjalë zemërdhënëse, profeti Isaia tregon se Perëndia i mbron ata që besojnë plotësisht tek Ai. Këtë e bën duke i ndihmuar të ndiejnë siguri dhe paqe të brendshme.

 «Ti do t’i ruash ata që mbështeten plotësisht te ti.» Kjo pjesë e vargut flet për ata që janë absolutisht të vendosur në mendje që t’i besojnë Perëndisë Jehova a në çdo situatë. Ata që i besojnë Zotit e kuptojnë se kanë nevojë të drejtohen prej tij. Për shembull, nuk mbështeten te mençuria e tyre kur janë para vendimeve të rëndësishme. Përkundrazi, marrin parasysh mendimin e Perëndisë në gjithçka që bëjnë. (Proverbat 3:5, 6) Arrijnë ta kuptojnë pikëpamjen e Perëndisë për një çështje duke lexuar me kujdes Fjalën e tij, Biblën, dhe duke menduar thellë për atë që lexojnë. (Psalmi 1:2; 119:15) Kur hasin vështirësi, i luten me zjarr Jehovait për t’i kërkuar ndihmë. (Psalmi 37:5; 55:22) Në këtë mënyrë, ata tregojnë se mbështeten me besim te Perëndia, dhe, si rezultat, Ai u fal paqe.

 «Do t’u japësh paqe të pafund.» Në hebraishten origjinale, fjala «paqe» në këtë varg del dy herë për emfazë; ndaj, për të pasqyruar të njëjtën emfazë, kjo shprehje mund të përkthehet «paqe e pafund», «paqe e përsosur» ose «paqe e plotë». Me fjalë të tjera, ata që besojnë pa rezerva te Jehovai gëzojnë një ndjenjë paqeje e qetësie që nuk varet nga rrethanat ku gjenden. (Psalmi 112:7; 119:165) Kjo paqe është rezultat i miqësisë së ngushtë me Jehovain dhe i përpjekjeve të mëdha për të bërë gjërat që i pëlqejnë Atij.—Proverbat 3:32; Isaia 48:18.

 Fakti që adhuruesit e Perëndisë ndiejnë «paqe të pafund» nuk do të thotë se Ai ua heq të gjitha problemet dhe i çliron nga çfarëdolloj ankthi. (1 Samuelit 1:6, 7; Jobi 6:1, 2; Psalmi 31:9) Në vend të kësaj, Ai i ndihmon t’i përballojnë vështirësitë që hasin. (Isaia 41:10, 13) U përgjigjet lutjeve të tyre duke u dhënë mençuri, forcë e ngushëllim. (Psalmi 94:19; Proverbat 2:6; Isaia 40:29) Ja pse mund të gëzojnë paqe edhe kur janë në hall.—Filipianëve 4:6, 7.

Konteksti i Isaisë 26:3

 Profeti Isaia jetoi gjatë shekullit të tetë p.e.s. Në atë kohë dhe në vitet që pasuan, shumë veta në Judë nuk e adhuronin me besnikëri Perëndinë Jehova. Si pasojë, Jehovai lejoi që, në fund, armiqtë t’ua shkatërronin kryeqytetin, Jerusalemin, në vitin 607 p.e.s.

 Mirëpo, mbi 100 vjet para shkatërrimit, Isaia shkroi një këngë profetike për të lëvduar Jehovain, e cila është dokumentuar në kapitullin 26. (Isaia 26:1-6) Kjo këngë fliste për një të ardhme kur një qytet në vendin e Judës, me sa duket Jerusalemi, do të rindërtohej e do të banohej sërish.

 Jerusalemi u rindërtua pas vitit 537 p.e.s. Kur ndodhi kjo, judenjtë besnikë që u kthyen në atdhe mund të ndiheshin të sigurt dhe të thoshin: «Ne kemi një qytet të fortë.» (Isaia 26:1) Megjithatë, qytetin nuk e bënin të fortë muret e fortifikuara. Siguria e tij varej nga bekimi dhe nga mbrojtja e Jehovait.—Isaia 26:2.

 Njësoj është edhe sot. Ata që besojnë plotësisht te Perëndia ndihen të sigurt, sepse e konsiderojnë Jehovain ‘Shkëmbin’, ose strehën e tyre.—Isaia 26:4.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Isaisë.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»