SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Isaia 42:8—«Unë jam Zoti»
«Unë jam Jehovai. Ky është emri im; lavdinë time nuk ia jap askujt tjetër, as lëvdimin që më takon, shëmbëlltyrave të skalitura.»—Isaia 42:8, Përkthimi Bota e Re.
«Unë jam Zoti, ky është emri im, nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.»—Isaia 42:8, Diodati i Ri.
Kuptimi i Isaisë 42:8
Perëndia na tregon emrin e tij dhe shton se nuk i ndan me idhujt lavdinë e nderimin që i takon.
Perëndia i vuri vetes këtë emër, i cili në shqip zakonisht është përkthyer «Jehova» ose «Jahve». a (Eksodi 3:14, 15) Edhe pse emri hyjnor shfaqet pothuajse 7.000 herë në Dhiatën e Vjetër (Shkrimet Hebraiko-Aramaike), shumë përkthyes e kanë zëvendësuar me titullin «Zot». Një rast të tillë e shohim te Psalmi 110:1, që në mënyrë profetike i referohet Jehovait dhe Jezuit. Te Bibla Diodati i Ri, lexojmë: «Zoti [Jehovai] i thotë Zotërisë tim [Jezuit].» (Krahaso Veprat 2:34-36) Duke vendosur emrin hyjnor në vendin ku i takon me të drejtë, Përkthimi Bota e Re eliminon çdo lloj ngatërrimi mes këtyre dy personave. Aty thuhet: «Jehovai i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’»
Disa studiues besojnë se emri hyjnor ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Vetëm Perëndia i vërtetë mund të jetojë në lartësinë e këtij emri, sepse është i vetmi që mund të shkaktojë që Ai vetë ose krijimi i tij të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme për të plotësuar qëllimin që ka.
Meqë është Krijuesi dhe i vetmi Perëndi i vërtetë, Jehovai meriton t’i përkushtohemi vetëm atij. Askush dhe asgjë tjetër nuk ka të drejtë të marrë adhurimin tonë, përfshirë këtu edhe idhujt e shëmbëlltyrat.—Eksodi 20:2-6; 34:14; 1 Gjonit 5:21.
Konteksti i Isaisë 42:8
Në vargjet e para të kapitullit 42 të Isaisë, Jehovai paratha se çfarë do të bënte ‘i zgjedhuri i tij’. Perëndia tha se ky shërbëtor i miratuar «do t’u sjellë drejtësi kombeve». (Isaia 42:1) Lidhur me këtë premtim, Perëndia tha: «Tani po shpall gjëra të reja. Unë do t’jua tregoj para se ato të shfaqen.» (Isaia 42:9) Profecia për ‘të zgjedhurin’ u bë realitet shekuj më vonë kur Mesia, ose Krishti, erdhi në tokë dhe përmbushi shërbimin e tij.—Mateu 3:16, 17; 12:15-21.
Isaia 42:8 nga përkthime të tjera
«Unë jam Jehovai, ky është emri im; dhe lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.»—The ‘Holy Scriptures’, nga J. N. Darbi.
«Unë jam Jehovai; ky është emri Im; dhe lavdinë Time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin Tim ndonjë shëmbëlltyre të gdhendur.»—A Literal Translation of the Bible.
a Emri i Perëndisë në hebraisht përbëhet nga katër bashkëtingëllore, që në shqip paraqiten nëpërmjet shkronjave JHVH. Në disa përkthime emri i Perëndisë është lënë «Jahve». Për më shumë informacion, shih artikullin «Emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike» te Shtojca A4 e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re.