Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Jeremia 33:3—«M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem»

Jeremia 33:3—«M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem»

 «Më thirr dhe do të të përgjigjem, e menjëherë do të të tregoj gjëra të mëdha e të pakuptueshme, gjëra që nuk i ke ditur.»—Jeremia 33:3, Përkthimi Bota e Re.

 «M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.»—Jeremia 33:3, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Jeremisë 33:3

 Me këto fjalë, Perëndia i ftoi njerëzit ta thërritnin në lutje. Nëse e pranonin ftesën dhe i luteshin Perëndisë, ai do t’u tregonte se çfarë do të ndodhte në të ardhmen.

 «Më thirr dhe do të të përgjigjem.» Shprehja «më thirr» nuk do të thotë thjesht të thërrasim emrin e Perëndisë. Por në kontekst, të thërrasim Perëndinë do të thotë t’i lutemi atij për ndihmë e drejtim.—Psalmi 4:1; Jeremia 29:12.

 Me sa duket, kjo ftesë i drejtohej kombit të lashtë të Izraelit. Ky komb ishte larguar nga Perëndia dhe kërcënohej nga ushtria babilonase. (Jeremia 32:1, 2) Jehovai a i ftoi izraelitët të ktheheshin tek ai duke e thirrur në lutje për ndihmë.

 «Do të të tregoj gjëra të mëdha e të pakuptueshme, gjëra që nuk i ke ditur.» Gjërat që Perëndia premton të zbulojë janë «të pakuptueshme» (ose të paarritshme), në sensin që njerëzit nuk mund t’i kuptojnë kurrë vetë. Shprehja «gjëra . . . të pakuptueshme» mund të përkthehet edhe «gjëra të fshehura».

 Çfarë «gjërash të fshehura» do të zbulonte Perëndia? Ngjarje të së ardhmes—pra, shkatërrimin dhe shkretimin e qytetit të lashtë të Jerusalemit, si edhe rivendosjen e tij më vonë. (Jeremia 30:1-3; 33:4, 7, 8) Gjithashtu, Perëndia tregoi se adhuruesit e tij nuk do të zhdukeshin si komb.—Jeremia 32:36-38.

Konteksti i Jeremisë 33:3

 Profeti Jeremia e mori këtë mesazh nga Jehovai në vitin 608 p.e.s., në vitin e 10-të të mbretërimit të Zedekisë. Jeremia kishte parathënë se Jerusalemi do të binte në duart e babilonasve dhe se Zedekinë do ta merrnin rob. Meqë nuk i pëlqeu ky mesazh, mbreti dha urdhër që Jereminë ta mbanin në arrest.—Jeremia 32:1-5; 33:1; 37:21.

 Pikërisht në këtë situatë, Perëndia bëri ftesën që gjejmë te Jeremia 33:3. Mjerisht, mbreti Zedekia dhe shumica e popullit nuk hoqën dorë nga rebelimi. (Jeremia 7:26; 25:4) Ata nuk e thirrën Perëndinë që të kërkonin drejtimin e tij. Një vit më vonë, Zedekinë e hoqën nga froni, Jerusalemin e shkatërruan dhe shumicën e të mbijetuarve i morën robër dhe i çuan në Babiloni.—Jeremia 39:1-7.

 Fjalët e dokumentuara te Jeremia 33:3 u kujtojnë lexuesve sot se Perëndia mund të sigurojë «njohuri të saktë për vullnetin e tij» dhe t’u zbulojë «gjërat e thella» atyre që e studiojnë Fjalën e tij, Biblën, dhe i luten për ta kuptuar. (Kolosianëve 1:9; 1 Korintasve 2:10) Këto gjëra të thella përfshijnë premtimet e Perëndisë për të ardhmen e afërt.—Zbulesa 21:3, 4.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Jeremisë.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»