SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Josiu 1:9—«Ji i fortë dhe trim»
«A nuk të urdhërova të ishe i fortë dhe guximtar? Tani po të urdhëroj prapë: ji i fortë dhe guximtar. Mos u tmerro e mos u frikëso, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.»—Josiu 1:9, Përkthimi Bota e Re.
«A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.»—Josiu 1:9, Diodati i Ri.
Kuptimi i Josiut 1:9
Me këto fjalë, Perëndia Jehova a e siguroi adhuruesin e tij besnik, Josiun, se mund të ishte «i fortë dhe guximtar», pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat në dukje të pakapërcyeshme. Nëse Josiu do t’u bindej urdhërimeve të Jehovait, s’kishte pse ta frikësonte e ardhmja, sepse vetë Perëndia do të ishte në krahun e tij e do ta ndihmonte t’ia dilte mbanë. Duke i dhënë udhëzime dhe fitore mbi armiqtë e tij, Perëndia tregoi se ishte me të.
Si mund të bëhej Josiu «i fortë dhe guximtar»? Nëpërmjet shkrimeve të frymëzuara që kishte siguruar Jehovai në atë kohë. Në to përfshihej ‘tërë Ligji që i urdhëroi [Josiut] b Moisiu, shërbëtori [i Jehovait]’. (Josiu 1:7) Jehovai i tha Josiut: «Lexoje nën zë [‘mendohu për të’, Dio] ditë e natë.» (Josiu 1:8) Leximi dhe meditimi ia shtuan vendosmërinë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Pastaj, Josiu duhej të jetonte në përputhje me atë që kishte mësuar në Fjalën e Perëndisë, ‘që të zbatonte me kujdes gjithçka që ishte shkruar në të’. Në këtë mënyrë do të vepronte me mençuri dhe do të kishte sukses. Dhe tamam kështu ndodhi. Edhe pse hasi vështirësi, Josiu bëri një jetë të kënaqshme e kuptimplotë si adhurues besnik i Jehovait.—Josiu 23:14; 24:15.
Fjalët që i tha Jehovai Josiut, na japin zemër edhe neve sot. Ato tregojnë sa merak ka Jehovai për të gjithë adhuruesit e tij, sidomos kur hasin probleme. Ai dëshiron që, si Josiu, edhe ata t’ia dalin mbanë. Ashtu si Josiu, mund të jenë ‘të fortë dhe guximtarë’ duke e lexuar rregullisht Fjalën e Perëndisë, Biblën, duke medituar për të dhe duke vepruar në harmoni me drejtimin e saj.
Konteksti i Josiut 1:9
Pas vdekjes së Moisiut, Jehovai urdhëroi që kombin e Izraelit ta udhëhiqte Josiu. (Josiu 1:1, 2) Në atë kohë izraelitët po përgatiteshin për të hyrë në Tokën e Premtuar, në vendin e Kananit. Mirëpo duhej të përballeshin me armiq të fuqishëm. Për shembull, Josiu duhej të luftonte me kananitët që ishin tmerrësisht të ligj. c (Ligji i përtërirë 9:5; 20:17, 18) Veç kësaj, ata ishin më të shumtë në numër dhe më të armatosur se izraelitët. (Josiu 9:1, 2; 17:18) Gjithsesi, Josiu i ndoqi me guxim udhëzimet e Jehovait. Dhe Perëndia tregoi se ishte vërtet me të, sepse për vetëm gjashtë vjet izraelitët mposhtën shumicën e armiqve.—Josiu 21:43, 44.
a Emri Jehova është përkthimi në shqip i emrit të Zotit nga hebraishtja, nga katër shkronjat יהוה (JHVH), që njihen si Tetragrami. Te Bibla Diodati i Ri, ky emër është përkthyer «Zot» në këtë varg. Për të ditur më shumë për Jehovain dhe për arsyet pse disa përkthime të Biblës nuk e përdorin këtë emër, shih artikullin «Kush është Jehovai?»
b Ka shumë të ngjarë që shkrimet e frymëzuara që kishte në dispozicion Josiu, dhe që sot i gjejmë në Bibël, të përfshinin pesë librat e Moisiut (Zanafillën, Eksodin, Levitikun, Numrat dhe Ligjin e përtërirë), librin e Jobit dhe një ose dy psalme.
c Për të kuptuar pse këto luftëra ishin të domosdoshme, shih artikullin «Pse Perëndia luftoi kundër kananitëve?» në Kullën e Rojës të 1 janarit 2010.