SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Luka 1:37—«Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme»
«Sepse asgjë nuk është e pamundur për Perëndinë.»—Luka 1:37, Përkthimi Bota e Re.
«Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.»—Luka 1:37, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.
Kuptimi i Lukës 1:37
Perëndia i Plotfuqishëm mund të bëjë gjëra të pamundura nga këndvështrimi njerëzor. Asgjë nuk mund ta pengojë të plotësojë çfarë thotë ose premton.
Termi «asgjë», në gjuhën origjinale mund të nënkuptojë edhe një «fjalë» ose një «thënie»—në këtë rast, të Perëndisë. Mund të nënkuptojë edhe përfundimin e një thënieje të Perëndisë Jehova a. Meqenëse fjala e Perëndisë del gjithnjë e vërtetë, Luka 1:37 mund të përkthehet: «Sepse premtimet e Perëndisë nuk mund të dështojnë kurrë» ose «Sepse, me Perëndinë, asgjë nuk është e pamundur». Këto variante përkthimesh nga teksti origjinal grek, përcjellin të njëjtën të vërtetë thelbësore: asnjë fjalë ose premtim i Perëndisë nuk do të rrijë pa u plotësuar, sepse asgjë nuk është e pamundur për të.—Isaia 55:10, 11.
Shprehje të ngjashme për premtimet e Perëndisë gjenden edhe në vende të tjera të Biblës. Për shembull, Jehovai, nëpërmjet një engjëlli, paratha se Sara, bashkëshortja pa fëmijë e Abrahamit, do të mbetej shtatzënë në pleqëri. Perëndia shtoi: «A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?» (Zanafilla 18:13, 14) Pasi mendoi për krijimet e Perëndisë, patriarku Job pranoi: «S’ka asgjë të paarritshme për ty.» (Jobi 42:2) Dhe, kur disa nga dishepujt e Jezuit kishin dyshime nëse i plotësonin standardet që Perëndia t’i shpëtonte, Jezui u kujtoi se «me Perëndinë gjithçka është e mundur».—Mateu 19:25, 26. b
Konteksti i Lukës 1:37
Një engjëll i quajtur Gabriel, i tha fjalët e Lukës 1:37 një virgjëreshe të re judeje, me emrin Mari. Gabrieli sapo i kishte thënë se do të lindte ‘Birin e Më të Lartit’ dhe ‘do t’ia vinte emrin Jezu’. Ai do të bëhej Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, një Mbretëri që s’do të kishte fund.—Luka 1:26-33; Zbulesa 11:15.
Maria pyeti si mund të ndodhte një gjë e tillë, meqë ishte e pamartuar dhe ‘s’kishte pasur marrëdhënie me asnjë burrë’. (Luka 1:34, 35) Gabrieli iu përgjigj se Perëndia do të përdorte frymën e tij të shenjtë ose forcën vepruese. Në atë kohë, Jezui ishte një bir engjëllor i Perëndisë në qiell. Prandaj Jehovai përdori frymën e tij të shenjtë për të transferuar nga qielli jetën e Birit të tij në barkun e Marisë. (Gjoni 1:14; Filipianëve 2:5-7) Kështu ajo ngeli shtatzënë me anë të një mrekullie. Që t’ia forconte besimin te fuqia e Perëndisë, engjëlli i tha se e afërmja e saj, Elizabeta, ishte ngjizur «në pleqëri» dhe së shpejti do të lindte një djalë. Elizabeta dhe i shoqi, Zakaria, ishin pa fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë. (Luka 1:36) Djali i tyre u bë Gjon Pagëzori dhe Jehovai kishte profetizuar edhe për shërbimin e tij.—Luka 1:10-16; 3:1-6.
Pastaj engjëlli Gabriel tha fjalët e Lukës 1:37, ndoshta duke pasur në mendje Marinë dhe Elizabetën. Po këto fjalë, u japin zemër shërbëtorëve të Jehovait sot se ai do t’i mbajë premtimet e tij. Këtu përfshihet premtimi se do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore me qeverisjen e drejtë të Birit të tij, Jezu Krishtit, Mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë.—Danieli 2:44; 7:13, 14.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Lukës.
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»
b Shprehje të ngjashme gjenden te Numrat 23:19; Josiu 21:45; 1 Mbretërve 8:56; Jobi 37:5; Psalmi 135:6; Jeremia 32:17; Danieli 4:35.