Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Luka 2:14—«Paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!»

Luka 2:14—«Paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!»

 «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij!»—Luka 2:14, Përkthimi Bota e Re.

 «Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!»—Luka 2:14, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Lukës 2:14

 Këto fjalë lëvdimi, që i thanë engjëjt kur lindi Jezui, tregojnë se ata që besojnë te Jezui, mund të gëzojnë miratimin e Perëndisë dhe të kenë paqe.

 «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell.» Me anë të kësaj shprehjeje, engjëjt theksojnë se Zoti meriton gjithë lavdinë. Gjithashtu, ajo nxjerr në pah faktin se lindja e Jezuit dhe shërbimi i tij në tokë do t’i sillnin shumë lavdi Perëndisë Jehova a. Për shembull, Jezui gjithmonë ia dha meritën Perëndisë për gjërat që u mësonte të tjerëve. Në një rast, ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16-18) Shpesh, ata që shihnin mrekullitë e Jezuit, ‘i jepnin lavdi Perëndisë’. (Luka 5:18, 24-26; Gjoni 5:19) Madje, Jezui i dha lavdi Perëndisë edhe me vdekjen e tij. Kjo i hapi rrugën Perëndisë për të plotësuar qëllimin e vet madhështor që ta mbushë tokën me njerëz të drejtë dhe paqedashës.—Zanafilla 1:28.

 «Paqe në tokë.» Kjo paqe nuk do të thotë thjesht të mos ketë luftë. Ajo përfshin paqen, ose qetësinë e brendshme, që vjen vetëm kur dikush ka miratimin e Jehovait. Njerëzit mund të gëzojnë këtë marrëdhënie paqësore me Perëndinë vetëm falë Jezuit. (Jakovi 4:8) Dhe, si Mbret i Mbretërisë të Perëndisë, Jezui do të sjellë paqe të plotë e të përhershme në tërë tokën.—Psalmi 37:11; Luka 1:32, 33.

 «Njerëzit që kanë miratimin e tij.» Kjo shprehje u referohet njerëzve që kanë miratimin, ose pëlqimin, e Zotit, ngaqë besojnë sinqerisht tek Ai dhe te personi që ai dërgoi, Jezui. Ajo nuk tregon se pëlqimin e Perëndisë e kanë të gjithë njerëzit, pavarësisht nga qëndrimet dhe veprimet e tyre, dhe as i referohet pëlqimit që mund të tregojnë njerëzit ndaj njëri-tjetrit. Disa përkthime të Biblës, si Kristoforidhi, këtë shprehje e përkthejnë «pëlqim ndë njerëzit». Megjithatë, dorëshkrimet greke më të lashta e më të besueshme mbështetin idenë e paqes mes njerëzve që miraton Perëndia, ashtu siç përcillet te Përkthimi Bota e Re dhe te shumë përkthime të tjera moderne.—Shih « Përkthime të tjera të Lukës 2:14».

Konteksti i Lukës 2:14

 Kapitulli 2 i Lukës përshkruan vitet e para të jetës së Jezuit si njeri. Menjëherë pasi lindi, ‘barinjve që jetonin fushave dhe që natën ruanin kopetë’, iu shfaq një engjëll. b (Luka 2:4-8) Pasi shpalli ‘një lajm të mirë që do të sillte gëzim të madh’, engjëlli u tha barinjve: «Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.» (Luka 2:9-11) Barinjtë morën vesh se ku mund ta gjenin të sapolindurin, pastaj panë me sytë e tyre një mori engjëjsh që lëvdonin Perëndinë. Me të mbërritur në Betlehem, ata gjetën Marinë dhe Jozefin bashkë me foshnjën Jezu. (Luka 2:12-16) Pasi folën për gjërat e jashtëzakonshme që ndodhën, barinjtë u kthyen te kopetë «duke madhëruar e duke lëvduar Perëndinë për gjithçka që dëgjuan e panë».—Luka 2:17-20.

 Përkthime të tjera të Lukës 2:14

 «Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!»—Luka 2:14, Dom Simon Filipaj.

 «Lavdi mbë Perëndinë që është mbë të-lartat, edhe paqtim mbi dhet, pëlqim ndë njerëzit.»—Luka 2:14, Përkthimi i Kristoforidhit.

 «Lavdi Perëndisë në qiell dhe paqe popullit të zgjedhur të tij në tokë.»—Luka 2:14, Bibla ECM.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Lukës.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»

b Fakti që barinjtë po e kalonin natën jashtë, tregon se këto ngjarje nuk ndodhën në dimër. Që të mësosh më shumë, lexo artikullin «Kur lindi Jezui?»