Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Marku 1:15—«Mbretëria e Perëndisë është afër»

Marku 1:15—«Mbretëria e Perëndisë është afër»

 «Koha e caktuar është përmbushur dhe Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim te lajmi i mirë.»—Marku 1:15, Përkthimi Bota e Re.

 «U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.»—Marku 1:15, Diodati i Ri.

Kuptimi i Markut 1:15

 Jezu Krishti u tha njerëzve se Mbretëria e Perëndisë a është «afër» ose «është afruar», sepse ai, si Mbret i ardhshëm i kësaj Mbretërie, ishte i pranishëm mes tyre.

 Jezui nuk po thoshte se Mbretëria kishte filluar tashmë të qeveriste. Në fakt, më vonë u tregoi dishepujve se Mbretëria do të vinte në të ardhmen. (Veprat 1:6, 7) Gjithsesi, Jezui erdhi fiks në kohë, në vitin që Bibla kishte parathënë se do të shfaqej si Mbret i ardhshëm. b Ndaj ai mund të thoshte me plot gojën: «Koha e caktuar është përmbushur», sepse kishte ardhur koha që të fillonte veprën e predikimit të ungjillit, ose të lajmit të mirë, për Mbretërinë.—Luka 4:16-21, 43.

 Që njerëzit të nxirrnin dobi nga lajmi i mirë për Mbretërinë, duhej të pendoheshin, pra të ndienin keqardhje për mëkatet e së kaluarës dhe të jetonin në harmoni me normat e Perëndisë. Ata që u penduan, treguan besim te lajmi i mirë për Mbretërinë që do të vinte.

Konteksti i Markut 1:15

 Jezui i tha këto fjalë në Galile kur filloi veprën e predikimit. Siç përmendet edhe te tregimi paralel i Mateut 4:17, «që nga ajo kohë» Jezui nisi të predikonte për Mbretërinë e Perëndisë. Tema kryesore e shërbimit të tij ishte Mbretëria. Faktikisht, ajo përmendet më shumë se 100 herë në të 4 Ungjijtë c, në shumicën e rasteve nga Jezui. Në Bibël tregohet se Jezui foli për Mbretërinë e Perëndisë më shumë se për çdo gjë tjetër.

Lexo kapitullin 1 të Markut bashkë me shënimet shpjeguese dhe referimet.

a Mbretëria e Perëndisë është qeveria që ka vendosur Zoti në qiell për të plotësuar qëllimin e tij për tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Për më shumë detaje, shih artikullin «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»

b Jezui do të bëhej mbret që të plotësonte një nga rolet e tij si Mesia i parathënë, përfaqësuesi i veçantë i Zotit. Për më shumë informacion rreth profecive të Biblës që tregojnë se Jezui ishte Mesia, shih artikullin: «A provojnë profecitë mesianike se Jezui ishte Mesia

c Ungjijtë janë 4 librat e parë të Shkrimeve të Krishtere Greke, të cilat njihen edhe si Dhiata e Re. Ata flasin për jetën dhe shërbimin e Jezuit.